Vangjel Dule: “Qeveria të japë dorëheqjen”
Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ-së, kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një kabineti tjetër nga kjo maxhorancë, e cila, sipas tij, duhet t’i hapë rrugë liberalizimit të vizave dhe ndryshimeve elektorale. “PBDNJ-ja do të shprehë qartë dhe pastër qëndrimin e vet. Është momenti që secili të marrë përsipër përgjegjësitë e veta dhe në radhë të parë përgjegjësi kryesor për një vit kohë të humbur në jetën e çdo qytetari shqiptar, në jetën e komunitetit, në realizimin e ambicieve strategjike të vendit, dhe kjo është qeveria e zotit Berisha, duhet të marrë përsipër përgjegjësinë dhe të japë dorëheqjen. Nga ana tjetër duhet të nisë një dialog gjithëpërfshirës për krijimin e një qeverie sa me afatshkurtër, e cila, me një axhendë të qartë dhe aksion politik të koordinuar, do të mund të realizojnë si procesin e liberalizimit të vizave, ashtu dhe atë të marrjes përfundimisht të statusit të kandidatit. Dhe në një kohë optimale vendi duhet që t’i drejtohet ballafaqimit të ri zgjedhor”, - deklaroi Dule.
Miklau: “Mbetet problem mungesa e hetimit të figurave politike”
Një tjetër problem që ekziston ende në Drejtësinë shqiptare janë zgjatja e seancave gjyqësore dhe akuzat apo investigimi që nuk realizohet për figurat e larta politike. Kjo deklaratë është bërë nga Roland Miklau, drejtuesi i misionit EURALIUS në vendin tonë. Sipas tij, Shqipëria ka një Kushtetutë moderne, por parimet nuk duhet të jenë vetëm në ligje, por të pasqyrohen edhe në praktikë. “Mbeten shumë hapa për t’u bërë. Ndërkohë mbetet problem zgjatja dhe shtyrja e gjyqeve, si dhe pamundësia për ngritjen e akuzave dhe investigimin për figurat e larta, shteti i së drejtës është ende jo i plotë” - theksoi Miklau. Ndërsa ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka deklaruar se konsensusi politik duhet të sjellë ecjen përpara të ligjeve të Drejtësisë.
”EURALIUS ka sjellë ekspertizë ligjore nga shtetet e BE-së. Janë investuar 4.5 milionë euro. Menaxhimi i gjykatave është bërë më transparent. Sundimi i ligjit duhet të vijë nga një vizion më i gjerë. Nuk ka një gjë të tillë, një sundim i maxhorancës, pasi rregullat vendosen nga një konsensus politik. Konsensusi është një ecuri për ligjet e Drejtësisë. Merrni kushtet që vijnë nga MSA-ja. Prokurorët dhe gjyqtarët kanë kapacitetet e duhura profesionale, por duhet të punojnë me kurajë, e jo duke parë bindjet politike”, - theksoi në fjalën e tij Lohan. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili ka renditur miratimet e disa ligjeve, si dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e cila ka falënderuar EURALIUS-in për ndihmën e dhënë për Gjyqësorin.
18 Qershor 2010