Berisha takon kryetarin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Dacin
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci dhe delegacionin që e shoqëronte.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe arritjet e rëndësishme për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës, ecjen përpara në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e shoqëror të saj, forcimin e shtetit ligjor, respektimin e plotë të të drejtave të minoriteteve. Pavarësia e Kosovës dhe këto zhvillime pozitive, tha kryeministri, e kanë shndërruar Kosovën qartësisht në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon. Daci e falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe i shprehu vlerësimet dhe urimet më të sinqerta për sukseset e mëdha të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare vitet e fundit, duke e cilësuar historike anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, një hap mjaft të rëndësishëm vendimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave, si dhe i shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për të gjithë kontributin dhe mbështetjen që kryeministri Berisha i ka dhënë Kosovës në arritjen dhe konsolidimin e pavarësisë dhe në zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës dhe kontributin e vazhdueshëm e të jashtëzakonshëm të kryeministrit Berisha për çështjen kombëtare.
Më tej, Berisha dhe Daci vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer midis të dy vendeve në të gjitha fushat gjatë kësaj periudhe, si shembulli më i mirë i marrëdhënieve të shkëlqyera të fqinjësisë dhe bashkëpunimit në rajon. “Nuk ka komb tjetër që të ketë bërë aq shumë për mbijetesën, sesa kombi shqiptar dhe sigurisht rruga jonë nuk është e nuk do të jetë një bulevard, por është një rrugë e gjerë e me dritë drejt zhvillimit dhe integrimit në familjen europiane. Ne mund të kapim kohën e humbur vetëm si një shoqëri e shtetit ligjor”, - tha Berisha. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve është kusht themelor për ndërtimin e konsolidimin e demokracisë dhe një shoqërie të lirë. Kryeministri Berisha rikonfirmoi vendosmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha forcat politike në Kosovë, në Maqedoni e faktorin shqiptar kudo, në të mirë të çështjes kombëtare, por edhe paqes, stabilitetit, sigurisë dhe zgjerimit të bashkëpunimit e miqësisë me të gjitha vendet e rajonit, në dobi të së mirës së ndërsjellë të popujve të rajonit.
Kryeministri Berisha fton kompaninë kineze të investojë në Shqipëri
Kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, priti dje zëvendëspresidentin e kompanisë “CNEEC” (China National Electric Equipment Corporation) Zheng Chengjun, një nga kompanitë më të mëdha shtetërore kineze, e cila e zhvillon veprimtarinë e saj në 4 fusha; në infrastrukturë, energji, të shërbimeve si furnizimi me ujë dhe tregti për pajisje elektrike.
Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi zëvendëspresidentin e CNEEC për vizitën dhe projekt-idetë e kompanisë së tij, u shpreh se e quante të rëndësishëm faktin që kjo kompani mund të investojë në Shqipëri. Pasi i prezantoi me hollësi situatën ekonomike dhe potencialet e Shqipërisë, kryeministri theksoi se fushat e zgjedhura për projekte nga kompania kineze janë edhe fusha prioritare për qeverinë që ai drejton. Në infrastrukturë, sikundër edhe në fushën e energjisë, u bëri të ditur kryeministri, do të fillojë së shpejti projekte koncesionare dhe me garë. Kryeministri Berisha garantoi për mbështetjen e fortë të strukturave të qeverisë, për transparencë në bashkëpunim dhe mbrojtje të investitorëve, që garantojnë ligjet, me të cilat operon biznesi në Shqipëri. “Zhvillimet shumë pozitive të ekonomisë shqiptare të viteve të fundit kanë bërë që bordi i kompanisë sonë të vendosë të shtrijë projektet e investimit edhe në Shqipëri. Prandaj kemi ardhur si delegacion, me këtë përfaqësim të lartë, për të prezantuar interesin e kompanisë sonë në infrastrukturë, ndërtim rrugësh, me garë ose koncesion, vepra energjetike si hidrocentrale, me koncesion ose për llogari të qeverisë, si dhe të shohim mundësinë e projekteve në fushën e menaxhimit të ujërave. Në përbërjen e kompanisë sonë, ne kemi inxhinierë me shumë eksperiencë, që kanë punuar në hidrocentralet e Vaut të Dejës dhe Fierzës, që në vitet ’70, prandaj njohim mirë potencialin e madh hidrik të Shqipërisë”, - u shpreh Chengjun. Ai u shpreh shumë i kënaqur me mirëpritjen e institucioneve të tjera të qeverisë shqiptare dhe me informacionin e vënë në dispozicion, për të realizuar projekte në këto fusha.
18 Qershor 2010