E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitblerja e pronës, procedura dhe kostoja e aktit te noterët



Laureta Rryçi
Ligjërimi i të gjitha shërbimeve mbi pronën ka kosto standarde që duhet paguar te noteri. Të gjithë ata persona që duhet të kryejnë transaksione me pronat e tyre, qofshin këto të luajtshme apo të paluajtshme, duhet të paguajnë disa tarifa të përcaktuara me ligj te noterët. Shuma që duhet të paguhet për këto veprime është në varësi të madhësisë, si dhe të vlerës së objektit. Këto tarifa janë të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave dhe vazhdojnë të jenë të pandryshuara. Nga ana tjetër, edhe vetë noterët, për të bërë aktet noteriale, janë të detyruar që të zbatojnë me përpikëri të gjitha këto tarifa. Ndërkohë që në rast se konstatohen shkelje në zbatimin e tyre, atëherë noterët do të ndiqen penalisht. Sipas ligjit, çdo noter duhet t’i afishojë tarifat e përcaktuara nga shteti të printuara, në një vend të dukshëm, në mënyrë që qytetarët të jenë në dijeni të tyre.
Kontrata
Për kontratë qiraje është 2500 lekë, ndërsa për kontratë hipotekimi paguhet 3000 lekë. Ligji që përcakton tarifat ka vënë rregulla të reja për rastet kur bëhet fjalë për kalim pasurie të luajtshme dhe të paluajtshme. Tarifat për shërbime të tilla variojnë sipas shifrës së pasurisë që do të kalohet. Ato nisin nga 3 mijë lekë e shkojnë deri në 150 mijë lekë (te rinj).
Nëse ju duhet të keni një kontratë për kalim pronësie të pasurisë së luajtshme te noterët duhet të paguani shumën prej 700 lekësh. Më shtrenjtë është kontrata për kalimin e pasurisë së paluajtshme, e cila është përcaktuar 1000 lekë. Për kontratat e qirasë tarifa është më e ulët, pasi është caktuar 200 lekë. E njëjta tarifë është lënë edhe për kontratat e huas. Në rastet kur një person, për të bërë një akt noterial për shumën që posedon, e cila varion nga 10 milionë lekë deri në 15 milionë lekë, duhet të paguajë te noteri shumën 23 mijë lekë. Sipas noterëve, kjo shumë llogaritet përpjesëtimisht.
Hipotekimi
Nuk mund të ketë hipotekim të pronës nëse nuk ke paguar taksën e truallit. Kalimi i të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtesë, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme e paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie, në përputhje me aktet ligjore përkatëse. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që “fitim kapital i realizuar” nënkupton diferencën ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë, ndërtesë apo tokë. Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Kontrata duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse.

Box

Vlefshmëria e dokumenteve

Pullat vendosen në çdo kopje të dokumentit të lëshuar, për të gjitha dokumentet që, sipas ligjit, duhet të pajisen me pulla. Dokumentet janë të vlefshme kur pulla është e vulosur nga organi që kryen shërbimin. Për plotësimin e vlerës së pullës për aktet që lëshohen mund të përdoren një ose më shumë pulla, me kusht që ato të plotësojnë vlerën e tarifës. Tarifa e paguar nuk kthehet kur hiqet dorë nga kryerja e veprimeve gjyqësore apo noteriale. Institucionet përgjegjëse për vjeljen e tarifave me anën e pullës planifikojnë dhe porosisin pullat, sipas nevojave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Mbi tarifat e shërbimit të përfshira në këtë udhëzim nuk aplikohet TVSH-ja (Tatimi për Vlerën e Shtuar). Këto tarifa aplikohen në çdo rast, pavarësisht tarifave të shërbimit, të parashikuara në akte të tjera ligjore apo nënligjore.

Raportimi për rastet e dyshimta

Noterët do të zbatojnë rregulla të reja për raportimin mbi transaksionet që kryhen nëpërmjet akteve që lëshohen falë vulës që disponojnë. Tashmë ata nuk duhet të informojnë vetëm për rastet e dyshimta, por edhe për çdo transaksion në para fizike mbi 1.5 milionë lekë dhe në para jo fizike mbi 6 milionë lekë. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka përcaktuar një formular i cili pritet të nisë aplikimin gjatë këtij vitit. Burime pranë kësaj drejtorie shpjegojnë se ky formularë do të jetë një ndihmë më e madhe për të zbuluar rastet e pastrimit të parave në vend. Formulari është i vlefshëm për të raportuar për të gjitha transaksionet e vlerave mbi 1.5 milionë lekë në para fizike. Mbi 6 milionë lekë në para jo fizike si dhe për rastet e dyshimta. Ky formular do të raportohet pranë Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në rrugë elektronike ose online apo me CD.

Shërbimet
700 lekë
kontrata për kalim pronësie të pasurisë së luajtshme

1000 lekë
kontrata për kalim pronësie të pasurisë së paluajtshme

200 lekë
kontratë qiraje

200 lekë
kontratë huaje

23 mijë lekë

është tarifa që paguan një person për të bërë një akt noterial për shumën që posedon, e cila varion nga 10 milionë lekë deri në 15 milionë lekë

150 mijë lekë

është shuma e lekëve që paguan një pronar për një akt noterial. Kjo shumë parash për këtë kontratë është për vlerën e objektit mbi 100 milionë lekë

1500 lekë

paguan një pronar objekti për të bërë një kontrate hipotekimi për pasuri të paluajtshme

3000 lekë

është shuma që paguhet për një akt pjesëtimi pasurie të paluajtshme me dy bashkëpronarë

1500 lekë

është shuma që paguan një pronar për të bërë një deklaratë te noteri për heqje dorë nga bashkëpronësia

8 mijë lekë

kushton një kontratë që do të paguajë një person te noteri për të vërtetuar këmbimin e pasurisë së paluajtshme

2500 lekë

është shuma që paguan një qiramarrës për të bërë një kontratë qiraje me pronarin e shtëpisë që do marrë me qira

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›