E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria përgatitet të mbledhë thërrimet e fundit nga privatizimet



Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit do të ketë edhe një minus të madh në aspektin ekonomik, ku përveç deficitit të madh, problem do të jetë edhe sigurimi i të ardhurave. Në pikëpyetje mbetet edhe sigurimi i parave nga privatizimet e sektorëve strategjikë, ku për vitin e ardhshëm kanë mbetur vetëm disa sektorë në ekonomi për t’u dhënë me koncesion. Ndër sektorët që shikohen se mund të kapin vlerën më të lartë të privatizimeve janë koncesionet për hekurudhat dhe shërbimet në to, si dhe dhënia me koncesion edhe e porteve kryesore detare të vendit. Sipas ekspertëve në Ministrisë së Financave, të ardhurat që parashikohet të mblidhen në buxhet për katër vitet e ardhshme do të tkurren. Sipas parashikimeve të ekspertëve, duke nisur që këtë vit e deri në 2012-n do të bjerë ndjeshëm sasia e parave që do të mblidhen në buxhet nga privatizimet strategjike. Analiza e treguesve makroekonomikë rezulton me një përkeqësim të shifrave, që do të arrijnë sipas ekspertëve në 200 milionë lekë, nga 5,5 miliardë lekë që kanë qenë në vitin 2008 dhe 13,2 miliardë në vitin 2007. Aktualisht, procesi i privatizimeve është drejt përfundimit dhe dy vitet e kaluara kanë qenë ato me ritmet më të larta, duke realizuar edhe kurbën më të lartë të të ardhurave në buxhet. Mundësitë që ofrohen për privatizime janë në disa sektorë strategjikë si energjetika, nafta, dhe telekomunikacionet, mes të cilave futen privatizimi i sistemit të transmetimit të energjisë, kompania shtetërore e përpunimit të naftës, Fabrika Mekanike e Naftës në Kuçovë, apo sistemi i furnizimit me ujë në Berat dhe Kuçovë.

Shuma në përqindje e aksioneve të shtetit në kompanitë strategjike

Nr. Emri i kompanisë Aksionet shtetërore në posedim
1. ARMO 15%
2. Albpetrol 100%
3. OSSH 24%
4. AMC 12.5%
5. Albtelekom 16%
6. KESH 49%
7. INSIG 61%
8. Ujësjellës Sh.a. 100%
9. Hidrocentralet 100%
10. Ndërmarrje dhe ish-fabrika shtetërore Vlera të ndryshme

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›