E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni në “Don Bosko”, sulmohet një drejtues i policisë së Tiranës

SHKRUAN: Thimi Samarxhi 27-07-2011 13:03

Tiranë Një drejtues i lartë i Policisë së Tiranës është sulmuar në rrugën “Don Bosko”, gjatë një aksioni. Pas sulmit të pak ditëve më parë ndaj komisariatit nr.5 dhe goditjes së shefit të krimeve të këtij komisariati, ky është rasti i dytë brenda një kohe të shkurtër i dhunimit të drejtuesve të policisë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se për këtë ngjarje është arrestuar 32 -vjeçari Eduart Ponari nga Tirana. “Arrestimi i tij u krye sepse dje, në rrugën ‘Don Bosko’ ka kundërshtuar, fyer për shkak të detyrës një punonjës policie” – thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Tiranës. Ndërkohë, burime nga ky institucion bëjnë të ditur se konflikti ka ardhur pas shoqërimit të një personi në komisariat, i cili rezulton se është mik i autorit të ngjarjes. Në momentin e shoqërimit të tij, ka ndërhyrë 32- vjeçari Ponari, i cili është konfrontuar me fjalë me shefin e policisë, duke e ofenduar dhe kërcënuar këtë të fundit. Ponari i ka kërkuar shpjegime efektivëve të policisë në lidhje me shoqërimin, si dhe ka tentuar t’i ndalojë ata për të kryer shoqërimin, por efektivët e Komisariatit 3 i kanë kërkuar që të largohet pasi në të kundërt do të përgjigjej penalisht për këto kundërshtime. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, mësohet se Ponari është konfrontuar fizikisht me drejtuesin e lartë të policisë, duke e shtyrë këtë të fundit me forcë, por pa i shkaktuar dëmtime, kjo edhe falë ndërhyrjes në kohë të efektivëve të tjerë të policisë, të cilët kanë bërë të mundur shoqërimin e 32-vjeçarit Eduart Ponari. Menjëherë pas ndalimit, autori është dërguar në ambientet e komisariatit 3 në Tiranë, ku tashmë ndaj tij është ngritur akuza e “fyerjes për shkak të detyrës”. Dhuna ndaj shefit të policisë vjen vetëm pak ditë pas sulmit me gurë që iu bë komisariatit 5 në Tiranë, ku vëllezërit Halili hynë me dhunë në ambientet e komisariatit dhe goditën shefin e Krimeve, Artur Hyka, si dhe një tjetër efektiv policie. Konflikti ka nisur pasi në komisariat është shoqëruar njëri prej vëllezërve, i cili ishte duke prishur murin e shkollës 9-vjeçare në Kamëz, për shkak të konflikteve të pronësisë. Në këto momente kanë ndërhyrë efektivët e Policisë, të cilët e kanë shoqëruar në komisariat. Vetëm pak minuta më pas, dy vëllezërit e tjerë kanë nisur të qëllojnë me gurë, duke thyer xhamat e komisariatit 5 dhe pasi kanë hyrë në ambientet e brendshme kanë nisur të godasin Hykën dhe një tjetër efektiv policie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›