Padia e italianit, Kushtetuesja jep vendim për kujdestarinë e fëmijëve
Italiani Arturo Verzeroli kërkoi deri në Gjykatën Kushtetuese kujdestarinë e fëmijës së tij, por gjykata vendos njëzëri: Fëmija të rritet me nënën
Tiranë Gjykata Kushtetuese ka vendosur t’i japë fund përpjekjeve ligjore të një shtetasi italian, i cili kundërshton vendimet e tri gjykatave më të ulëta që i heqin atij të drejtën e kujdestarisë prindërore pas divorcit me bashkëshorten shqiptare. Arturo Verzeroli nëpërmjet avokatit të tij i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, të cilës i kërkon shfuqizimin e dy vendimeve të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, të cilat janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas gjykatës, shtetasi italian fillimisht është paditur nga ish-bashkëshortja e tij shtetase shqiptare, e cila ka kërkuar në gjykatë zgjidhjen e martesës, lënien e fëmijës për rritje dhe edukim dhe pagimin e detyrimit ushqimor në favor të fëmijës. Ecuria gjyqësore e kësaj çështjes, sipas Kushtetueses ka qenë në disfavor të shtetasit italian, pasi gjykata e Tiranës, në datë 28.07.2008 ka vendosur zgjidhjen e martesës, lënien e fëmijës për rritje dhe edukim paditëses, duke i njohur babait të drejtën e takimit me fëmijën javën e parë dhe të tretë të çdo muaj, si dhe marrjen e fëmijën 20 ditë për pushime verore, në periudhën korrik-gusht të çdo viti. Gjithashtu, shkalla e parë ka vendosur detyrimin e kërkuesit që të paguajë në favor të fëmijës një kontribut ushqimor në masën 50 000 lekë në muaj, duke filluar ky detyrim nga dita e ngritjes së padisë. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit më 30 qershor 2009, ndërsa Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të shtetasit italian. Pas këtij vendimi, avokati i Arturo Verzerolit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet janë marrë në cenim të së drejtës së klientit të tij për një proces të rregullt ligjor, duke paraqitur si arsye cenimin e të drejtës për të pasur ndihmën e një përkthyesi, cenimin e të drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur dhe mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor. Të tria këto çështje janë analizuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka dhënë argumentet përkatëse, duke arritur në përfundimin se shtetasit italian nuk i është cenuar asnjë prej këtyre pretendimeve. Qoftë e drejta e ndihmës së një përkthyesi, apo pretendimet e tjera të kërkuesit, sipas gjykatës nuk qëndrojnë, pasi nga verifikimet e kryera në dosjen gjyqësore këto pretendime rrëzohen. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur njëzëri të rrëzojë kërkesën e shtetasit italian, i cili është i detyruar të takojë fëmijën e tij në oraret e përcaktuara nga gjykata, si dhe t’i paguajë atij një pension mujor për ushqim në shumën e 50 mijë lekëve. L.Bakillari