E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dehur terrorizojnë personelin e urgjencës, arrestohen 4 të rinj

Kanë qenë mjekët të cilët kanë lajmëruar policët. Por të rinjtë kanë kundërshtuar edhe uniformat blu dhe më pas kanë përfunduar në pranga

Elbasan Terrorizojnë personelin e urgjencës e më pas kundërshtojnë edhe forcat e policisë, në pranga katër të rinj. Shërbimet e policisë Elbasan kanë ndaluar Evis Tola 20 vjeç me banim në fshatin Mirakë të Librazhdit, Julian Sulanjaku 20 vjeç, Klajdi Sulanjaku si dhe Migen Sulanjaku 24 vjeç, të tre me banim në fshatin Kuqan të Elbasanit, pasi në gjendje të dehur, kur kanë shkuar për të marrë ndihmën e parë mjekësore në urgjencën spitalore, janë konfliktuar me mjekët dhe personelin e më pas edhe me punonjësit e policisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.00 të mbrëmjes. Sipas të dhënave në vendngjarje, tre nga të rinjtë kanë përfunduar në gjendje të rëndë në urgjencë, pasi kishin abuzuar me alkoolin. Ata janë transportuar për në spital nga Migen Sulonjaku i cili është shprehur se i solli tre të rinjtë pasi ata kishin humbur arsyen e po vuanin për shkak se kishin konsumuar sasi të mëdha pijesh. Por në urgjencë ka lindur konflikti. Sipas personelit, të rinjtë janë sjellë shumë keq duke sharë e fyer mjekë e infermierë të cilët po përpiqeshin që t’u jepnin ndihmën e parë. Burime nga urgjenca deklaruan se të rinjtë shanin e fyenin vazhdimisht e madje filluan t’i shoqërojnë veprimet edhe me konfrontim fizik. Ndodhur në këto kushte, një nga mjekët ka njoftuar policinë, e cila ka dërguar grupin e gatshëm për të mbrojtur bluzat e bardha. Por edhe me policinë të rinjtë kanë manifestuar agjitacion e kundërshtime.

I kundërt ka qenë deklarimi i vetë protagonistëve. Ata kanë dëshmuar në polici se shkuan në urgjencë për të marrë ndihmën mjekësore pasi kishin abuzuar me alkoolin, por një nga mjekët ka nxjerrë pengesa duke kërkuar librezë shëndetësore, duke i fyer se përse ishin katandisur në atë gjendje e duke hezituar për të kryer lavazh e për të dhënë ndihmën e parë.

Sa i përket grupit të gatshëm, ata kanë dëshmuar se ka qenë një nga policët që ka qëlluar duke ushtruar forcë edhe pse ndodheshin nën efektin e alkoolit.

Megjithatë, pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore e pasi janë bërë “esëll” , policia ka arrestuar katër të rinjtë të cilët do të përgjigjen për akuzat e prishjes së rendit e qetësisë publike, dhunim të bluzave të bardha dhe kundërshtim të policëve në detyrë.

Raste të kësaj natyre janë mjaft të shprehura në Elbasan. Sipas të dhënave të urgjencës së qendrës spitalore “Xhaverr Kongoli”, në urgjencë paraqiten mesatarisht çdo ditë 2-3 raste të shtetasve që abuzojnë rëndë me alkoolin. Disa prej tyre edhe në gjendje kome. Statistikat tregojnë se nga fenomeni janë prekur të gjithë grupmoshat, por spikasin të rinjtë, nxënës shkollash e studentë. Dukuria ka prekur dukshëm edhe femrat. Mjekët thonë se mjaft të rrezikshme janë përzierjet e pijeve që praktikojnë ata që janë të dhënë pas pijeve dhe drogave. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›