Faleminderit Tare dhe Canaj
Arben Kallamata
Dy futbollistë të shquar shqiptarë Igli Tare dhe Lorik Canaj u vunë në gjurmë, gjetën burimin dhe blenë, me fondet e tyre nga një koleksionist privat italian kokën e Asklepit, perëndisë së lashtë greke të Mjekësisë, një relik i rrallë vjedhur nga Shqipëria në turbullirën e vitit 1991. Falë zemërgjerësisë dhe atdhedashurisë së Tares a Canajt, kjo vepër arti antike do t’i kthehet së shpejti Shqipërisë. Sipas një informacioni të dhënë nga Auron Tare, është menduar që Asklepi t’i dorëzohet Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në Tiranë. Gjesti po përcillet pa shumë bujë, madje me një farë indiference nga shtypi i shkruar shqiptar, megjithëse përbën një hap të rëndësishëm jo vetëm për arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore të vendit, por edhe për kulturën e shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Ndërkohë, shtypi italian nuk ka munguar t’i bëjë jehonë.
Busti i Asklepit është një nga objektet më të rëndësishëm të qytetit antik të Butrintit. Mendohet që faltorja kushtuar Asklepit, një ndër disa të tilla në botën antike, të ketë qenë edhe pikënisje e themelimit të Butrintit, padyshim ndër thesaret më të vyera të trashëgimisë sonë antike. Busti u gjet dhe shpjegua nga arkeologu italian Luigi Maria Ugolini në vitet ’30-të të shekullit të kaluar. Sipas një shpjegimi tjetër, ai mund t’i përkasë edhe kryeperëndisë Zeus. Sidoqoftë, teoria e Ugolinit ka gjetur më tepër mbështetje te specialistët.
Busti u vodh nga muzeu i Butrintit në prill të vitit 1991, bashkë me shumë objekte të tjerë. Kthimi i këtyre objekteve ka filluar që në vitin 2000 (Livia), dhe ka vazhduar edhe më tej (Agripa, Herkulania, 2003; dhe Artemisa e Apollo në 2008). Përpjekja e Igli Tares dhe Lorik Canajt është një vazhdim shpresëdhënës i kësaj prirjeje pozitive, që synon të zhbëjë një mbrapshtësi poshtëruese të diktuar nga rrethana të vështira historike për shqiptarët. Vepra të tilla me vlerë artistike dhe kohore si Asklepi, Artemisa, Apollo, Livia, Agripa etj., janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore dhe i përkasin muzeumeve shqiptare, jo koleksionistëve privatë apo muzeve të Romës, Athinës, Parisit, Nju Jorkut apo Londrës.
Veprimi i dy futbollistëve të shquar ka edhe një vlerë tjetër të rëndësishme, që ndoshta kapërcen thjesht kthimin në vend të një monumenti kulture. E kam fjalën për vlerën në rrafshin e kulturës së gjithë shoqërisë. Të diktuar nga rrethana historike, shqiptarët janë mësuar ta presin gjithçka nga shteti. Shteti duhet të kujdeset për kulturën, shteti duhet të vrasë mendjen për kthimin e veprave të artit, shteti duhet të angazhohet për të gjitha. Për fat të keq, kjo mendësi vazhdon të mbizotërojë edhe sot. Shumë njerëz, që kanë në dorë dhe, ndoshta edhe duan të bëjnë diçka për vendin, tërhiqen me mendimin se s’iu takon atyre, por i takon shtetit. Natyrisht, me këtë unë nuk dua aspak të shfajësoj ngathtësinë e shtetit dhe t’i heq instancave qeveritare çdo lloj përgjegjësie. Dua veç të theksoj faktin që në shoqëritë e përparuara demokratike individët nuk presin që gjithçka të vijë nga shteti dhe shpeshherë i marrin gjërat në dorë vetë. Shumë vende të botës as që kanë organizma shtetërore për t’u marrë me probleme për të cilat në Shqipëri ndërhyrja e shtetit konsiderohet e domosdoshme. Për shembull, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në një farë mënyre janë edhe një ndër burimet më të rëndësishme të kulturës dhe artit bashkëkohor, nuk kanë Ministri Kulture (ose Sekretar Shteti për Kulturën, siç e quajnë ata). Kjo s’e ka penguar aspak atë vend të ngrejë Hollivudin, Broadway-n, industrinë më të fuqishme në botë të prodhimit të muzikës, një rrjet fantastik muzesh arti e kulture etj. Shumë prej këtyre institucioneve janë ndërtuar me nisma private të karakterit fitimprurës ose jo.
Në intervistën e tij Tare shpreh dëshirën që kjo nismë e dy futbollistëve të vlerësohet si duhet dhe të pasohet nga të tjera. Natyrisht, duke shpresuar edhe në angazhimin më serioz të shtetit, do të dëshironim të shihnim edhe më tepër gjeste të mrekullueshme e frymëzuese, si përpjekja e Igli Tares dhe Lorik Canajt për të kthyer në atdhe një vepër me vlera të rralla artistike dhe arkeologjike.