E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni "Korridori", shqiptari me 111 kg heroinë në Maqedoni

 

Shkup - Pesë shtetas maqedonas u arrestuan me akuzën e tentativës së kontrabandimit të një ngarkese prej 111 kilogramë heroinë të nisur nga Turqia me destinacion vendet e BE-së. Policia e Maqedonisë publikoi rezultatet e një aksioni rajonal kundër trafikimit të narkotikëve, të kryer në bashkëpunim me policinë bullgare dhe qendrën Antidrogë të Stambollit. Ngarkesa me lëndë narkotike u bllokua gjatë natës në Blagoevgrad nga aksioni i përbashkët i policisë maqedonase dhe bullgare. "Gjashtë persona u arrestuan, duke përfshirë një qytetar bullgar", thanë burimet nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë. Sipas një deklarate lidhur me aksionin, "Departamenti i Krimit të Organizuar ka punuar për disa kohë për mbledhjen e informacionit mbi transportin e heroinës nga Bullgaria në Maqedoni. Personat e implikuar në trafikimin e heroinës, janë ndjekur dhe mbajtur në vëzhgim për disa muaj me radhë. Pas bashkëpunim me homologët bullgarë, departamenti Antidrogë i qendrës rajonale SECI dhe DEA, Zyra e Stambollit, është realizuar aksioni "Korridori" që u finalizua me goditjen e një rrjeti ndërkombëtar të drogës dhe konfiskimin e 111 kilogramë heroinë", njoftoi dje policia maqedonase. Sipas saj në një pjesë të itinerarit lënda narkotike u transportua me anije pas nisjes nga Turqia. Lëvizja e drogës mësohet se ka vazhduar në Bullgari derisa ka hyrë në brendësi të kufirit maqedonas. Pas hyrjes në Maqedoni, droga do të kalonte nëpër Strugë ku në rolin e pritësit ishte një shtetas shqiptar, i cili u arrestua. Identiteti i këtij personi nuk është bërë i ditur megjithëse policia konfirmoi kombësinë dhe shtetësinë e tij. Shqiptari sipas hetimeve të deritanishme dhe përgjimeve telefonike ndërkombëtare, besohet se do të kryente rolin e korrierit të ngarkesës me drogë, duke e transportuar atë në destinacion drejt vendeve të BE-së. Bashkë me shqiptarin mësohet se kjo detyrë u ishte ngarkuar edhe disa personave të tjerë, që do të ndihmonin në lëvizjen e lëndës narkotike. Hetuesit po llogarisin paraprakisht faktin se ngarkesa e heroinës së bllokuar shkon nga 10-15 milionë euro në vlerë monetare. Vendburimi i saj prej nga ishte nisur heroina deri më tani dihet se ka qenë Turqia, megjithatë hetuesit po kërkojnë të dhëna të mëtejshme pasi dyshohet se origjina e drogës është më e largët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›