Masakra e Cërrikut, Bozi: S’u premtova viza autorëve
Armand Bajrami
Meti Bozi, i akuzuar nga prokuroria si një nga autorët e "Masakrës së Cërrikut" rrëfeu dje te Krimet e Rënda versionin e tij të ngjarjes së 23 marsit 1997, ku humbën jetën 6 punonjës të gardës dhe u plagosën disa të tjerë. Sipas deklarimeve të dhëna para togave të zeza të Gjykatës për Krimet e Rënda, Bozi përjashtoi veten nga pjesëmarrja në ngjarje. I pandehuri tha se ai ishte përfshirë në ngjarjen e njohur si "Masakra e Cërrikut" vetëm pas përfundimit të përplasjes së armatosur mes turmës dhe policisë. Gjatë rrëfimit të tij para pesëshes gjykuese, i arrestuari Met Bozi, në vitin 1997 anëtar i Këshillit Bashkiak të Cërrikut, pohoi se ngjarjen e kishte mësuar të nesërmen e masakrës. Ndërsa pas ngjarjes ai kishte ndihmuar në nxjerrjen e dy kufomave nga blinda e djegur e gardës dhe policisë së shtetit. Gjithashtu ai tha se të nesërmen kishte mësuar se kishte qenë vëllai i "të penduarit" të këtij procesi Bujar Buzani, ai që kishte hedhur një granatë në autoblindën e policisë. Ndërsa për dy gardistët e mbajtur peng dhe të dhunuar në një banesë në qytetin e Cërrikut pas ngjarjes, për të cilën disponohen nga prokuroria pamje filmike të transmetuara publikisht, Met Bozi tha se nuk kishte dijeni. Gjithashtu në rrëfimin e tij, i akuzuari Met Bozi sqaroi se deklarimet e tij të dhëna në Drejtorinë e Policisë Tiranë, pas arrestimit të tij në vitin 2007, nuk ishin plotësisht të vërteta. Sipas të pandehurit, ato janë manipuluar nga organi i akuzës.
DESHMIA
Seancën e djeshme, pasi gjykata i dha të drejtën e pyetjeve përfaqësuesit të akuzës, i pandehuri Met Bozi kërkoi nga gjykata të bënte një deklarim me vullnetin e tij. Në vazhdim të dëshmisë, ai sqaroi përpara palëve gjithë veprimtarinë e tij, nga viti 1990 deri në vitin 1997. Në deklarimin e lirë, ai tha se kishte qenë në fermën e tij, larg qytetit të Cërrikut, kur kishte dëgjuar një zhurmë të madhe që vinte nga qyteti. Sipas tij, kjo "zhurmë" ishte dëgjuar pak minuta pasi ata kishin parë nga distanca në rrugë një autoblindë. Ndërkohë që pyetjes së prokurorit të çështjes, nëse kishte qenë kryetar i Komitetit të Shpëtimit në Cërrik në vitin 1997, i pandehuri iu përgjigj negativisht. "Nuk kam qenë ndonjëherë kryetar i Komitetit të Shpëtimit dhe as i PS-së. Kryetar i këtij komiteti ka qenë Llazar Bicja", tha Bozi. Bozi u shpreh se posta e policisë së Cërrikut, që sipas prokurorisë është shpërbërë dhunshëm nga persona të armatosur një natë para ngjarjes, ishte shpërndarë në mënyrë të vullnetshme. "Unë nuk kam qenë në qytet kur ka ndodhur ngjarja. Nuk e kam organizuar unë vendosjen e personave në tarracat e qendrës së Cërrikut. Nuk e di pse ndodheshin dy ushtarakët e plagosur në familjen Dekolli", iu përgjigj Met Bozi pyetjeve të Prokurorit të Krimeve të rënda. Sipas të arrestuarit, ditën e ngjarjes ai nuk e dinte se cilët ishin viktimat, dhe se si kishte ndodhur ngjarja e kishte mësuar një ditë më vonë. Gjithashtu i pandehuri mohoi t'u kishte premtuar viza për në Amerikë të pandehurve të tjerë, ashtu siç është pretenduar nga i "penduari" Buzani në seancat e mëparshme.
Vrasja e policëve në pritën e Cërrikut
TIRANE - Gjashtë oficerë të Gardës së Republikës dhe policisë së shtetit gjetën vdekjen në mars 1997 në ngjarjen e njohur si "Masakra e Cërrikut". Grupet e gardës dhe policisë kishin marrë urdhër një ditë para ngjarjes, që të hynin në Cërrik me qëllim ringritjen e postës së policisë, e cila ishte shkatërruar nga grupet e armatosura. Të informuar për faktin se policia dhe garda ishin nisur dhe do të hynin në qytet, grupet e personave të armatosur, edhe me mitralozë dhe antitank, zunë pritë në tarracat e pallateve në qendër të qytetit. Nga këto pozicione personat e armatosur kanë hapur zjarr ndaj forcave të policisë që po ecnin në këmbë ndërsa kanë qëlluar me antitank blindin ku ndodheshin oficerët që gjetën vdekjen. Disa punonjës të tjerë të rendit u plagosën dhe u morën peng për disa ditë në këtë ngjarje.