E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni Per nje Shqiperi te paster ne mediat nderkombetare

Nuk ka kaluar pa u pasqyruar nga mediat ndërkombëtare sensibilizimi i bërë nga qeveria shqiptare për pastrimin e mjedisit më datën 20 prill. Agjencia Reuters përmes një reportazhi të titulluar “Mijëra pjesëmarrës në aksionin për një Shqipëri të pastër, flet se në këtë nismë do të përfshihen më shumë se 75 mijë qytetarë.
Duke u ndalur në plazhin më popullor të Gjirit të Lalzit në bregdetin Adriatik, reporterët e agjencisë Reuters kanë shoqëruar në ditën e diel, 200 vullnetarët e rinj që kanë përveshur mëngët dhe kanë marrë lopatat për të pastruar zonën. Aktivistët e grupit të shoqërisë civile “Korpusi i vullnetarëve shqiptarë” e kanë shpallur 22 prillin “Ditën e rebelimit kundër shkatërrimit dhe ndotjes së mjedisit. Ata kanë ndërmarrë veprime të ngjashme në të gjithë vendin. Më tej Reuters paraqet vizitën e kryeministrit Sali Berisha në një nga pikat e grumbullimit të mbeturinave në Kamëz, jashtë bashkisë së Tiranës, ku punëtorët vullnetarë kanë marrë pjesë në pastrim. Kryeministri premtoi, thotë Reuters, se do ta bëjë 20 prillin një ditë vjetore të pastrimit në kalendarin e Shqipërisë.
Drejtuesit e korpusit të vullnetarëve shqiptarë e shohin angazhimin e qeverisë në pastrim si një shenjë pozitive dhe presin që ajo të rrisë investimet në ndërtimin e impianteve të mbledhjes së mbeturinave të riciklimit si dhe impiantet për trajtimin e ujërave të zeza.
"Ne jemi këtu sot për të apeluar nëpërmjet punës. Për t’i apeluar qeverisë që të marrë vendim të mirë për mjedisin dhe për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit për të mos ndotur ambientin. Sepse kjo është Shqipëria jonë, ne duam të jetojmë këtu dhe ne duam që të jetë i pastër , "-thotë Anisa Ymeri.
Sipas medias lokale thekson agjencia e lajmeve Reuters, flitet se 75,000 vullnetarë do të marrin pjesë në pastrim.

Shqipëria, një vend që ka disa nga plazhet më të bukura në rajon, mbetet e penguar nga ndotjet përgjatë brigjeve ujore të saj, thuhet në reportazh. Deri tani 91 vende janë bashkuar fushatës për “Pastrimin botëror 2012 me moton së bashku për një botë më të pastër. Gjatë fundjavës së kaluar fushata masive të qytetarëve për pastrim janë zhvilluar përveç Shqipërisë edhe në Austri, Kroaci, Egjipt, Letoni, Lituani dhe SHBA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›