E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulet deficiti ne Eurozone shtohet borxhi

Në vitin 2011 në vendet e monedhës euro është regjistruar një ulje e deficitit buxhetor, që sipas të dhënave të publikuara nga zyra europiane e statistikave nga 6,2% në total për eurozonën, ka shkuar në 4,2%. Por në të njëjtën kohë sipas Eurostat borxhi publik ka shënuar një rritje në raport me PBB të Eurozonës. Nga 85% i GDP-së në vitin 2010 borxhi publik ka shkuar në 87,2% në fund të vitit të kaluar. Nga vendet me borxhin më të lartë në vendet e bashkimit monetar rezulton Greqia me një raport borxh/PBB në 165,3% e ndjekur më pas nga Italia me një borxh në 120,1%, Portugalia në 107,8%, Belgjika në 98%, Franca në 85,8% dhe Gjermania 81,2%.
Te tjera të dhëna statistikore shfaqin një rënie të aktivitetit ekonomik në Eurozonë. Në muajin prill indeksi i Markit që mat ecurinë e aktiviteteve ekonomike shënon ulje në nivelin poshtë normales së 47,4 pikëve, duke shkuar kështu poshtë parashikimeve të ekonomistëve europianë. Ndërkohë sipas Markit, të dhënat e muajit aktual mbi sektorët e ekonomisë kanë regjistruar rënien më të madhe në pesë muajt e fundit duke treguar një nivel recesioni. Në detaj indeksi që lidhet me sektorin e shërbimeve ka rënë me gati 2 pikë në 47,9 pikë, ndërsa sektori industrial qëndron në nivelin e 46 pikëve nga 47,7 të shënuara në muajin mars. Por sipas këtyre statistikave ajo që ka zhgënjyer më shumë është Gjermania me një hap mbrapa shumë të madh. Ekonomia e parë e Europës ka shënuar një rënie të indeksit mbi aktivitetin ekonomik në nivelin e 50,9 pikëve, më i ulëti që nga viti 2009. Sektori industrial gjerman ka prekur kufirin e 46,3 pikëce, ndërsa indeski i shërbimeve qëndron më lartë nivelit normal të 52,6 pikëve. Nuk shfaqen më mirë edhe të dhënat mbi Francën, ku ecuria e sektorit të shërbimeve dhe atij industrial kanë rënë poshtë kuotës së 50 pikëve, duke regjistruar minimumin në gjashtë muajt e fundit.
Ndërkohë analistët e Markit shohin një përkeqësim të këtyre shifrave edhe në pjesën e dytë të 2012-ës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›