E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni anti-drogë, pranga presidentit të klubit të Elbasanit

Nga Bledar Lumani

Nëpërmjet një operacioni special, Drejtoria e Antikrimit të Organizuar ka arrestuar 4 persona, mes të cilëve figuron edhe presidenti i klubit të Elbasanit, Arben Laze.

Aksioni i zhvilluar në qytetet e Elbasanit, Lushnjës dhe Fierit ka vënë në pranga edhe vëllain e tij, Fatjon Laze.

Sipas të dhënave të para, aksioni nisi në momentin që në vendin e quajtur “Kthesa e Divjakës”, shtetasi Shkëlqim Hyzma u kap me një sasi prej 1 kilogramësh e 43 gramësh heroinë.

Sipas burimeve të policisë, arrestimi i tij u krye nga ana e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, në vendin e quajtur Kthesa e Divjakës-Sektor Çermë. Kjo, duke qenë se gjatë kontrollit në automjetin e tij, tip “Benz”, me targë TR 5260 G, iu gjet sasia prej 1 kilogramësh e 43 gramësh heroinë. Hetimet për Hyzmon do të kryhen nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, teksa ai do të procedohet penalisht për veprën e “Prodhimit, shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”. Sakaq, po për trafik të lëndëve narkotike, policia e kryeqytetit ka ndaluar 34-vjeçarin Arben Duraj, lindur dhe banues në qytetin e Fierit. Kjo, pasi ndaj këtij të fundit Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte lëshuar një urdhër-arresti për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”

Ndërkohë, mësohet se të arrestuarit akuzohen për ngritjen e organizatës kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge. Uniformat blu bëjnë me dije gjithashtu se të arrestuarit po hetoheshin prej rreth 5 muajsh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›