E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, pakt për “Prokurorinë”

 

BLEDAR HOTI

Socialistët dhe de-mokratët pritet të arrijnë një konsensus në lidhje me projektligjin “Për organizimin e Prokurorisë”.Opozita pritet të rikthehet në Komisionet Parlamentare, duke i dhënë fund bojkotit të saj disaditor. Miratimi i dekretit të Presidentit për Kodin Zgjedhor nga Komisioni i Reformës ka bindur socialistët që të bëjnë hapa prapa për t’iu rikthyer institucionit që merret me votimin e ligjeve. PS-ja pritet të jetë e pranishme në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, për të diskutuar për projektligjin e ri “Për organizimin e funksionimin e Prokurorisë”. Sipas burimeve mësohet se opozita pritet të jetë e pranishme në mbledhjen e orës 10:00, për të shprehur qëndrimin e saj në lidhje me këtë projektligj. Dy ditë më parë, Komisioni Parlamentar i Ligjeve kishte programuar diskutimin e këtij drafti, por mungesa e deputetëve të opozitës bëri që të shtyhet një projekt i tillë. Socialistët pritet të japin konsensusin e tyre në lidhje me këtë projektligj të qeverisë, duke pretenduar që të realizohet ndryshimi i disa prej neneve të kontestuar prej tyre, apo prej grupeve të interesit. Gjatë këtyre ditëve mësohet se ndërmjet socialistëve dhe demokratëve janë zhvilluar negociata për arritjen e një pakti politik, për çështjet madhore siç janë Kodi Zgjedhor (dekreti i Presidentit) dhe projekti i qeverisë “Për organizimin e funksionimin e Prokurorisë”. Mbledhja e komisionit të posaçëm parlamentar duket se i ka dhënë zgjidhje edhe çështjes së votimit të projektligjit të Prokurorisë. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët do të japin mendimet e tyre për këtë draft të qeverisë. Nenet më të debatueshme janë 17 dhe 27. Përfaqësues të Prokurorisë kanë deklaruar se rrisin varësinë e këtij institucioni të pavarur, duke e lënë në varësi të Ministrit të Drejtësisë. Në nenin 27 të këtij projektligji theksohet se “është Ministri i Drejtësisë që paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit, raport me shkrimin për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë”. Në të theksohet se “raporti përmban të dhëna të përgjithshme për çështjet”, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm mund të mbajë një qëndrim në lidhje me qëndrimet e Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa neni 17 lidhet me shkarkimin e prokurorëve dhe të drejtën e ankimit në Gjykatën e Lartë. Ky vendimi nuk mund të jetë kthim në detyrë por vetëm marrje page në formë shpërblimi. Projekti i qeverisë miratohet në këtë fundviti, kur mungojnë institucionet ndërkombëtare si Euralius dhe OPDAT. Këtu dy organizma kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me këtë projektligj kaq shumë të debatuar ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. PD dhe PS duket se kanë shmangur këto dy organizma, për të treguar se kanë një vullnet politik dhe se nuk kanë nevojë për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Kjo për shkak se dy ditë përpara mbylljes së sesionit parlamentar, dhe të këtij fundviti, socialistët priten ta votojnë në seancën parlamentare të datës 29 ose 30 dhjetor.

LSI, Xhufi: Ligji për Prokurorinë, presion ndaj hetimit të korrupsionit

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, e cilësoi të pajustifikueshëm nxitimin e qeverisë për të miratuar në Kuvend tani ligjin për Prokurorinë. “Padyshim është sërish nxitimi i zotit Berisha, i cili dëshmon se edhe këtë ligj e koncepton si mjet shantazhi dhe presioni ndaj organit të Prokurorisë sepse një ligj i tillë, që ka pasur një histori shumë të turbullt dhe i kontestuar që kur u hodh si ide në muajin shtator të këtij viti, dhe pastaj kur paraqiste draftin i parë përmes medias shkaktoi reagime dhe pa pasur absolutisht asnjë zhvillim, debat apo konfrontim të palëve të interesuara për një ligj të tillë, pra nga organet e prokurorisë, drejtësisë dhe paraqitet me nxitim në komision dhe pas tij po me shpejtësi në seancë, fsheh një synim të mbrapshtë për të kërcënuar prokurorinë dhe për të ushtruar presion mbi dhe për të lënë të pa zbardhura deri në fund ato raste të rënda korrupsioni qeveritar”, tha Xhufi. Sipas tij, “LSI e ka kundërshtuar draftin e paraqitur në shtator edhe me Partinë Socialiste, ku Edi Rama kërkonte ta bënte ligjin e Prokurorisë kalin e betejës të PS-së”. “Ne jemi plot dyshime dhe skepticizëm edhe ndaj këtij projektligji të paraqitur nga qeveria, në një shqyrtim të parë janë gjetur dispozita që janë të papranueshme dhe të lejueshme dhe që bien ndesh edhe me rolin dhe funksionin kushtetues të prokurorisë, që prish balancat e tij me organet e tjera të gjyqësorit dhe në këtë kuadër ne do të ofrojmë një opozitë të fortë ndaj këtij projektligji”, tha Xhufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›