E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i akuzës, pikat e kundërshtuara

 

Trazhgim Sokolaj

Heqja e imunitetit ka qenë një nga pikat me të kritikuara dhe të kundërshtuara nga prokurorët në draftin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Kjo pikë e projektligjit është kundërshtuar, që në momentin e parë kur drafti në rrugë jozyrtare u bë publik në shtator të këtij viti. Dy përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme në grupin e punës, por edhe Shoqata e Prokurorëve, madje edhe vetë Kryeprokurorja Ina Rama, deklaruan se prokurorët në të vërtetë nuk kanë një imunitet të mirëfilltë. Ligji aktual nuk garanton mbrojtje për të ndaluar arrestimin e tyre në rast se kryejnë vepër penale, por për të shmangur sulmet apo veprimet arbitrare të tyre, kërkon që brenda 24 orëve nga ndalimi i Prokurorit, të kërkohet autorizim nga Prokurori i Përgjithshëm. Nëse ky i fundit nuk aprovon mbajtjen në arrest të prokurorit, ai lirohet nga arresti. Heqja e imunitetit u konsiderua nga prokurorët si një ekspozim i tyre ndaj incidenteve të rrugës apo veprimeve arbitrare, që organet në varësi të ekzekutivit mund të ushtrojnë në momente të caktuara.
Shkarkimi
Një tjetër pikë e draftit të ndryshimeve në ligjin e Prokurorisë, e cila është kundërshtuar deri në mospranim, është dispozita nr.17 e projektit. Një dispozitë e tillë parashikon që në rast se gjykata e konsideron të padrejtë shkarkimin e një prokurori, ai nuk rikthehet në detyrë, por merr një shpërblim. Prokurorët e konsideruan këtë si një rrezik, duke pohuar se një parim i tillë nuk qëndronte as në frymën kushtetuese, pasi ligji themeltar i shtetit përcjell idenë e kompensimit për dëmin, që është shkaktuar ndaj çdo shtetasi. Prokurorët shkuan më tej, duke e konsideruar përcaktimin në fjalë si një paragjykim ndaj tyre derisa gjyqtarët kanë të drejtën e kthimit në detyrë, në rast se shkarkimi konsiderohet i padrejtë. Imuniteti dhe kjo dispozitë nuk ishin të kritikuara vetëm nga prokurorët, por qëndrime të distancuara dhe me kërkesën për ripunim kanë mbajtur edhe misioni evropian EURALIUS dhe ai amerikan OPDAT.
Ministri i Drejtësisë
Zgjerimi i kompetencave dhe mundësive të kontrollit të ministrit të Drejtësisë mbi organin e akuzës, përmes draftit të ndryshimeve në ligj, është një tjetër pikë e kundërshtuar ashpër. Prokurorët dhe vetë organi qendror i akuzës, e konsideruan nenin në fjalë si një dispozitë që i jep mundësi Ministrit të Drejtësisë të ndërhyjë në punën e prokurorëve dhe të institucionit të akuzës. Duke shkuar më tej në kundërshtimet e tyre, përfaqësuesit e akuzës thanë, se dhënia e të drejtës për ministrin, që të kontrollojë Prokurorinë dhe të paraqesë raport në Parlament me detyrimin për replikë nga Prokurori i Përgjithshëm, bëhet shkak për përfshirjen në debate politike të këtij të fundit.

Pikat e kundërshtuara

Neni 17 i draftit
Kundër masës disiplinore “shkarkim nga detyra”, prokurori mund të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa prokurori pranë kësaj gjykate, në Gjykatën e Apelit më të afërt. Kur gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos t’i japë prokurorit, nëse është e nevojshme, një shpërblim të drejtë

Neni 18 i draftit
Neni 36 i ligjit aktual, shfuqizohet

(Neni i shfuqizuar parashikonte se në rast arrestimi apo ndalimi të prokurorëve, një veprim i tillë nuk mund të bëhet pa autorizim nga prokurori i Përgjithshëm me përjashtim të kushteve të flagrancës, por edhe në këtë rast autorizimi kërkohej brenda 24 orëve)

Neni 27 i draftit
Parashikon se ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni edhe prokurorin e Përgjithshëm.

Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtën të paraqesë në Kuvend mendimin e tij në lidhje me raportin e dërguar nga ministri i Drejtësisë.

Mbi bazën e rezultateve të kontrollit, Ministri i Drejtësisë kur është rasti paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore prokurorit të Përgjithshëm. Ky i fundit shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të         

Topalli: Të injektojmë në Shqipëri institucionin e pendesës

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në ditën e Krishtlindjeve i është rikthyer çështjes së “Dosjeve”, ligj i cili u miratua këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë me votat e maxhorancës. Kryetarja e Kuvendit vlerëson se pas 20 vjetësh të përmbysjes së regjimit komunist, në Shqipëri duhet të aplikohet pendesa si shprehje e civilizimit të shqiptarëve. Sipas saj, kjo është më lehtë të aplikohet në vend. “Mendoj se është diçka më e madhe, është problem i ndërgjegjes shoqërore. Unë nuk jam as psikologe, as kam studiuar për filozofi. Nuk di sa thellë në ndërgjegjen e kombit e kemi pendesën. Unë do të doja shumë të besoja që ky komb e ka pendesën si proces në ndërgjegjen e tij. Besoj kemi kaluar vitet më të tmerrshme, më çnjerëzore në historinë e kombit tonë dhe kanë kaluar 20 vjet dhe unë s’kam dëgjuar ende njeri të kërkojë të falur. Po në të njëjtën kohë unë s’kam parë kurrë dhe as kam dëgjuar ndonjëherë se një i burgosur, i internuar apo një fëmijë e një të pushkatuari, të ketë kërkuar hakmarrje. Kjo e dyta është vlerë për kombin tonë por ne duhet të injektojmë edhe pendesën si shprehje e civilizimit. Të kërkosh të falur për krimet gjysmë shekullore nuk është ç’burrëri, ajo është forcë, është kurajo, është guxim për t’u përballur me ndërgjegjen personale”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Këtë deklaratë zonja Topalli e bëri gjatë vizitës së saj në Katedralen e Shkodrës, me rastin e Krishtlindjes. Kryetarja e Kuvendit e rrethuar me përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare, shumë prej të cilëve vuajtën mbi supet e tyre përndjekjet më çnjerëzore të regjimit komunist, foli edhe mbi çështjen e rikuperimit të ndërgjegjes shoqërore për vitet e diktaturës më të egër komuniste. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, duke vlerësuar ligjin që maxhoranca parlamentare sapo miratoi, u shpreh se zbatimi i tij do të shërbejë për një rikuperim të ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare. “Në këtë aspekt besoj se ligji që miratuam së fundmi është vetëm një pjesë e një procesi të madh, e një institucioni të pendesës dhe e rekuperimit të ndërgjegjes për shoqërinë shqiptare. Unë shpresoj që shoqëria shqiptare do të fillojë të përpunojë institucionin e pendesës”, tha Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›