E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton ndryshimet në Kod, shuhen shpresat për LSI

Nga Armand Maho

Komisioni i Reformës Zgjedhore ka miratuar dje me konsensus, ndryshimin në Kodin Zgjedhor të propozuar nga Presidenti i Republikës. Tashmë, data e zgjedhjeve do të miratohet nga Presidenti i Republikës, jo më vonë se 7 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit, i cili, me sa duket, do të miratohet në Kuvend brenda kësaj jave, me qëllim që të kryhet brenda afateve kushtetuese, ashtu siç e kërkon dhe Kushtetuta e vendit. “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës për Kuvend të vitit 2009, jo më vonë se 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me pikën 1 të nenit 9 të këtij Kodi. Me miratimin e kësaj dispozite Komisioni i Reformës Zgjedhore përfundoi punën e tij për shqyrtimin e dekretit. Raporti i Komisionit do t’i paraqitet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim”, - thuhet në një njoftim të dërguar nga Zyra e Shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës vetëm pak kohë më parë e ktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend, me pretendimin se bie ndesh me Kushtetutën, pasi afati kohor prej nëntë muajsh për dekretimin e zgjedhjeve, siç parashikonte Kodi, binte në kundërshtim me Kushtetutën, pasi zgjedhjet duhet të zhvillohen tre muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual, që i bie diku rreth shtatorit. E thënë ndryshe, qershori është afati i fundit kur mund të zhvillohen zgjedhjet. Të njëjtin pretendim arsyetoi dhe vetë Topi gjatë përgjigjes së tij një ditë më pas i pyetur nga gazetarët. “E kam kthyer për rishqyrtim në parlament Kodin e ri, duke kërkuar një kalkulim të kohës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Sipas ndryshimeve kushtetuese, ku në grupin negociator kam qenë edhe unë, vlerësohet se zgjedhjet politike bëhen nga 15 marsi deri në fund të qershorit dhe ato lokale, në vjeshtë. Në Kod ka një klauzolë që shpreh detyrimin e presidentit në funksion të kohës për dekretuar datën e zgjedhjeve. Sipas Kodit, presidenti është i detyruar që jo me afër se 9 muaj të dekretojë datën e zgjedhjeve. Nëse bëhen llogari të thjeshta, kuptohet se zgjedhjet duhet të zhvillohen në vjeshtë”, - sqaroi Topi mediat. Por, në fakt, nga ana e mazhorancës kjo lëvizje u konsiderua si një favor që presidenti i republikës i bënte LSI për të fituar kohë, pasi Kodi i ri Zgjedhor e përjashton këtë forcë politike nga e drejta për të pasur komisionerë. Ky ka qenë një propozim i PS, deri dje aleate me LSI.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›