Pas vizitës së përfaqësuesve të ambasadës së SHBA, Berisha: “TemA”, jashtë brenda 15 ditësh
Një ditë pasi në ambientet e redaksisë së gazetës “TemA” mbërritën përfaqësuesit e ambasadës amerikane për t’u njohur me shqetësimet e shoqërisë “Mediasoft”, e cila boton këtë gazetë dhe ka në pronësi dhe një shtypshkronjë, kryeministri është përgjigjur duke përshkallëzuar qëndrimin e tij. Dje në median tonë ka mbërritur urdhri se ambientet duhet të lirohen brenda 15 ditësh. Një ditë më parë, në shkresën që mbërriti pak para se zyrtarët e ambasadës amerikane të nisnin inspektimin, thuhej që të merreshin masa për largimin nga ambientet pas prishjes së kontratës në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Ekonomisë. Ndërsa dje, shkresa theksonte se ambientet duhen liruar brenda 15 ditësh. Bëjmë me dije se bëhet fjalë për zhvendosjen e një shtypshkronjë, çka kërkon muaj dhe kosto të madhe financiare. Gazeta “TemA”, në përmbushje të një kontrate të rregullt, ka kryer investimet e nevojshme në këto ambiente. Edhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane thanë se nuk shohin arsye se pse “TemA” duhet të largohet nga ato ambiente. Ata e quajnë këtë si një cenim të lirisë së medias dhe paralajmëruan se një gjë e tillë do merrej seriozisht prej tyre. Ndërkohë, ashtu siç dhe ka paralajmëruar, gazeta “TemA” ka nisur procedurat ligjore pranë gjykatës, e cila është dhe organi ligjor që vendos për prishjen e një kontrate.