Dogana “fal” borxhet e bizneseve
POGRADEC - Drejtoria e Doganës së Qafë Thanës ka bërë bilancin e debitorëve të saj duke i ballafaquar me ligjin më të ri të amnistisë së debitit dhe kamatëvonesat. Drejtori Jaçe Hysolli deklaroi se 59 subjekte private do të përfitojnë falje të detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesat. Ndërsa 30 subjekteve të tjera iu falen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda 6 muajve të paguajnë detyrimet doganore të prapambetura. Sipas tij, për 9 subjekte private të mëdha, që kanë edhe pjesën më të madhe të borxheve ndaj shtetit, pranë kësaj dogane do të vazhdojë përballja me ligjin mbasi çështja e tyre ka shkuar në gjykatë. Parlamenti shqiptar më 11 shtator 2008, hartoi e miratoi ligjin 9986, në të cilin sanksionohet amnistia e një pjese të borxheve të prapambetur. Sipas Hysollit në Doganën e Qafë Thanës, nga viti 1992, deri më 11 shtator 2008, datë që përkon me daljen e ligjit të mësipërm, kanë borxhe 98 subjekte private. Prej tyre, 59 subjekte përfitojnë nga ligji faljen e detyrimeve doganore, të gjobave dhe të kamatëvonesave, me një vlerë prej më shumë se 23 milionë lekë. Ndërsa 30 subjekte të tjera përfitojnë faljen e gjobave dhe të kamatëvonesave, me një vlerë prej më shumë se 16 milionë lekësh. j.gj