Pitela: “Jepini zgjidhje krizës politike duke bërë transparencën e zgjedhjeve të kaluara”
Eneida Jaçaj
Zëvendëskryetari i Parlamentit Europian, Xhani Pitela, i ka bërë thirrje maxhorancës dhe opozitës të zgjidhin sa më shpejt krizën politike. Pitela vlerësoi që të bëhet transparencë mbi zgjedhjet e kaluara në mënyrë që manipulimet mos të përsëriten në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkaq, Pitela deklaroi se Shqipëria është ende larg standardeve për të hyrë në Bashkimin Europian dhe fatkeqësisht klima politike nuk po ndihmon për integrimin e Shqipërisë. Eurodeputeti italian është gjendur dje në një takim me intelektualë të qytetit të Vlorës, ndërsa do të qëndrojë dhe për disa ditë për një vizitë private në Shqipërim gjatë së cilës mësohet se do të vizitojë bregdetin shqiptar. Të pranishëm ishin edhe deputetët socialistë, Taulant Balla, Fatmir Toçi, Besnik Baraj dhe konsulli italian në qytetin e Vlorës, Serxho Strozi.
Transparenca
Zv.kryetari i Parlamentit Europian përcolli sërish mesazhin e fortë për transparencë të zgjedhjeve të shkuara, ndërsa zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të rregullta, pasi këtu është në lojë hyrja e Shqipërisë në BE. “Shumë eksponentë politikë kanë dhënë mesazhe për politikën, kemi dhënë mesazhe të forta. Edhe sot (dje) unë thashë që rruga e Shqipërisë për në BE është që të bëhet qartësim për çfarë ka ndodhur me votat e kontestuara prej socialistëve dhe të bëhet e mundur që këto gjëra mos të ndodhin në fushatën e ardhshme, pasi është një lojë që lojtarët duhet ta luajnë në mënyrë të barabartë. Zgjedhjet duhet t’i fitojë ai që i meriton. Këtu nuk është në lojë fati i Edi Ramës apo Berishës, por i hyrjes në Bashkimin Europian”, - nënvizoi Pitela. Ai bëri thirrje që dy kampet politike të bëjnë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar. “Dua të bëj thirrjen time që zgjedhjet e ardhshme të jenë të rregullta dhe transparente, ndërsa për ato të kaluarat duhet të ketë një transparencë. Zgjedhjet duhet t’i fitojë ai që i meriton. Këtu nuk është në lojë fati i Edi Ramës apo Berishës, por i hyrjes në Bashkimin Europian”, - tha Pitela.
Integrimi
Pitela bëri të qartë se Shqipëria do të mund të bëhet pjesë e BE-së vetëm kur të plotësojë të gjitha kriteret. “Ne kemi kriteret e Kopenhagës që janë rregulla të cilat i përkasin ekonomisë, ligjit për ambientin e drejtësinë. Çdo kandidat në Bashkimin Evropian mund të hyjë kur të arrijë standardet, por Shqipëria është larg standardeve ende”, - tha zv.kryetari i Parlamentit Europian. Si mik i socialistëve dhe i Shqipërisë, Pitela dha se do të jepte ndihmesën e tij për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa u dha dhe një këshillë socialistëve që kryefjalë të tyre të kenë Europën. “Ne duhet të jemi socialistë të Europës me qëllim që Shqipëria të ketë Europën”, - theksoi Pitela.
Nëse maxhoranca nuk do të shprehë vullnetin e saj për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka paralajmëruar një aksion më të madh politik në muajin shtator, duke risjellë si opsion zhvillimin e protestave.
Ai i porositi gazetarët që të pushojnë sa më mirë se në shtator do të ketë shumë punë.
Lideri i opozitës vlerësoi se, pa dyshim, protestat janë pjesë e rrugës së tyre opozitare.
"Në këto kushte ne na takon të jemi zëri i të vërtetave të thjeshta e pa dyshim të jemi zëri i protestës. Protestat janë pjesë e rrugës sonë opozitare në kushtet kur jetojmë në një Shqipëri, ku jo vetëm janë vjedhur zgjedhjet, por përditë e më shumë vidhet pasuria e përbashkët", - është shprehur kreu i opozitës. Megjithatë, edhe në këto ditë të nxehta vere negociatat për zgjidhjen e krizës politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike vazhdojnë. PS-ja ka shprehur gatishmërinë e saj për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor. Ajo akuzon maxhorancën se nuk ka vullnet të zbatojë Rezolutën e Parlamentit Europian.
6 Gusht 2010