E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhet e ndotura, operatorët turistikë protestojnë kundër mbylljes



Ervin KOÇI

Ndotja ekstreme e disa prej plazheve më popullore të bregdetit shqiptar, nuk do të thotë kurrsesi mbyllje, për pronarët e hoteleve dhe restoranteve buzë tyre. Me dhjetëra prej tyre kanë protestuar dje ndaj vendimit për mbylljen e këtyre plazheve dhe moslejimin e frekuentimit nga pushuesit në to. Në zonën e Shkëmbit të Kavajas dhe në atë të plazhit të Golemit, pronarët e hoteleve dhe restoranteve kanë zhvilluar një protestë 1-orëshe, duke paralajmëruar autoritetet që të mos “guxojnë” as ta mendojnë mbylljen e tyre. Sipas shumë prej tyre, raportet e nxjerra nga Ministria e Mjedisit apo dhe nga ajo e Shëndetësisë për ndotjen në plazhe “janë të qëllimshme dhe kërkojnë largimin e pushuesve nga këto plazhe masive dhe të lira, drejt atyre të zonave elitare dhe më të kushtueshme”. Nga ana tjetër ajo çka është dhe më shqetësuese në këto plazhe është fakti se, me gjithë ndotjen tepër të lartë, pushuesit vazhdojnë ende t’i frekuentojnë ato. Ndërkohë, raporti i Ministrisë së Mjedisit dhe Institutit të Shëndetit Publik për ndotjen në plazhe, sugjeronte edhe mbylljen e disa prej plazheve më të populluara të vendit. Raporti monitorues i rendit të gjitha problemet e ndotjes së plazheve, ku në listë vendin e parë të papastërtive e zënë derdhjet ilegale të ujërave të zeza në det. Por edhe mbeturinat që shpesh i shoqërojnë pushuesit në plazhe, në rrugë kryesore, e pranë mjedisit ku qëndrojnë, kthehen në kërcënim për shëndetin.

Raporti
Sipas raportit vlerësues dhe monitorues të ndotjes në plazhe, një tjetër problem që hasin pushuesit në plazhet shqiptare janë edhe shëtitjet e tregtarëve me kafshë përgjatë vijës bregdetare. Sipas raportit, në Durrës, në zonën e bërrylit, aty ku ndodhen një sërë lokalesh dhe restorantesh, rëra e plazhit ka një ngjyrë të errët dhe erë shumë të rëndë. Rezultati i analizave bakteriologjike të bën të mendosh se duhet të ketë ndonjë shkarkim ujërash të zeza që derdhen në mënyrë të fshehtë. “Plazhi i Currilave ka degraduar plotësisht dhe në gjendjen që është duhet të mos përdoret për qëllime pushimi. Mendojmë se zona Skelë në Vlorë, deri te Plazhi i Ri, duhet që të ndalohet për larje, sepse përbën rrezik të lartë për shëndetin e popullatës deri sa të merren masa për rregullimin e gjendjes”,- sqarohet në raportin e monitorimit. Sipas konstatimeve, në Sarandë, gjysma e lagjes 4, Limion, nuk ka kolektor të ujërave të zeza, të lidhur me kolektorin kryesor dhe një pjesë e ujërave të këtyre pallateve të reja derdhen në det pa asnjë trajtim. Analizat bakteriologjike tregojnë se ujërat urbane të qytetit të Lezhës, nëpërmjet stacionit të pompimit që ndodhet pranë lumit Drin, derdhen në det në zonën e lagunës së Kune Vainit, pa asnjë lloj trajtimi. Zona e Kune Vainit është zonë turistike me bukuri të pakrahasueshme natyrore, që mund të shërbejë për zhvillimin e turizmit bregdetar për qytetin e Lezhës. Shpeshherë në plazhin e Velipojës dhe të Shëngjinit vihen re kafshë shtëpiake si lopë, që kullosin në pirgjet e plehrave në plazhe. Në plazhin e Golemit dhe në zona të tjera të plazhit të Kavajës, vërehen fshatarë që shesin fruta e perime me kafshë, duke kaluar në mes të plazhit, mes pushuesve. “Në plazhin e Golemit, shkarkimet e ujërave urbane të fshatit Golem dhe nga shkrimet e pakontrolluara të ujërave urbane në përroin e Agait e në kanalin e ujërave të larta që përshkon këtë plazh, gjendja është alarmante”,- referon raporti.

Analizat
Deri në korrik 2010 janë kryer 3 seri analizash, si dhe është kryer inspektimi higjieno-sanitar për përcaktimin e burimeve të ndotjes. Nga inspektimi i kryer në plazhe u konstatua se e gjithë zona turistike e gjirit të Durrësit dhe Kavajës veçanërisht, por edhe zonat turistike Velipojë, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë janë përfshirë nga ndërtime të shumta përgjatë vijës bregdetare, duke vazhduar rritjen e pakontrolluar të popullsisë në këto zona. Ky fenomen është mjaft shqetësues dhe më i dukshëm në plazhin e Durrësit e të Kavajës, por kohët e fundit është bërë i tillë edhe për plazhin e Sarandës, Shëngjinit e Vlorës.

Kanalizimet
Mungesa e rrjetit të kanalizimeve dhe ujërave të përdorura dhe urbane në këto zona, rrjeti i shërbimeve, restoranteve, hoteleve dhe një pjesë e mirë e pallateve të reja të ndërtuara, kanë bërë që ato të funksionojnë me gropa septike. Shumë prej tyre, në mënyrë ilegale i derdhin ujërat e zeza në kanalet e ujërave të bardha, ose direkt në det, duke u bërë burime potenciale të ndotjes së ujërave të detit. Në disa zona, si në plazhin e Durrësit, megjithëse ka rrjet kanalizimesh të ujërave urbane, kapaciteti i tyre është i vogël dhe shpesh ujërat e zeza dalin në sipërfaqe duke rrjedhur të lira në det. Përgjatë rrugëve kryesore dhe në zona të ndryshme të plazheve ka pirgje me mbeturina urbane dhe mbeturina inerte, të cilat bëhen shkak për ndotjen e mjedisit, duke ndikuar negativisht te pushuesit që frekuentojnë plazhet. Ky fenomen është mjaft i dukshëm thuajse në të gjitha plazhet. Sakaq, ekspertët sqarojnë se inspektimet janë kryer së bashku me inspektorët sanitarë dhe ndihmësinspektorë të rretheve përkatëse.

BOX/////////////////////////
Divjakë, plazhi i ndotur

Plazhi i Divjakës mund të përmendet si një nga plazhet më të ndotura në vendin tonë, por sërish ai mbetet mjaft i frekuentuar. Dikur, hapësira e pamasë e rërës dhe deti ishin mjaft të pastra, por sot të lahesh në detin e Divjakës është vërtet një sipërmarrje e vështire për të gjithë. Ka edhe nga ata të huaj që e vizitojnë çdo vit Divjakën, por shija që u mbetet në fund i bën të mos kthehen më, sepse duhet punë për të mbajtur pastër një det të mrekullueshëm si ai i Divjakës. Mbeturinat e hedhura në pyll janë një tjetër problem shqetësues që duhet zgjidhur nga ana e njësisë bashkiake, e cila duhet të jetë më pranë pushuesve. Plazhin e Divjakës e frekuentojnë çdo ditë në këtë periudhë mbi 1000 automjete dhe mbi 6 mijë pushues, por kapacitetet e pritjes në hoteleri nuk janë të mëdha. Kabinat janë një tjetër problem sepse duhen rikonstruktuar. Në plazhin e Divjakës ushtrojnë aktivitetin e shërbimeve rreth 80 lokale të cilat i paguajnë një shumë mjaft të kripur njësisë vendore, e cila mjaftohet vetëm me heqjen e një pjese të mbeturinave nga kontejnerët dhe nuk ka një politikë të qartë zhvillimi për këtë perlë të natyrës shqiptare.

Vlorë, pushuesit mbushin Plazhin e Ri

Mijëra pushues kanë mbushur plazhin publik të Vlorës që nga dita e parë e muajit gusht. Shumica që frekuentojnë këtë plazh janë pushues që vijnë nga rrethet e tjera të vendit.
Pushuesit në plazhin publik të Vlorës kanë vite që zgjedhin të kalojnë këtu pushimet duke ardhur madje edhe nga shtetet e tjera ku jetojnë e punojnë. Gjithsesi pushuesit preferojnë plazhin publik të Vlorës dhe hotelet përreth tij apo shtëpitë private që serviren si kabina plazhi në vend që ti drejtohen Radhimës apo Dhërmiut e Himarës.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›