E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Vasili: “Koalicioni PD-LSI nuk ka pësuar çarje”



Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk kanë ndarë të njëjtin qëndrim për dy çështje mjaft të rëndësishme, siç janë projektligji për Shërbimin Informativ Shtetëror dhe marrëdhënia me Presidentin e Republikës. Megjithatë, ky koalicion qeveritar nuk ka pësuar çarje. Kështu ka deklaruar nënkryetari i LSI-së, njëherësh ministër i Shëndetësisë, Petrit Vasili. LSI paralajmëron të njëjtin pozicionim edhe në shtator, por kjo, sipas Vasilit nuk është tregues i një krize mes palëve, por i dimensionit të ri të bashkëjetesës brenda një kabineti të dy forcave përfaqësuese të kaheve të ndryshme politike. “Ekzigjenca për të pasur një ligj sa më të mirë për SHISH-in sot është më i domosdoshëm se kurrë. Çdo ditë reflektimi është pozitive. Shqipëria ka një llogore për luftën ndaj krimit të organizuar dhe ky ligj duhet t’i shërbejë kësaj lufte. Dhe çdo ligj i mirë i bën mirë jo vetëm Shqipërisë, por edhe aleancave në të cilat bën pjesë”, - deklaroi Vasili. I njëjtë do të jetë edhe qëndrimi për Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në të kundërt të demokratëve, LSI-ja ka një gjuhë më të zbutur dhe bashkëpunuese. “Ka mjaft mundësi për një bashkëpunim në përputhje me Kushtetutën. Kahja jonë e të folurit ka qenë bashkëpunim mes institucioneve në respektim të Kushtetutës”, - tha Vasili. Pavarësisht pozicioneve, Vasili, në kundërshtim me atë që kanë deklaruar socialistët, nuk sheh asnjë krizë votash në gjirin e shumicës aktuale.
“Reminishencave të maxhorancave të rrethuara rreth partisë kryesore u ka ikur koha, pasi s’jemi me në vitin ’90, por në një kohë tjetër”, - theksoi ai. Nënkryetari i LSI-së, problemin e vërtetë e sheh te mënyra e funksionimit të opozitës, e cila, sipas tij, duhet të bashkëpunojë në të mirë të vendit, por duke bërë më parë një analizë të detajuar të rrugës që ka ndjekur deri tani. Për Vasilin radikalizimi sërish i qëndrimit të socialistëve do të ishte një hap edhe më i madh pas. “Gjithë mjedisi europian na ofron modele të tilla të të bërit të opozitës dhe ne duhet t’i përdorim ato”, - përfundoi Vasili.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›