E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, hiqet taksimi i dyfishtë për biznesin shqiptar dhe atë qipriot



Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Republikën e Qipros për shmangien e taksimit të dyfishtë që do të sjelle përfitime të ndërsjella për biznesin shqiptar dhe atë qipriot. Zv.kryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë një vizite zyrtare në Qipro, u takua dhe zhvilloi bisedime me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Qipros, Markos Kyprianou. Përveç nënshkrimit të marrëveshjes, dy zyrtarët e lartë diskutuan mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe intensifikimit të tij në fusha me interes reciprok. Ata shprehen dëshirën e përbashkët për të zgjeruar veprimtarinë e biznesit, rritjen e investimeve, krijimin e një klime më të favorshme për shkëmbimet ekonomiko-tregtare, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor midis dy vendeve tona. Dy zyrtarët e lartë vunë theksin, gjithashtu, në nxitjen e bashkëpunimit të deritanishëm në fushën e turizmit, bujqësisë, kulturës, arsimit, dhe në mënyrë të veçantë në fushën e shëndetësisë, sidomos në drejtim të asistencës për talaseminë etj. Në këtë kontekst, ministri i Jashtëm qipriot shprehu gatishmërinë për të venë në dispozicion mbi 100 bursa në vit për studentët shqiptarë, një pjesë e të cilave do të jenë në degën e administrim hotelerisë. Lidhur me ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë, ministri i Jashtëm qipriot rikonfirmoi mbështetjen aktive të vendit të tij dhe shprehu vullnetin për t’i ofruar palës sonë asistencë teknike në procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, për të nxitur më tej dialogun dhe shkëmbimet institucionale mes dy MPJ-ve, bashkëbiseduesit ranë dakord për nënshkrimin e një protokolli të veçantë, me synim institucionalizimin e bashkëpunimit diplomatik, realizimin periodik të konsultimeve politike mes dy ministrive të Jashtme etj. Ata theksuan dhe ranë dakord për intensifikimin e këtij bashkëpunimi edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, mbështetjes reciproke të kandidaturave në to etj.
Numri dy i qeverisë shqiptare Meta dhe ministri qipriot Kyprianou u ndalën dhe diskutuan për situatën dhe zhvillimet e fundit në rajon, veçanërisht realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së opinionit të GJND-së mbi pavarësinë e Kosovës. Lidhur me statusin e Kosovës, palët ndanë mendime të kundërta, por shprehën të njëjtin qëndrim se e ardhmja e Kosovës është evropiane dhe integrimi i saj dhe gjithë rajonit në BE, është një prioritet i pazëvendësueshëm. Ministri Kyprianou garantoi se vendi i tij do të ketë një politikë konstruktive ndaj kësaj çështje. Përsa i takon çështjes së Qipros, Meta theksoi se Shqipëria ndjek një politikë të jashtme paqësore dhe se mbështet një zgjidhje të drejtë, në përmbushje të rezolutave të OKB-së dhe angazhimit të Bashkimit Europian. “Kjo zgjidhje duhet t'u shërbejë të gjithë qytetarëve të Qipros dhe për këtë arsye iniciativat e Presidentit dhe politikes qipriote për një zgjidhje të shpejtë, të qëndrueshme dhe në funksion të së ardhmes, kanë mbështetjen e Shqipërisë”, - u shpreh Meta.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›