Aksioni në Tiranë, policia bllokon 26 “taksi pa licenca”
TIRANE - Policia e Tiranës ka nisur dy ditë më parë një tjetër aksion, që do të zgjasë edhe në ditët në vijim, këtë herë kundër taksive që qarkullojnë pa licencë. Sipas policisë mësohet se gjatë këtyre ditëve në disa segmenteve rrugore të Tiranës, është ushtruar kontroll ndaj drejtuesve të mjeteve taksi të tipit (8+1) dhe (4+1). Verifikimi i dokumentacionit ka zbuluar edhe mungesën e licencës dhe për këtë arsye janë bllokuar 26 automjete, të cilat janë transportuar me karrotrec në pikat e bllokimit. Policia sqaron se ky aksion ka nisur në bazë të nenit 85, pika 2 të Kodit Rrugor, sipas të cilit automjetet që lëvizin për shkak të profesionit taksi në mënyrë të jashtëligjshme, duhet të konfiskohen. Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Tiranë, pasi kryen kontrollin e dokumentacionit përkatës të mjeteve, përpiluan procedurat e duhura ligjore dhe bënë bllokimin e automjeteve, duke i shoqëruar ato me shërbime deri në pikën e bllokimit. Veç bllokimit të automjeteve, policia ka vijuar kontrollet edhe në vendet e parkimit që janë të rezervuara për taksi dhe janë ndëshkuar me gjobë 164 drejtues mjetesh. Sipas policisë gjobat janë vendosur për shkak se automjete që nuk janë taksi, ishin parkuar në vendin e gabuar. Shërbimi Taks-Force i Policisë Rrugore, po bashkëpunon edhe me Shoqatën e Transportit të Shqipërisë, për goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm.