Arrestohen katër grabitësit, vodhën 105 celularë në dyqan
TIRANE - Katër persona kanë përfunduar në pranga, pasi dyshohen se kanë organizuar vjedhjen me thyerje të një dyqani celularësh tek rruga e Durrësit në Tiranë. Ngjarja për të cilën akuzohet 4 të rinjtë e arrestuar ka ndodhur 5 ditë më parë dhe policia gjatë kësaj kohe ka organizuar operacionin e koduar “Porosia e fundit II”, i cili ka sjellë edhe kapjen e autorëve. Gjithashtu bashkë me autorët, oficerët e seksionit të Vjedhjeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kanë mundur të sekuestrojnë edhe 105 celularët e vjedhur nga të rinjtë, si dhe prova të tjera që i implikojnë ata në këtë ngjarje. Burime nga policia thanë se janë arrestuar, Gentian Osmani, 23 vjeç, Klodian Sorra, 22 vjeç, Erion Hysenllari, 31 vjeç dhe Sokol Rustani, 20-vjeç. Sipas policisë, katër personat e arrestuar dy ditë më parë, dyshohet se më datë 20 nëntor të këtij viti kanë vjedhur në një dyqan në rrugën e “Durrësit” në Tiranë një sasi e konsiderueshme celularësh dhe aksesorësh. Të njëjtat burime nga policia thanë se në cilësinë e provës materiale atyre u janë sekuestruar, 105 telefona celularë, të markave të ndryshme, aksesorë telefonash celularë të markave të ndryshme, dy çanta sportive, dy palë doreza, një automjet tip Volzvagen, me targë AX 068 CM, në pronësi Klodian Sorrës. Dyqani i celularëve është thyer gjatë natës duke gdhirë dita e premte e javës së kaluar dhe është zbuluar të nesërmen nga pronari, i cili kur ka hapur dyqanin e ka gjetur të bastisur. Menjëherë a ka lajmëruar policinë dhe është zbuluar se autorët e vjedhjes kishin thyer derën e pasme të dyqanin, ku ishin futur më pas për të vjedhur gjithçka që ndodhej aty. Edhe pse policia nuk mundi të gjente asnjë gjurmë autorësh, pasi për çdo veprim që kishin bërë ata kanë përdorur doreza, brenda 3 ditëve nga ngjarja u bë i mundur arrestimi i të dyshuarve. Pasi u kryen të gjitha veprimet procedurale materialet në ngarkim të katër të rinjve të arrestuar i kaluan Prokurorisë së Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes” në bashkëpunim dhe të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.