BB: 1.4 mld njerëz jetojnë në varfëri të plotë
Varfëria do të jetë edhe më e madhe, në një kohë që do të prekë shumë vende të botës, duke përfshitë këtu edhe shumë vende të Evropës, përfshirë edhe Shqipërinë. Në një nga raportet e fundit, BB, thekson se deri tani më shumë se 1.4 miliardë njerëz jetojnë në varfëri të plotë, me një të ardhur ditore prej 1.25 $ në ditë.
Shifra të tilla janë më të larta nga çfarë ishin parashikuar më parë: sipas një raporti, në vitin 2004, varfëria preku rreth 985 milionë njerëz në të gjithë botën, gjë që do të thotë se varfëria dhe kushtet e vështira të jetesës janë të përhershme dhe përbëjnë një fenomen që nuk mund të zhduket, por në masën më të madhe të tij, mund të zvogëlohet.
Gjithsesi, nisur nga rritja e numrit të popullsisë, niveli i varfërisë, sërish ka shënuar një rënie nga 50 në 25 % këto 25 vitet e fundit. Në bazë të shifrave të reja, konfirmohet se vendi më i varfër në botë është Afrika. Me një popullsi e cila nga viti 81-2005 është rritur nga 200 në 380 milionë njerëz, e ardhura ditore për frymë shkon në më pak se 70 cent. Ndërkaq, për bankën botërore, vendi që ka luftuar suksesshëm varfërinë është pikërisht Kina, e cila ka ulur normën nga 85 në 15.9 %, duke I dhënë kështu vetes mundësinë e një bumi ekonomik për shkak të hapjes me perëndimin.
Sipas shifrave të publikuara, varfëria në të gjithë botën ka rënë me gati 1 % çdo vit, duke filluar që nga 1981. Megjithatë kriza e ushqimeve do të sjellë rritjen e varfërisë në shumë vende të botës. Sipas tyre, edhe vendet e zhvilluara kanë ulur buxhetin e tyre në lidhje me investimet e huaja dhe këtu mund të përmendet edhe rasti i Shqipërisë ku qeveria ka rritur investimet me fonde të brendshme.
Pjesë e raportit janë 116 vende të botës, të cilat tregojnë se rritja e kostos së jetesës në këto vende është më e lartë nga sa ishte parashikuar, dhe kjo për shkak të krizës së çmimeve të naftës dhe ushqimeve.