E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza 7-mujore dhe “berishistët”

Eduard Zaloshnja 

Në 3 korrik 2005, ndër ata  që e hodhën votën për kandidatët e Berishës, jo të gjithë do kenë qenë të bindur se ai ishte njeriu më i përshtatshëm për të qenë në krye të qeverisë. Por sidoqoftë, e hodhën votën për të bërë Berishën Kryeministër, sepse, praktikisht, alternativa tjetër ishte Fatos Nano! (Dora që po shkruan këto rreshta do kish bërë të njëjtën gjë po të kishte rastisur në Shqipëri atë ditë). Ndërkohë, mendja ta do se shumica e atyre që votuan për kandidatët e Berishës e bënë atë gjë duke i mbushur mendjen vetes se ai ishte vërtet njeriu ideal për të qeverisur vendin. Këta të fundit, të cilët ka kohë që etiketohen në mediat e majta me epitetin “berishistë”, do jenë në qendër të kësaj analize.
Në vitin 1957, Leon Festinger, një psikolog social në Universitetin Stanford, botoi artikullin shkencor “Teoria e disonancës konjitive”, një nga artikujt më me ndikim në fushën e studimit të sjelljes njerëzore. Teoria e Festingerit është shumë e thjeshtë. Të gjithë njerëzit kanë një sërë bindjesh, idesh e mendimesh, të cilat përmblidhen shkurtimisht me emrin botëkuptim.  Në shumicën e rasteve, përbërës të veçantë të botëkuptimit nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me disa nga veprimet tona. Për shembull, mendimi se futbolli është një lojë më interesante se pingpongu, nuk ka të bëjë fare me votimin për PD-në apo për PS-në. Por kur mendimet tona janë të ndërthurura me veprimet, ne ndjejmë një nevojë të brendshme për të patur një përputhje midis tyre. Kontradiktat mes mendimeve dhe veprimeve sjellin si rezultat një disonancë që mendja jonë nuk mund ta përballojë dot kollaj. Që truri të rikthehet në një gjendje baraspeshimi, ose bindjet dhe mendimet nga njëra anë, ose sjellja jonë nga ana tjetër, duhet të ndryshojnë. Dhe meqë mendimet janë zakonisht më të lehta për t’u ndryshuar se veprimet, ne e kemi më të lehtë t’ia përshtatim botëkuptimin tonë këtyre të fundit.
Teoria e Festingerit mund të ilustrohet me shembullin e duhanpirjes. Një njeri që pi duhan vuan nga disonanca konjitive kur ai dëgjon për dëmet e duhanit. Një alternativë është që ai të mos pijë më duhan. Por meqë sjellja është më e vështirë për t’u ndryshuar, duhanpirësi ka më shumë gjasa të ndryshojë bindjet e tij për duhanin. Në këtë mënyrë, i reduktohet njëfarësoj stresi që i shkakton disonanca konjitive. Për shembull, ai mund ta fokusojë mendjen në aspektet pozitive të duhanpirjes (qetësimi i përkohshëm pas pirjes së një cigare apo ulja e peshës trupore si rezultat i duhanpirjes), ose ai mund t’i krahasojë rreziqet e duhanit me rreziqet nga veprime të tjera të përditshme. Në këtë rastin e dytë, një duhanpirës mund t’i thotë vetes: “Përderisa njerëzit ngasin vetura çdo ditë (një aktivitet shumë i rrezikshëm ky, sidomos në Shqipëri), pse mua m’u dashka të mos pi cigare çdo ditë?”. 
Arsyetime si i mësipërmi i lejojnë njerëzit që të ruajnë një përputhje midis veprimeve dhe bindjeve të tyre, duke reduktuar kështu disonancën konjitive. Dhe nga biseda me shumë nga ata që në mediat e majta quhen “berishistë”, kam krijuar idenë se shumica dërrmuese ia mbushin mendjen vetes se Berisha është njeriu ideal për të qeverisur vendin, pikërisht për të reduktuar disonancën konjitive në mendjet e tyre. Ndoshta duke patur parasysh pikërisht këtë gjë, Berisha, me analizën 7-mujore që i bëri qeverisjes së tij, përveç shënjestrimit të drejtpërdrejtë të votuesve të lëkundur, synonte edhe pajisjen e “berishistëve” me argumente që do ia lehtësonin disonancën konjitive. Sepse sa më pak ajo disonancë të rëndojë në mendjet e tyre, aq më aktivë ata do jenë në përpjekjet për të bindur miq e kushërinj të lëkundur që të votojnë për PD-në në zgjedhjet e 2009-ës. Dhe nga biseda me “berishistë” këto javët e fundit, më duket se Kryeministri ia ka arritur qëllimit për sa i përket këtij segmenti të elektoratit.
Në fakt, sipas teorisë së Festingerit, i bie që “berishistëve” do iu duhet shumë kohë të ndryshojnë veprimet e tyre. Pra, që të përkrahin dikë tjetër përveç Berishës. Kjo, sepse shumica e “berishistëve” të thjeshtë e mbështesin Berishën jo për ndonjë përfitim konkret material. Në eksperimente që janë bërë për të provuar teorinë e Festingerit, është vënë re se kur njerëzit janë paguar të gënjejnë, ata nuk i kanë besuar gënjeshtrat e veta, por kur kanë gënjyer vullnetarisht, shpesh i kanë besuar ato.  Arsyeja? Pa pasur shpërblim për gënjeshtrat e tyre, ata kanë ndjerë një disonancë konjitive. Dhe për ta zbutur disonancën, ata i kanë mbushur mendjen vetes se gënjeshtrat kanë qenë të vërteta...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›