E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni ne veri Thaci ben thirrje per qetesi

Pak orë para fillimit të aksionit në veri, kryeministri Hashim Thaçi nga godina qeveritare u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ruajnë qetësinë dhe maturinë dhe të besojnë në vendosmërinë e institucioneve për të marrë përfundimisht nën kontroll pikat kufitare në veri.

Në një adresim për qytetarët të mbajtur në orët e vona të mbrëmjes Thaçi tha se si kryeministër siguron të gjithë se qeveria nuk do të zmbrapset dhe nuk do të ndalet së punuari deri në shtrirjen e plotë të ligjshmërisë në çdo cep të territorit të Kosovës. Ai tha se është i vetëdijshëm se integrimi i veriut do të jetë një proces me shumë sfida, por i bindur, se institucionet e Kosovës do t’ia dalin me sukses.

“Nesër, policët dhe doganierët e Kosovës, bashkërisht me EULEX-in dhe KFOR-in do të fillojnë implementimin e planit operacional, për funksionalizimin e pikave doganore 1 dhe 31.Plani operacional është hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe në koordinim e mbështetje të plotë me SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe EULEX-in, dhe tashmë edhe publikisht ka marrë mbështetjen e tyre”, tha Thaçi.

Një thirrje të veçantë Thaçi pati për serbët e veriut nga të cilët kërkoi që të jetojnë pa frikë, të jenë pjesë e jetës si qytetarë të barabartë, të respektojnë vendimet e institucioneve të Kosovës dhe të botës demokratike për rend dhe ligj dhe të jetojnë në harmoni dhe në paqe me njeri tjetrin dhe kombet e lira. Ndërsa shqiptarët u bëri lutje për mirëkuptim, bashkëpunim dhe besim.

“Unë ju ftoj të ruajmë qetësinë dhe maturinë. Veprimi i nesërm në veri nuk është i drejtuar kundër askujt. Kundër asnjë grupi etnik.Në veri nuk është në konflikt qeveria me qytetarin, por e drejta me padrejtësinë, ligji me joligjshmërinë, e kaluara konfliktuoze me të ardhmen në paqe”, u shpreh ai.

Thaçi tha se për aksionin në veri të shqetësuar janë vetëm shkelësit e ligjit. Më herët, Ambasadorët e shteteve të Quint-it përmes një deklarate i kanë dhënë mbështetje institucioneve të Kosovës për të rivendosur rendin dhe ligjin edhe në veri të Kosovës. Përfaqësuesit  e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë takuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe kanë nxitur qeverinë që të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët e saj ndërkombëtarë.

 

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›