E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksioni, nis prishja e 290 objekteve në Ura Dajlanit-Plepa



DURRËS – Kur ka vetëm pak ditë që ka nisur sezoni turistik, Policia Ndërtimore iu rikthehet sërish aksioneve për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare më të frekuentuar në rrethin e Durrësit, ku janë parashikuar për tu prishur rreth 290 objekte. Fadromat kanë nisur dje në mëngjes shembjen e lokaleve dhe lavazhe të ndërtuara në kundërshtim me rregullat urbane që ndodhen në anë të rrugës Ura Dajlanit - Plepa. Albert Doda, shef i Inspektariatit të kësaj policie, e cila prej fillimit të këtij viti është vendosur nën varësi të bashkisë, deklaroi se “jemi të vendosur që të zbatojë ligjin për të gjitha ndërtimet e kryera në kundërshtim me planet urbane”. Ky institucion ka listuar rreth 290 objekte të tilla si dyqane, kioska, gardhe, mure rrethues, banesa njëkatëshe, etj., të cilat janë në plan për tu prishur.

Ndjekje penale për ish-kryekomunarin, mori tokën e shkollës

DURRËS – Një ish kryetar komune në rrethin e Durrësit do të hetohet në gjendje të lirë, pasi akuzohet për tjetërsim të pronës publike. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet ndaj ish kryetarit të komunës së Gjepalajt, Fatmir Elezi. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit ka dërguar për hetim në prokurori çështjen ndaj 54-vjeçarit Elezi, lindur në Shijak dhe banues në lagjen Nr. 1 në Durrës, pasi dyshohet se nuk ka përfshirë në listën e pronave shtetërore në komunën e tij të sipërfaqes së një trualli prej 25 787 m2 në komunën Gjepalaj. Në këtë zonë ndodhet shkolla 9-vjeçare e fshatit Gjepalaj, ku një pjesë e territorit të saj rezulton të jetë përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Fatmir Elezi dhe vëllezërit e tij.

Vdes 47 vjeçari, po gjuante peshk me tel korenti

MIRDITË – Ka tentuar të kapë peshk me tel të lidhur në linjën elektrike, por ka mbetur vetë viktimë e korrentit. Burimet zyrtare të komisariatit të Mirditës bëjnë të ditur se ka gjetur vdekjen aksidentalisht shtetasi Gjin Përgjoni. Babai i tre fëmijëve ka gjetur vdekjen pak pas mesnatës së të mërkurës, teksa gjuante peshk në lumin Fan i Madh të Mirditës. Sipas dëshmive në vendin e ngjarjes, 47-vjeçari Përgjoni, lindur dhe banues në fshatin Kaçinar të Mirditës kishte shtrirë një tel rreth 200 metra nga kabina elektrike deri në lumin Fan i Madh për të gjuajtur peshk. Sapo ka mbërritur në breg viktima ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Gjuajtja peshk me dinamit dhe me energji elektrike është një fenomen përhapur në Mirditë, ndonëse ligjërisht është i ndaluar.

Ankandi, dalin në shitje 608 mjetet e bllokuara nga policia

VLORË – Të paktën 608 automjete të bllokuara nga policia dhe që ndodhen në rezervat e shtetit në Vlorë, u përfshinë në një ankand, në përfundim të të cilit do të përcaktohen fituesit. Burime zyrtare të Drejtorisë së Rezervave të Shtetit për Vlorën bënë të ditur se automjetet, në pjesën më të madhe, do të shiten si skrap për shkak të gjendjes së tyre teknike thuajse jashtë funksioni. Katër prej firmave private kanë paraqitur ofertat e tyre në ankand dhe që do të zyrtarizohet brenda pak ditëve, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave. Këto automjete, sipas burimeve, janë bllokuar nga policia e Fierit dhe janë transferuar më pas në mjediset e rezervave të shtetit në Vlorë.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›