E Shtunë, 31 Tetor 2026

REAGIMI / Kreshnik Spahiu “Do veprojmë pas përfundimit të hetimeve për gjyqtarin”



Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të monitorojë çdo ankesë apo denoncim për gjyqtarët. Në një prononcim për gazetën “Albania”, zëvendëskryetari, Kreshnik Spahiu pohon se KLD-ja ka rënë dakord me USAID për të pezulluar për momentin fondet ndaj gjykatës së Matit. Shkak është bërë ngjarja e rëndë e disa ditëve më parë mes gjyqtarit Murat Lleshi dhe një përfaqësuesi të medias. Sipas Spahiut, “KLD-ja jo vetëm po inspekton dosjet, por po bën verifikimin e pasurisë së gjyqtarit në fjalë për të dalë në fund me një konkluzion për gjyqtarin Lleshi. Numri dy i KLD-së pohon se Këshilli që ai përfaqëson po jep një mesazh të qartë që do të mbështesë gjykatat e suksesshme ashtu sikundër do të inspektojë apo ndëshkojë ata që do të abuzojnë. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka tri ditë që është në kontakt të vazhdueshëm me USAID për situatën e krijuar në Gjykatën e Matit mes gjyqtarit Murat Lleshit dhe gazetarit. KLD-ja së bashku me USAID po monitoron prej kohësh projektin pilot në dhjetë gjykatat e vendit. Këshilli i lartë i Drejtësisë ka nisur inspektim për gjyqtarin Murat Lleshi. Inspektorët e KLD-së po verifikojnë të gjitha dosjet që pretendohet se gjyqtari mund të ketë ushtruar influencën e tij në zgjidhjen e këtyre proceseve. Po kështu KLD-ja ka nisur verifikimin e pasurisë së gjyqtarit Lleshit. Nga ana tjetër, jemi në pritje të vendimit të Prokurorisë për këtë rast, për të mësuar nëse kemi të bëjmë me vepër penale apo jo. Pasi për ngjarjen mes gjyqtarit dhe gazetarit para disa ditësh ka nisur një procedim penal. Procedim ende nuk ka përfunduar për të mësuar nëse ndodhemi para situatës së fajësisë apo pafajësisë. KLD-ja ka rënë dakord me USAID që deri në përfundim të hetimeve si nga ana e prokurorisë ashtu edhe nga ana e inspektoratit të KLD-së të pezullohet projekti pilot në këtë gjykatë.

L. Ryçi

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›