USAID “ndëshkon” gjyqësorin për dhunimin e gazetarit
Qeveria amerikane “ndëshkon” për herë të parë në mënyrë të hapur gjyqësorin shqiptar. Shkak është bërë “thyerja e kontratës” mes Agjencisë Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe gjykatës së Burrelit, pasi njëri prej gjyqtarëve të saj akuzohet se ka dhunuar një gazetar. “USAID-i ka vendosur të pezullojë asistencën ndaj Gjykatës së Matit, duke filluar nga dita e sotme (e enjte, - shën. red.)”, - thuhet në njoftimin zyrtar të shpërndarë dje nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Vendimi është marrë vetëm dhjetë ditë pas ngjarjes së ndodhur në mjediset e jashtme të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Burrel, ku gazetari i Top Channel, Ksenofon Ilia u keqtrajtua në tentativën për ti marrë një intervistë gjyqtarit Murat Lleshi. Gazetari ka bërë kallëzim në prokurorinë e Burrelit, ndërkohë që Ministra e Drejtësisë reagoi një ditë pas ngjarjes.
Pezullimi
USAID-i, i cili prej disa kohësh po jep asistencë në 10 gjykatat e vendit tonë në kuadër të programit “Rule of Law” (Sundimi i ligjit), ka pezulluar në mënyrë të menjëhershme kontratën e lidhur më gjykatën e Burrelit. Sipas njoftimit zyrtar të ambasadës amerikane, “më 18 prill 2008, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nënshkroi një marrëveshje me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat për të mbështetur përmirësimin e efikasitetit dhe të përgjegjshmërisë së Gjykatës, pjesë e projektit 3-vjeçar për Shtetin Ligjor”. “Duke marrë parasysh akuzat e kohëve të fundit ndaj një gjykatësi në Gjykatën e Rrethit Mat, USAID-i ka vendosur të pezullojë asistencën ndaj kësaj Gjykate, duke filluar nga dita e sotme, (enjte, - shën. Red.) derisa Këshilli i Lartë i Drejtësisë të përfundojë hetimin e tij në proces kundrejt Gjykatës dhe derisa Gjykata të dalë e pastër nga ky hetim”, - përfundon njoftimi.
Ngjarja
Gazetari i emisionit “Fiks Fare”, Ksenofon Ilia ka rënë pre e dhunës prej gjyqtarit të Gjykatës së Burrelit, Murat Lleshi, teksa po tentonte t’i merrte një intervistë. Ngjarja ndodhi mesditën e 20 majit në afërsi të gjykatës së rrethit verior, teksa Ilia po investigonte mbi denoncimin e disa banorëve të fshatit Urakë, të cilët akuzonin gjyqtarin Murat Lleshi se nuk i lejonte të ndërtonin një urë. Pasi ka intervistuar banorët e fshatit, gazetari Ilia ka tentuar t’i shkëpusë një reagim edhe gjyqtarit të akuzuar. Ky i fundit, jo vetëm që nuk ka pranuar të shpjegojë arsyet pse nuk i lejonte banorët të ndërtonin urën, por edhe ka shkaktuar plagosjen e gazetarit Ksenofon Ilia, në tentativë për t’i shpëtuar pyetjeve të tij. Sipas dëshmisë së gazetarit, “gjyqtari Murat Lleshi hipi në furgonin e të vëllait, për t’i shpëtuar kamerës. Më tej ai vijon: “Unë e ndoqa furgonin, duke u kapur pas pasqyrës dhe i kërkova të vëllait të ndalonte, që të kisha mundësi të pyesja gjyqtarin. Ai më ka tërhequr zvarrë për disa metra, e gjatë kësaj kohe i thoshte gjyqtarit Lleshi të nxirrte pistoletën të më qëllonte”. Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë, ai ka deklaruar se “furgoni nuk ka ndaluar, megjithëse ai ka rënë përtokë. Më pas, gazetari Ilia ka denoncuar gjyqtarin në polici
Ministria
Vetëm një ditë pas ngjarjes, reagoi edhe Ministria e Drejtësisë. Përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë më 21 maj, ky institucion sqaron se “gazetari i Top Channel, Ksenofon Ilia dhe gjyqtari i Gjykatës së Burrelit, Murat Lleshi kanë pasur një përplasje mes tyre, pas së cilës gazetari është lënduar”. “Nisur nga rëndësia e ngjarjes ministri i Drejtësisë ka urdhëruar Drejtorinë e Inspektimit të inspektojë në gjykatën e rrethit gjyqësor Mat lidhur me ngjarjen e ndodhur midis gjyqtarit Murat Lleshi dhe gazetarëve të Top Chanel”, - thuhet në këtë njoftim. “Pas përfundimit të inspektimit ministria do të bëjë publike përfundimet e inspektimit”, - përfundon reagimi zyrtar i kreut të Ministrisë së Drejtësisë.
30 Maj 2008