E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Raporti i AI-së për gjendjen e burgjeve është real”

Një ditë pas raportit, Avokati i Popullit reagon për të dënuarit. Rastet më të fundit ku është konstatuar dhunë ndaj të burgosurve

Laureta Rryçi

Tiranë - Raporti i “Amnesty Internacional” mbi gjendjen e burgjeve në Shqipëri është real. Madje kanë mbetur dhe probleme pa u evidentuar. Një ditë pas bërjes publike të këtij raporti, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, reagon duke pohuar konkluzionet e AI-së. Madje, sipas Dobjanit, situata është edhe më e zymtë, pasi një sërë inspektimesh nga ekspertët e zyrës së tij kanë konstatuar shkelje nga më të rëndat jo vetëm nëpër burgjet e vendit, por edhe në ambientet e paraburgimit. Sipas Dobjanit, me gjithë masat e marra nga shteti ynë për të drejtat e të dënuarve, sërish trajtimi i tyre mbetet për të dëshiruar, duke nisur jo vetëm nga kushtet që ofrojnë burgjet shqiptare, por edhe mbipopullimi. Avokati i Popullit pohon se për gjendjen e burgjeve herë pas herë nëpërmjet rekomandimeve zyrtare ka vënë në dijeni zyrtarët përgjegjës që duhet të garantojnë këto të drejta. Raporti që u botua një ditë më parë, fliste me nota të zymta për gjendjen jo vetëm të burgjeve në vendin tonë, por edhe procedurave që ndiqeshin që në momentin që një qytetar arrestohej nga policia.
Dobjani ka theksuar se vetëm kohët e fundit janë evidentuar disa raste të rënda, ku veçohet dhuna mbi të dënuarit në Burgun e Burrelit dhe gjendja që u konstatua në paraburgimin e Korçës.
Burrel
Pas inspektimit të Avokatit të Popullit në Burgun e Burrelit, u konstatua se policia e Burgut të Burrelit, në bashkëpunim me forcat e Policisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ka iniciuar një regjim kontrollesh të shpeshta mbi dhomat e burgut, ku janë konstatuar akte të dhunshme të pajustifikuara ndaj të burgosurve. Në Burgun e Burrelit janë konstatuar shkelje flagrante të të drejtave të të dënuarve gjatë kontrolleve. Kontrollet janë ushtruar kryesisht natën dhe nën një terror psikologjik. Sipas Dobjanit, te punonjësit e Policisë së Burgjeve ka munguar etika profesionale dhe ata shpesh kanë provokuar të burgosurit me akte dhe veprime të dhunshme, duke tejkaluar detyrat e tyre funksionale.
Korçë
Të paraburgosurit në Korçë qëndrojnë në bodrum dhe flenë në dysheme. Ky është cilësuar si rasti tjetër ku ekspertët e Avokatit të Popullit kanë konstatuar shkelje të rënda. Sipas burimeve nga Avokati i Popullit, kreu i këtij institucioni, Ermir Dobjani, i ka rekomanduar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, marrjen e masave të menjëhershme. Në të njëjtën kohë, Dobjani i ka njohur dy zyrtarët më të lartë që mbajnë përgjegjësi për burgjet me situatën që kanë konstatuar ekspertët.
Kushtet e jetesës në paraburgimin e Korçës, siç janë mjediset e qëndrimit, fjetjes, ngrënies si dhe veshja, ngrohja, ushqimi dhe ajrimi, nuk janë konform kushteve të duhura. Në këtë konkluzion kanë dalë ekspertët e Avokatit të Popullit, të cilët kanë vijuar me tej duke shkruar se ambientet e paraburgimit në Korçë ndodhen në katin e poshtëm, pra në bodrumin e ndërtesës, ku ndodhet dhe Komisariati i Policisë. Këto ambiente edhe më përpara janë përdorur si dhoma izolimi. Aktualisht në to nuk është bërë asnjë ndryshim apo shtesë me qëllim përmirësimin e kushteve.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›