“Akti i pavarësisë”, në duart e pinjollëve të patriotëve
ELBASAN - Prefekti Shefqet Deliallisi ka organizuar dje një ceremoni me rastin e 96-vjetorit të shpalljes se Pavarësisë, ku ishin të ftuar pasardhësit e figurave të shquara patriotike elbasanase që kanë kontribuar për këtë ditë historike. Atyre u është dorëzuar "Akti i pavarësisë", ku krahas dokumentin të shpalljes së saj në 1912, ishte vendosur dhe emri e fotografia e secilit patriot. Ky punim u dorëzua nga prefekti në shenjë nderimi për Aqif Pashën, Lef Nosin, Qemal Karaosmanin, Shefqet Daiun, Mit'hat Frashërin e Dervish Biçakun. Nipërit dhe mbesat e këtyre figurave kanë vlerësuar për këtë ceremoni prefektin Deliallisi, i cili gjithashtu rrjedh nga një familje patriotike elbasanase. Pasardhësit e Aqif Pashës, Lef Nosit, Shefqet Daiut, Thanas Floqit, por edhe të përfaqësuesve të tjerë nga emrat që kanë firmosur aktin e Pavarësisë kanë sjellë falënderimet e tyre për kujtimin e bukur të kësaj dite historike. Në fjalën e tij, prefekti ka vlerësuar edhe figurat e shquara të Elbasanit që nuk ishin firmëtarë të aktit të Pavarësisë, por organizuan gjithçka që ky qytet të ishte i pari për ngritjen e flamurit, duke përmendur Shefqet Verlacin, Alush Saraçin e të tjerë patriotë të këtij qyteti. Prefekti nuk ka harruar pa përmendur faktin se këtë vit 28 Nëntor festohet edhe me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Integrimi evropian si një ëndërr e madhe e shqiptarëve nuk kish sesi të mos vinte në fjalën e prefektit Deliallisi, i cili në këtë 96-vjetor ishte iniciator i aktiviteteve në shërbim të përkujtimit të njerëzve që kontribuuan për Pavarësinë e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë. Në takimin e zhvilluar në godinën e prefekturës së Elbasanit kanë qenë të pranishëm dhe miq të familjeve, kryebashkiaku Qazim Sejdini, kreu i Qarkut, Ardian Turku etj. Festimet dhe nderimet për familjet autoktone elbasanase që kontribuuan në shpalljen e pavarësisë kanë vijuar me dhënien e titujve në sallën e Këshillit Bashkiak. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Blendi Himçi, ka lexuar edhe motivacionin e përbashkët, si "Figura të shquara të Rilindjes Kombëtare dhe për kontributin në shpalljen e Pavarësisë". Tre pasardhës kanë marrë titujt nga dora e vetë kreut të këshillit bashkiak për Dervish Biçakun, kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini, për Qemal Karaosmanin e ka marrë Nebi Sefa dhe deputeti i PD-së, Aurel Bylykbashi për Thanas Floqin. a.k