“Rama të ikë, ofendoi 28 Nëntorin”
Edi Rama e ka kthyer Tiranën në çiflig, do kërkojmë dorëheqjen e tij. Akuza për kryebashkiakun e Tiranës vjen nga Ferdinand Poni, i cili veç postit të zëvendësministrit të Brendshëm për Pushtetin Lokal, mban edhe atë të kreut të grupit të këshilltarëve demokratë në Bashki. Akuzat e zv.ministrit erdhën në lidhje me atë që Poni e konsideroi si "ofendimin që kryetari i Bashkisë së Tiranës i bën Ditës së Flamurit, ditëlindjes së kombit shqiptar". Grupi i këshilltarëve demokratë pohon në rreshtat e parë të deklaratës se: "Sot (dje) 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, ditën e Ditëlindjes së Kombit shqiptar, ditë që festohet nga çdo shqiptar me nderim, adhurim e krenari më të madhe në të katër anët e botës, kudo që ata ndodhen, kryetari i Bashkisë së Tiranës, në një veprim të turpshëm e të papërgjegjshëm, njëlloj sikur ta kishte Tiranën çiflig të familjes së tij, përjashtoi kryeqytetasit nga festa me një akt fund e krye të turpshëm për kryeqytetin e vendit, duke ndaluar çdo lloj veprimtarie festive të Bashkisë, duke e përjashtuar Tiranën nga çdo lloj dekorimi e zbukurimi për festën më të madhe të shqiptarëve, për festën e mbarë shqiptarëve". Duke e vlerësuar këtë ditë të veçantë për shqiptarët, anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak deklaruan se dje, Edi Rama ofendoi kryeqytetasit, kryeqytetin dhe mbarë vendin e kombin, duke përjashtuar Tiranën nga festimet për ditën e lindjes së kombit shqiptar. Duke vazhduar në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e Partisë Demokratike pohojnë se: "Sot (dje) në ditën e nderimit më të thellë për të rënët e kombit; shtëpia që i takon të jetë shtëpia e parë e qytetit të Tiranës ngjason jo në festë, por në zi". Ndërsa duke përshkruar atmosferën e djeshme në kryeqytet, demokratët e Këshillit Bashkiak thonë në deklaratën e tyre: "Trishtim i madh. Në bulevardet dhe rrugët e gjithë shqiptarëve nuk ka asnjë flamur kombëtar dhe zbukurime festive. Bashkia e Tiranës është bashkia e parë e Shqipërisë, Bashkia e parë e kombit dhe e vendit". Kurse duke aluduar për kryebashkiakun Edi Rama, demokratët pohojnë se ata që mendojnë se mund ta trajtojnë Tiranën si çiflig të tyre dhe familjes së tyre, mashtrohen keq. "Ata s'kanë asgjë të përbashkët me këtë komb nëse përbuzin, neglizhojnë dhe ofendojnë simbolet dhe krenarinë kombëtare, frymën, shpirtin dhe dinjitetin e kombit", thuhet në deklaratën publike. Më tej grupi i këshilltarëve të PD-së i drejtohet kryebashkiakut në emër të çdo qytetari të Tiranës, duke i kërkuar atij se, nëse i ka mbetur edhe një fije personaliteti njerëzor dhe dinjiteti shqiptar, të japë sa më parë dorëheqjen. "Në të kundërt ne informojmë qytetarët e Tiranës se do të kërkojmë në mbledhje të Këshillit Bashkiak, mocion mosbesimi ndaj kryetarit të Bashkisë për aktin e turpshëm, rrugaçëror, antishqiptar, të pafalshëm të tij", përfundon deklarata e Ponit. fa.ma