Topi: Fryma e respektimit të Kodit të jetë konsensuale
adi shkëmbi
Presidenti Bamir Topi i bën thirrje klasës politike të respektojë Kodin e ri Zgjedhor. Në këtë mënyrë kreu i shtetit duket se shuan çdo mundësi për një rikthim të mundshëm të tij në Parlament, pavarësisht kontestimit të tre partive parlamentare, LSI-së, PDK-së, dhe PS '91. Duke folur në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave për festën e 28 Nëntorit, Topi u shpreh se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë provë për demokracinë në Shqipëri. "Duke nxjerrë mësime nga përvoja e hidhur e deritanishme e kontestimit të rezultatit zgjedhor dhe deformimeve të mundshme në situata të tilla, fryma e respektimit të Kodit Zgjedhor duhet të jetë politikisht konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Etika politike dhe transparenca elektorale, të detyrueshme për t'u respektuar, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, do të jepnin garanci të qëndrueshme për zgjedhje të standardeve demokratike dhe nxitje për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në votime", theksoi Topi. Sipas tij, vendi ndodhet para sfidave të rëndësishme siç janë zgjedhjet dhe anëtarësimi me të drejta të plota në NATO. Kreu i shtetit theksoi se suksesi i tyre lidhet drejtpërdrejtë me të ardhmen e vendit dhe interesat e tij. "Zgjedhjet politike të vitit 2009 janë prova më e madhe e demokracisë, e pluralizmit politik dhe e integrimit të Shqipërisë. Demokracia e vërtetë shprehet në pasqyrimin real të votës dhe të vullnetit të lirë të zgjedhësve. Përgatitja e infrastrukturës bashkëkohore zgjedhore në kohë, me cilësinë dhe transparencën e duhur është një nga hallkat kryesore të zinxhirit të procesit zgjedhor", u shpreh Topi. "Unë sot kam më shumë besim se një vit më parë në suksesin e ndryshimeve pozitive në Shqipëri e dëshiroj të konfirmoj vullnetin tim të palëkundur në mbështetje të reformave demokratizuese dhe të pluralizmit politik në vendin tonë, si e vetmja rrugë për t'u shkëputur nga tranzicioni i gjatë dhe i vështirë, për të ndërtuar të ardhmen tonë euroatlantike", u shpreh më tej kreu i shtetit. Në fjalën e tij para krerëve të shtetit, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, diplomacisë së huaj të akredituar në Tiranë si dhe përfaqësuesve të medias, Presidenti theksoi se qëndrimi i përbashkët politik për çështjet e kombit është shembulli më i mirë për t'u ndjekur edhe për reformat. Sipas tij qytetarët "janë gjyqtarët kryesorë të suksesit të reformave. Reformat integruese të Shqipërisë kërkojnë jo vetëm vullnet politik, por gjithëpërfshirje dhe transparencë". Gjithashtu ai u ndal edhe në çështjen e Kosovës. "Ne jemi të palëkundur në mbështetjen për pavarësinë e sovranitetin e saj dhe jemi të vendosur në përpjekjet tona për njohjen ndërkombëtare të saj. Kosova ka aleatë të rëndësishëm, të cilët ashtu siç e përkrahën pavarësinë e saj dhe e njohën atë, ashtu edhe nuk do të lejojnë, që sovraniteti i saj të cenohet", u shpreh Presidenti.