Kadare: Vdekja dhe dashuria në letërsinë time
Eni Vasili
Ka folur për veprën e tij të fundit "Darka e gabuar", për çmimin "Nobel", për letërsinë, dashurinë, vdekjen, identitetin e shqiptarëve, por edhe për Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun. Në një intervistë për Tv Alsat, shkrimtari i madh Ismail Kadare flet hapur për çështje të reja e të vjetra, si vizita në shtëpinë e Enver Hoxhës, eseja që ka bërë për këtë takim, mbrojtja që diktatori i ka bërë dhe retushimi politik i veprave. Kadare pranon se i ka bërë retushim gjuhësor ndonjë prej veprave të tij, por kurrsesi një retushim politik. Sipas tij, kjo nuk është morale. Sa i përket debatit mbi figurën e Skënderbeut, Kadare e ka quajtur sërish si turpin më të madh të kohës sonë. Sipas tij, Skënderbeut nuk mund t'i hiqet asnjë presje.
Në panairin i librit u prezantua vepra juaj më e re "Darka e gabuar". Sipas informacioneve, ky libër ka shënuar një rekord shitjesh, gjë që hedh poshtë edhe idenë që lexuesit shqiptarë nuk janë më lexues të mirë?
Mendoj se ky është një mendim i gabuar. Përgjithësisht është një paragjykim planetar, që lexuesi i sotëm ka pësuar një degradim, bashkë me të edhe ai shqiptar. Ky mendim bie ndesh me realitetin. Sot më shumë se kurrë ka libra që botohen, ka letërsi që botohet, dhe për pasojë më shumë se kurrë ka lexues. Ka ndodhur një ndryshim në ish-botën lindore, ish-komuniste, ku leximi ka qenë më i zhvilluar përpara, për arsye të kufizimit të jetës, për arsye fatkeqe. Tani lexohet më pak, sepse lexuesi ka mundësi për të ndjekur një zhvillim kulturor normal, jo vetëm me leximin. Por lexuesi shqiptar mbetet siç ka qenë, një nga më të mirët në Evropë, me një bonsens të zhvilluar. Por pas një traumatizmi kaq të gjatë, të një izolimi tragjik, leximi pësoi një humbje drejtpeshimi. Tani është duke u rikthyer ngadalë tek libri. Janë gjëra që nuk ndodhin menjëherë, por varet edhe çfarë i ofrohet lexuesit. Me këtë libër pata pak a shumë lexuesin e mëparshëm, pra të konsiderueshëm. Kuptova që mirëkuptimi vazhdon dhe lexuesit nëse i ofrohen gjëra me vlerë, rikthehet, pra nuk ka kokëfortësi apo braktisje të letërsisë.
"Darka e gabuar" konsiderohet si vepra më e arrirë. Shënohet kulminacion në mjeshtërinë e shkrimit, ju vetë e keni ndjerë këtë në procesin e shkrimit?
Zakonisht ndodh që shkrimtari kur fillon e shkruan një vepër të fundit, kujton se po bën një kulminacion, pastaj shumë shpejt e qorton këtë mendim dhe e gjen vendin që ka vepra e fundit në kuadrin e krijimtarisë së tij. Kështu që nuk ka vlerë vlerësimi që i bën shkrimtari veprës së tij në fillim, i fundit është i favorizuar në kokën e tij. Tani që ka kaluar një farë kohe nga botimi i veprës, them se vërtet është një nga librat e mi më të mirë.
Çfarë ndodh në fillesën e shkrimit tuaj, e keni ngjarjen në kokë nga fillimi në fund, si lindin personazhet?
Kjo është një pyetje nga ato që quhen profesionale. Zakonisht përgjigjja është e ndryshme për shkrimtarë të ndryshëm, sepse ashtu është e vërteta, por unë do të bëja një ndarje tjetër. Për zona të ndryshme të letërsisë, përgjigjja është e ndryshme. Ligjet e letërsisë ndryshojnë, sipas këtyre që unë i quajta zona të saj, çka është ligj për njërën zonë, nuk është për tjetrën. Ligjet absolute janë të asaj që quhet letërsi e madhe. Sa më e thjeshtë të jetë letërsia, sa më e rëndomtë, aq më e shpjegueshme është. Sa më e ndërlikuar të jetë, sa më me vlera të mëdha, aq më pak e shpjegueshme është. Shkrimtarët që pretendojnë të kenë një letërsi serioze jo se refuzojnë, por mundohen të mos japin shpjegime për veprën e tyre, sepse e dinë që shpjegimet nuk janë të sakta. Kjo lloj letërsie ka shpjegimin shumë të kufizuar dhe të mjegullt për fat të saj, dhe kështu duhet të jetë. Prandaj çdo shpjegim që do japë shkrimtari është i pasaktë, për të mos thënë që duke folur para publikut, ai do të thotë me mendjen e tij: "O Zot, ç'po them, nuk po them të vërtetën, sepse e vërteta e krijimit është shumë e vështirë për t'u shprehur, për t'u treguar". Çështjet e laboratorit shkrimtari s'ka pse përpiqet t'i tregojë, sepse laboratori ka lindur për të, dhe do të vdesë bashkë me të.
Në fakt, "Darka e gabuar" ka dhe personazhe që kanë ekzistuar vërtetë...
Po, është e vërtetë, por baza në letërsi nuk ka asnjë rëndësi. Nisesh nga një fakt krejtësisht i rrokshëm i jetës, apo nisesh nga një fakt i shpikur prej teje. Pjesa më e bukur e saj dhe më me vlerë është ajo çka trillon shkrimtari në mendjen e vet. Edhe kur bazohet në një fakt të vërtetë. Ka qindra fakte të vërteta tronditëse në historinë e botës, që nuk kanë dhënë letërsi, sepse nuk janë trajtuar nga shkrimtarët. Ka fakte më të thjeshta që kanë dhënë letërsi të madhe, sepse janë trajtuar.
Çfarë ndodh më tej, pas një vepre si "Darka e gabuar"?
Mendimi i parë është që tashmë unë duhet të shkruaj një vepër, së paku si kjo, por jo më pak të mirë. Ose nuk do shkruaj. Për shumë shkrimtarë mendimi i parë është se ndoshta kjo është vepra e fundit.
Ju e keni menduar këtë?
Po.
Që "Darka e gabuar" mund të jetë vepra juaj e fundit?
Kam menduar dhe për shumë vepra jo vetëm për këtë. Është normale për një shkrimtar.
Deri në marrjen e një vendimi çfarë ndodh? Ju prisni të keni një vepër tjetër, nëse kjo do të jetë, ku ndodhet?
Shkrimtari ka në ndërgjegjen e tij shumë vepra, që ai e di fare mirë që nuk do të dalin kurrë në dritë. Nuk është ndonjë gjë e re për shkrimtarin të jetë i zbrazët, ose i mbushur. Gjendja e tij natyrale është që ai ka një rezervë që ajo që mund të quhet një vepër negative, që nuk ka parë dritën e botimit e që nuk do ta shohë ndoshta asnjëherë. Gjithë puna është që shkrimtari, me talent, të nxjerrë nga ai bodrumi i tij atë që duhet, dhe jo vepra që mund të rrinë atje, duke i ngrënë kohën një vepre tjetër. Kështu që këtë e kam quajtur disa herë në shkrimet e mia, një lloj apologjie negative të shkrimtarit, madje kam thënë që nëse është e nevojshme të prishet një pjesë të kësaj vepre, të mos e rëndojë ndërgjegjen e tij, mendjen e tij. Do një farë energjie. Shkrimtari harxhon energji kur krijon, ose kur prish një pjesë të veprës. Sigurisht energjia që harxhon për të prishur është gjithmonë shumë më e vogël se ajo për të ndërtuar. Rrënimi është shumë i lehtë, po do punë sidoqoftë. Shumë vepra ngelen pa dalë kurrë dhe kjo s'ka pse të shkaktojë ndonjë keqardhje.
Keqardhje do të ishte nëse vërtet "Darka e gabuar" do të ishte vepra e fundit. Por juve, ndjeni keqardhje nëse kjo do të ishte e vërtetë?
Jo, derisa ajo mund të kthehej në veprën e fundit le të kthehet ashtu e kërkonte... Bota e letërsisë është shumë e egër. Bota e letërsisë është nga më të ashprat, sepse seleksionimi i saj është mizor, nuk ka mëshirë. Nuk mund të bësh tolerantin me të. Ajo që nuk duhet të ekzistojë, le të mos ekzistojë, nuk ka asgjë të keqe.
Eshtë një filtër i vetvetes ky?
Po. Filtër që e bën ndërgjegjja e shkrimtarëve një për një, por edhe një farë lloj ndërgjegje (nëse do ta pranojmë) e letërsisë kolektivisht.
Ju vazhdoni të shkruani në kafene. Është një mani, supersticion, një komoditet?
Keni të drejtë t'i përdorni të gjitha epitetet, mani, supersticion, trill, kapriço, megalomani, budallallëk, vanitet... Të gjitha janë përdorur për shkrimtarët që punojnë në kafene. Në të vërtetë nuk është ashtu, mund të ketë shkrimtarë që shkojnë në kafene, nuk i shtyn asgjë, venë se kështu kanë shkuar të tjerët para tyre dhe kanë qenë shkrimtarë interesantë, dhe kanë krijuar një farë legjende. Kryesisht çfarë kanë krijuar Parisi, Vjena, kryeqytetet e para të Evropës. Tani universi i kafeneve po përhapet dalëngadalë në botë, po pushton vendet që s'e kanë njohur. Për ata që janë mësuar, është një nga vendet më komode për të punuar. Nuk është problemi thjesht siç thuhet, jo në shtëpi të pengon telefoni, të mungon dikush që hyn ose del. Jo. Kafeneja është një lloj posti i luftës. Atje shkon si ushtari që shkon në luftë, s'ka punë tjetër. Atje shkrimtari shkon për të punuar. Mendja e tij zhvishet më mirë se në çdo mjedis tjetër nga trysnia e kotë e jetës, atje stereotipet janë të gatshme, aroma e kafenesë, kamerieri, që të njeh nuk të pyet, e di fare mirë, ta sjell atje. Ti punon. Krijohet një gjendje pune që në një mjedis tjetër do të kërkonte disa dhjetëra minuta, që ajo që quhet e famshmja e ardhur në formë, ose në mënyrë më vulgare frymëzim.
Le të flasim për frymëzimin, çfarë është frymëzimi për Kadarenë?
Hyn në atë shpjegimin e vështirë. Janë një sërë faktorësh që krijojnë atë që quhet frymëzim. Kështu që kafeneja, është vërtet më komode dhe me një efikasitet tepër të lartë të punuari. Atje nuk rri kot njeriu kur shkon për punë.
I keni shkruar të tërë librat tuaj atje?
Jo. Në Shqipëri, për shembull, nuk punoj dot në kafene, sepse meqenëse është vend i vogël dhe njohja është e tillë. Kjo gjë bëhet e pamundur, nuk punohet. Njerëzit nuk të shqetësojnë sigurisht, po mjafton që të shikojnë në dritë të syrit dhe nuk shkruhet.
Zoti Kadare, a mund të ndajmë sonte së bashku mendime për dashurinë, për vdekjen, për pavdekësinë e një shkrimtari? Ju tremb vdekja ju për shembull?
Unë mendoj se shkrimtarët nuk i tremb vdekja. Sigurisht si grup shoqëror si një kastë, krijuesit janë më pak të ndjeshëm nga vdekja, sepse punojnë me të. Janë mësuar të shkruajnë për të. Vetë letërsia është një art, që një pjesë të trupit të saj e ka në vdekje vetvetiu. Është shumë e lidhur me mosjetën, për të mos përdorur fjalën vdekje. Kështu që, derisa punon me këtë lëndë, derisa i ke futur duart në të, vetvetiu je mësuar.
Po me dashurinë a mësohet shkrimtari? Sa dashuri kanë veprat tuaja?
Disa herë më kanë bërë vërejtjen që s'para ka dashuri shumë në veprat e mia. Nuk është e vërtetë. Unë mendoj se ka, por është shumë e vështirë për t'u përcaktuar ka a s'ka. Unë mendoj se më kanë kritikuar disa herë që ka pak femra që zënë vend, ose dhe kur zënë vend janë me defekte, nuk e di si. Mendoj se ka aq sa duhet. Nuk e kam menduar fare këtë përqindje se sa duhet të ketë, sepse letërsia nuk është filxhan kafeje. Disa e duan me pak sheqer, disa me shumë. Letërsia është tjetër gjë. Për shembull, ky libri i fundit është pëlqyer nga lexuesi shumë. Po mendoja një ditë: ky nuk ka dashuri ose ka pak, ka shumë pak. Për çudi kështu ka qëlluar. Në librat e tjerë kam personazhe femërore, kam histori dashurie, nuk janë zotëruese siç ndodh, por janë përsëri zonat e letërsisë. Zonat e poshtme të letërsisë kanë shumë më tepër dashuri ose kujtojnë se kanë.
Zonat e larta bëhen gjithmonë e më të vështira?...
Eshtë e vërtetë ka shumë, po të shikoni zona e larta të letërsisë, për shembull "Don Kishoti" s'ka dashuri fare, ose ka një dashuri, një karikaturë të dashurisë, një tallje. E pengon kjo këtë vepër? Jo! Po të marrim një vepër si "Hamleti", që ka një dashuri të dështuar, ose një moskuptim, asgjë tjetër. Nuk është e thënë që të ketë. Mund të ketë fare mirë, e gjithë vepra e Dantes është e mbrojtur nga një dashuri e tërthortë. Kafka, Xhojsi kanë shumë pak. Janë shkrimtarët e sotëm, që duhet të kishin më tepër dashuri në veprat e tyre, meqenëse dashuria është një ndjenjë, që në botë është shtuar.
Çfarë është letërsia për ju? Është realitet i gjithhershëm, apo më tepër a më pak se kaq?
Letërsia është për mua një lloj jete paralele. Disa herë e ngatërroj me jetën. Quhet vlerë e letërsisë sa e pasqyron ose jo jetën. Unë mendoj se është pak e kundërta, letërsia nuk ka merak sa e pasqyron ose jo jetën. Ajo mund të jetë e fuqishme, duke e pasqyruar jetën, po dhe aq e fuqishme duke mos e pasur aspak. Me një fjalë, marrëdhëniet e saj me jetën janë shumë të ndërlikuara. Jeta sa është mikja më e madhe e letërsisë, aq dhe armikja më e madhe e saj. Sepse ajo kur hyn në mënyrë të dhunshme në letërsi, kur e ka pjesën e vet më shumë se ç'duhet, e dëmton. Ashtu sikurse po mungoi, e dëmton gjithashtu. Letërsia është një jetë paralele, sepse po të ishte pasqyrim i saj, njerëzit s'do kishin shumë nevojë për të. Ajo është jetë që ndryshon nga jeta, dhe këtu është gjithë misteri i saj. Ajo që është quajtur letërsi natyraliste, ka qenë e dështuar, që e pasqyronte jetën me shumë besnikëri. Nuk ka nevojë lexuesi për atë jetë, s'ka nevojë t'i tregosh ç'bën ai nga mëngjesi në darkë. Disa herë ka pasur një keqkuptim tragjik, duke thënë pse kjo është jeta. Në komunizëm më kujtohet, problemi numër 1 i shkrimtarëve ishte se kjo është jeta e punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve. Po ç'i duhet njeriut të lexojë në libra atë që jeton nga mëngjesi në darkë? Aspak s'i duhet, mirëpo keqkuptimi ka qenë tragjik. Dukej sikur kjo i duhej njeriut. Në fakt, kjo ishte për ta shkatërruar letërsinë, për të dhënë një letërsi të pa vlerë, që nuk i hyn në punë askujt. Pjesë të jetës janë interesante për letërsinë, kurse pjesë të mëdha janë të pavlera. Cilat janë këto pjesë të jetës? Këtu është pastaj talenti i shkrimtarit, projeksioni i tij ku bie, drita e tij. Për dikë ndriçohet një pjesë e jetës, që atij i duket me vlerë për letërsinë, minierë, ndërsa tjetrit i duket asgjë. Këtu pastaj ndahen shkrimtarët. Prandaj letërsia është interesante. Prandaj po theksoj, që është një jetë paralele, një plotësuese e saj, një jetë tjetër, një planet tjetër.
Meqë jemi këtu, përse shkruani, letërsia është fati juaj?
Letërsia është një vlerë në vetvete, është e pavarur nga detyrimet misionare, nga detyrimet e tjera të shkrimtarit etj., etj. Shkrimtari do të luajë edhe një rol shoqëror në jetë, nuk përjashtohet të ndihmojë shoqërinë, jetën e vet, popullin e vet, kombin. Po në qoftë se letërsia ka vetëm këtë qëllim, ajo do të jetë tepër e kufizuar. Në historinë e popujve ekzistojnë të tilla letërsi. Janë letërsi të fisme nga morali i tyre, janë krijuar nga shkrimtarë, që quhen kombëtarë, që do të thotë në radhë të parë shkrimtarë të flijuar për hir të misionit që marrin përsipër, ose që u ngarkohet. Koha ua ngarkon dashur pa dashur dhe ata sakrifikojnë artin e tyre. Për shembull, Naim Frashëri, një pjesë të veprës së tij, nga ana profesionale e ka me një vlerë të diskutueshme artistike. Shkrimtarë të tillë ka plot në letërsinë shqipe. Dy shkrimtarë kombëtarë ka Shqipëria, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta. Ata kanë sakrifikuar shumë nga arti i tyre për t'u shkrirë me peizazhin kombëtar historik shoqëror të vendit të tyre dhe për mua këta janë shkrimtarët e fundit kombëtarë të papërsëritshëm, sepse besoj se nuk do ta kërkojë koha. Nuk do të ketë kohë të tillë që t'i kërkojë këtë mision kaq të madh të shkrimtarit. Si të thuash shkrimtar martir, kombëtar dhe martir, ose i flijuar.
Le të flasim për regjime të ndryshme dhe marrëdhëniet e shkrimtarit. Në regjime të ndryshme si është ky raport?
Ka shumë diskutime për këtë gjë. Unë kam mendimin që letërsia nuk duhet asnjëherë ta quaj veten, ose të pranojë të quhet viktimë. Letërsia botërore ka njohur veç regjime të egra. Letërsia ka 3 mijë vjet që ekziston, ndërsa historia moderne e njerëzimit ka 2 mijëvjeçarë. Letërsia është më e vjetër. Ajo zakonisht ka njohur periudha tepër të vështira, tepër të errëta. Është mësuar me to. Letërsia nuk ka frikë nga regjimet, qoftë dhe diktatoriale. Është ndryshe nga ç'thuhet që një ide që ne do të ishim shkrimtarë të shquar, të mëdhenj po ne na qëlloi një kohë e keqe. Zakonisht ka qenë kohë e keqe për letërsinë. Prandaj letërsia nuk ka frikë nga kjo. Letërsia nuk është viktimë, është po aq e ashpër sa tirania dhe ky është fakti që ajo mund të luftojë me të.
Ju a i keni bërë retushime politike veprës tuaj?
Është një nga spekulimet që zakonisht bëhen ndaj shkrimtarëve. Janë disa klishe. Njëra nga klishetë që bëhet së paku me mua është kjo çështja e retushimeve. Është një gjë e pavërtetë absolutisht në thelb. Parimi i parë që është absolut për të gjithë shkrimtarët është që ai është zot i veprës. Bën ç'të dojë me veprën e vet, po ndërkaq ka një parim moral, që nuk është i pari po që vjen paralel me to. Kur ka kalime dramatike nga një epokë në tjetrën, sidomos nga një tirani në një demokraci, asnjë shkrimtar serioz nuk retushon veprën e tij me qëllime politike. Ajo vepër që ka nevojë për retushime politike, zakonisht është e dobët. Nuk ka nevojë, bie vetë. Kurse vepra e vërtetë nuk ka nevojë edhe kur ka mendime të gabuara politike. Ashtu ishin mendimet. Shkrimtari ashtu e ka shkruar veprën dhe nuk ka pse ta retushojë, sepse moralisht është e dënueshme. Shkrimtari veprën e ka publike. Çdo lexues mund ta krahasojë e të shohë se ka patur një mendim prodiktatorial dhe e ka bërë kundër. Asnjë nuk e bën këtë gjë. Dhe në veprën time nuk ka të tilla. Por retushe artistike shkrimtari bën gjithë jetën, kur ka mundësinë çdo rast të botojë veprën e tij ose ta ribotojë. Nuk ka shkrimtar që të mos ta dijë që ka paragrafë të dobët nga ana e teknikës së të shkruarit dhe të mos i shmangë me rastin e ribotimit. Këtu janë dy probleme që janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Në veprën time ka retushe artistike gjuhësore dhe nuk ka retushe politike. Tek "Dimri i vetmisë së madhe" unë nuk mund të them atje se me Hrushovin në sallë nuk hyri Enver Hoxha, por hyri Enver Prifti. Ai ishte siç ka qenë. Nuk mund të ndryshojë asgjë. As nuk mund të ndryshojë fjalën që janë këmbyer, janë historike. Pra, unë kur lë personazhin e atij që quhet diktator, përse do të kem frikë nga ngjyrime të tjera të kohës? Është fare pa kuptim, në radhë të parë një mashtrim. Ç'do t'i ndryshoja unë "Prillit të thyer" që është një vepër me gjakmarrje? Do t'i ndryshoja këndin e pushkës kur qëllon ai, apo peizazhin e malit ku ecën, apo tek "Kush e solli Doruntinën", çfarë do të ndryshoja? Kur në këto vepra ka ngjyrime politike të theksuara nuk ka ndryshime si "Dimri i vetmisë së madhe", ose romani im i famshëm për të keq "Dasma", që ka marrë namin si vepra ime më e dobët. Kur unë botoj veprën më të dobët, ia jap publikut, nuk i heq asnjë presje, sepse e kam botuar si një model. Ja një vepër që quhet e dobët e imja, dhe nuk ka asgjë të ndryshuar, as teknike dhe as gjuhësore. Dhe romani im i parë "Qyteti pa reklama" nuk ka asnjë presje të ndryshuar, sepse është i pari, kur unë isha student 23-vjeçar. Pra është gjithë problemi fiktiv, i kotë dhe i pavërtetë në thelbin e tij.
Ju përmendët pak më parë Enver Hoxhën. Cila ka qenë marrëdhënia juaj me të, sa herë e keni takuar?
Një herë në jetën time, midis klisheve që thuhen se Kadareja hynte dhe dilte te shtëpia e Enver Hoxhës. Kam hyrë njëherë në jetën time, në vitin '71, gati 40 vjet përpara. Dhe kjo ka qenë e para dhe e fundit. Mund ta kem takuar kur vinte në Kongresin e Shkrimtarëve apo në ditëlindjen e tij, kur shkonim 30 shkrimtarë dhe i jepnim dorën të gjithë.
Mund të na thoni diçka më shumë për këtë takim?
Takimin e kam përshkruar në një kujtim-esse. Edhe për këtë ka patur spekulime. Enver Hoxha para se të vdiste, jo ai vetë, por instituti i marksizmit i kërkoi njerëzve që kishin takuar Enver Hoxhën të përshkruanin takimin me të. Ishte e çuditshme se të tërë ata që do të përshkruanin takimin e dinin se ai të tëra do t'i lexonte vetë. Dhe kuptohet se si të gjithë ranë në një gjendje jo komode. Të shkruash, të bësh një farë portreti ose një reportazh të asaj që ka ndodhur, si e ke parë ti, duke e ditur që ai do ta lexojë. Dhe unë kam shkruar takimin me të, dhe është botuar pas vdekjes dhe këtu ka qenë pabesia se u kërkua para vdekjes dhe e botuan pa u dhënë sqarimi se kur janë shkruar. Mirëpo ky fakt është i njohur dhe mund të verifikohet plotësisht. E kam përshkruar më duket saktësisht takimin, nuk ka elozhe. Ka një përshkrim të saktë, duke thënë kryesisht përshtypjen e mirë. Mund të them se përshtypja ashtu ka qenë, nuk mund të them se pata nga ky takim një përshtypje të keqe. Takimi ishte dy orë e gjysmë, ku unë kam folur disa minuta dhe ai ka folur dy orë e gjysmë. Po është e vërtetë.
Çdo të thotë kjo se raporti është kaq shumëfish sa sigurisht duhet të ketë edhe një domethënie?
Nëse do kërkohej një domethënie, është kjo që ai kërkoi të linte një përshtypje të mirë, tregoi për mbledhjen e Moskës, një sërë detajesh shumë interesante, bëri portretizime të personazheve, tregoi gjendjen e vet shpirtërore, trazimet e tij. Tregoi kujtime nga Gjirokastra, d.m.th foli, foli vazhdimisht, duke dashur kryesisht, që një shef shteti, partie do të dëshironte të linte një përshtypje të mirë ndaj shkrimtarit. Tani lind pyetja, po shkrimtari ndaj tij? Fakti që unë fola shumë pak do të thotë se me sa duket përshtypjen e kisha dhënë me librat e mi dhe ndoshta nuk e kisha në dorë të flisja, ose jo se dhe nuk mund t'i prisja fjalën, por edhe mund të ndërhyja. Njëherë i thashë jam dakord me ju shoku Enver dhe aty për aty thashë që ky njeri nuk është mësuar të dëgjojë këtë. Një gjë që ne e themi në jetën e përditshme dhe thashë më mirë ta kufizoj fare të folurin, dhe e kam dëgjuar.
Ka një debat shumë të madh për rishkrimin e historisë, sidomos duke përfshirë periudhën e komunizmit në Shqipëri. Si mendoni se është parë kjo periudhë 18 vite pasi e kemi lënë?
Diskutimi është farë i qartë. Sigurisht që një epokë e caktuar që quhet plotësisht e gabuar në jetën e një kombi është shkruar gabim, sepse është shkruar nga fitimtari. Natyrisht që historia e komunizmit do të rishihet. Të gjitha fazat e komunizmit janë shpjeguar në mënyrë të gabuar dhe e vërteta duhet rivënë në vend. Forcat shoqërore që kanë luftuar në Shqipëri, lëvizjet komuniste antikomuniste, lëvizja balliste, ajo mbretërore, të gjitha këto janë shkruar gabim dhe e vërteta kërkon që ato të rishihen. Kjo pjesë e historisë natyrisht që do të rishkruhet. Pjesa e mbretërisë ka disa variante. Ajo që është shkruar në kohën e mbretërisë ndoshta kërkon retushim. Historia gjithmonë kërkon saktësime të mëvonshme, nuk ka asgjë të keqe. Por ajo ka më pak nevojë, e aq më pak ka nevojë historia mijëvjeçare e Shqipërisë, që përgjithësisht nuk e kemi bërë vetëm, por të huajt, përgjithësisht është e saktë. Prandaj këtu është spekulimi që ngatërrohet termi rishkrim i historisë. Thuhet në mënyrë mjegullore dhe nuk kuptohet, dikush kupton njërën fazë, dikush tjetrën. Rishkrimi është i nevojshëm për një pjesë dhe i panevojshëm për një pjesë tjetër. Rishkrimi disa herë është skandaloz, siç është debati që po bëhet tani, që unë do ta quaja të turpshëm, debati për revizionimin e Skënderbeut. Nuk kuptohet qëllimi ku është. Është shumë i errët. Nuk kuptohet pse. Nuk kuptohet si dhe cili është shkaku themelor që e shtyn këtë gjë, në mos qoftë një shkak tepër banal, por i shëmtuar.
Cili është qëndrimi që sipas jush po mban shoqëria shqiptare për regjimin e kaluar?
Qëndrimi ende nuk është i qartë. Është e kuptueshme. Është kërkuar nga të gjitha vendet ish-komuniste të dënojnë krimet e komunizmit, si një proces që do të çojë këto vende përpara. Ne jemi ndër më të fundit për të mos thënë i fundit, prandaj shoqëria shqiptare duhet ta zgjidhë këtë problem.
Rikthehemi te marrëdhënia e shkrimtarit me strukturat shtetërore? Ka servilizëm në këto marrëdhënie?
Zakonisht flitet për servilizmin e letërsisë në regjimet totalitare. Dhe është e drejtë, sepse një pjesë e madhe e letërsisë kështu ka qenë. Ka qenë e përulur, e kemi ende sot, si në Korenë e Veriut, që as nuk bëhet fjalë që letërsia të ketë më të voglën pavarësi apo dinjitet. Por mendoni si ka qenë përpara kur gati gjysma e botës ka qenë komuniste. Sepse harrohet gjithmonë se një hapësirë e madhe, gjigande është shumë më shtypëse se sa diktatura të veçuara siç janë tani. Dhe prapë flitet për servilizmin e artit dhe letërsisë ndaj regjimeve, por rrallëherë flitet për servilizmin e kundërt. Është i njohur servilizmi i regjimeve të ashpra diktatoriale ndaj artit. Është më i pakët, por i njohur. Di t'u them një shembull kurioz. Në kohën e nazizmit, ka qenë një shkrimtar i madh gjerman, Herct Junger, shkrimtari kombëtar zyrtar në atë kohë. Flitet ende pak për të, sepse është në periudhën e rikthimit në jetë. Historia e tij është shumë interesante, idetë e tij u shfrytëzuan nga nazizmi dhe vetvetiu mori aureolën e shkrimtarit përfaqësues të Gjermanisë naziste. Dhe ndodhi me këtë dukuria e çuditshme e servilizmit. Deri ahere quhej se Jungeri qe servil i Hitlerit, dhe u vërtetua e kundërta. Është i njohur komploti i kurdisur ndaj Hitlerit kur e plagosën. Një nga komplotistët e detyroi të vriste veten, ndërsa kur u zbulua që një ndër ta ishte dhe Herct Jugneri, Hitleri mbylli sytë. Ai e fshehu në mënyrë absolute dhe një kohë të gjatë Gjermania nuk e dinte që Junger ishte komplotist. Ky tiran që dukej që s'falte kënd e uli kokën përpara shkrimtarit. Shumë vite me pas doli e vërteta, Jungeri u tërhoq nga jeta në Gjermani. Ka vdekur para disa vjetësh, 102 vjet, por mesa duket shërbimet e fshehta perëndimore e dinin të vërtetën dhe ndaj tij u mbajt një qëndrim, që mund ta quash enigmatik.
Ju thatë pak më parë se keni takuar Enver Hoxhën dhe raporti i bisedës suaj ka qenë 2 orë me dy minuta. A mos është pasqyrim pak a shumë të njëjtit fenomen?
Nuk do ta përdorja fjalën servilizëm. Do të ishte një mendjemadhësi nga ana ime, por një tolerancë e tepruar ishte dhe shpesh kjo është folur në publik. Kadaresë i janë lejuar ca gjëra që nuk i janë lejuar të tjerëve. Kjo është e vërtetë dhe ka dalë një pëshpërimë, një mendim, që Kadare është mbrojtur nga Enver Hoxha. Unë nuk e kam mohuar një gjë të tillë. Ndoshta vite më parë kur kam dhënë intervista më është bërë direkt pyetja në televizion dhe kam thënë "Po, më ka mbrojtur". Kam shtuar dhe atë po nga kush më ka mbrojtur, nga regjimi i vet, nga besnikët e vet, nga vetë Enver Hoxha, nga pjesa e ashpër e tij, nga pjesa e keqe e tij, po kështu është fakti. Dikush shkruante një shkrim para ca kohe që si është e mundur që në "Pallatin e ëndrrave" hapur del Tirana dhe iu fal shkrimtarit kjo. Iu ndalua vepra sigurisht, po u fal. Për këto gjëra shkoje në pushkatim.
Pyetja sot është pse ju ka mbrojtur?
Më ka mbrojtur sepse mesa duket shkrimtari e ka me vete mbrojtjen. Kjo është pak a shumë jo në atë shkallë si Hitleri me Jungerin, por në një farë mënyrë ngjan, është një farë pasqyrimi, d.m.th që një shkrimtar mund të ketë mbrojtjen me vete shumë më tepër se dikush tjetër. Jam i sigurt se koha do ta tregojë kur të hapen dokumentacionet, çfarë kishte në dokumentacion ai për mua dhe sa më ka toleruar. Mesa duket ka toleruar shumë dhe kjo thuhet tani dhe nga ithtarët e tij si një gjë që sa zemërgjerë ka qenë shoku Enver me Kadarenë dhe sa mosmirënjohës është shkrimtari. Nuk është punë mosmirënjohje. Unë jam shkrimtar, do e them atë që mendoj. Dhe në qoftë se jam mbrojtur prej tij më ka mbrojtur për interesin e tij dhe jo për sytë e bukur të shkrimtarit.
Përmendët hapjen e dokumentacionit. Ju jeni pro apo kundër hapjes së dosjeve?
Absolutisht. Është barbare të thuash që të jemi kundër hapjes së të vërtetës sido që të ketë ndërlikimet ajo. Është më mirë gjithmonë ajo të hapet sesa të rrijë e mbyllur. Të propozosh mbylljen është një gjë si të propozosh jetën dhe vdekjen, dua errësirën, dua vdekjen.
Le të vijmë tek çmimi Nobel. Sa i rëndësishëm është ai për ju?
Prapë duke rrezikuar të krijojë një keqkuptim, po ju them një gjë të sigurt. Është më shumë e rëndësishme për ju se për mua, ju në këtë rast jeni shoqëria shqiptare dhe është e natyrshme. Popujt e vegjël, popujt që kanë vuajtur nga mosnjohja, nga izolimi japin një dramacietet më të madh siç duket këtij çmimi, dhe gati-gati e tragjedizojnë ndonjëherë dhe festa bëhet tepër e madhe në rastin pozitiv. Të them që shkrimtari vetë nuk e ka plotësisht atë që ka shoqëria, ndoshta duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Unë jam profesionist. E di së ç'është letërsia që do të rrojë, e që nuk do të rrojë, sa rol luan çmimi Nobel në këtë gjë dhe sa nuk luan rol. Për shkrimtarin ka gëzime të tjera që ju garantoj që janë më të mëdha se çdo çmim që mund të marrë. Gëzimet më të mëdha në jetën e një shkrimtari janë gjetjet e tij. Xhojsi i ka quajtur epifani një gjendje eksitante mendore, kur ai është i aftë, truri i tij me një lehtësi të habitshme bën zbulime ose struktura veprash të ardhshme. Është një mrekulli që zgjat jo shumë, por këto janë momente shumë të bukura për shkrimtarin që ai nuk i ndan me askënd, po që i shënon në fletoren e tij dhe i përdor për veprat e ardhshme. Se ato nuk mund të botohen kurrë. Sigurisht çmimi Nobel (është një trill të them, që aq më bën mua, punë e madhe), është një kënaqësi tepër e madhe, është si të thuash kurorëzim, po dihet ndërkaq që ka shkrimtarë nobelistë që kanë qenë shkrimtarë të mirë me fat dhe ai e ka shtuar fatin.
Në fakt ka nga ata që e kanë refuzuar, ndërsa të tjerë e kanë vlerësuar vetëm për paratë...
Refuzime ka pasur shumë pak, Sartri e ka refuzuar vetëm, Pastërnaku e ka refuzuar i detyruar nga shteti sovjetik, por nuk është ajo. Një shkrimtar kinez e mori para 4 vjetësh, ju siguroj nuk e di njeri emrin atij, dhe unë e di dhe e harrova. Kina nuk e pranoi e quajti kot, Franca e quajti shkrimtar francez, pastaj doli që ai vetë tha nuk jam francez edhe ju nuk e dini besoj. E mori një kinez, i cili nuk u pranua nga asnjë vend. Se si e mori një Zot e di. Pa dyshim nuk ishte shkrimtar i keq, por humbi dhe shkrimtarin nuk e nxori dot në dritë Nobeli.
Së fundi keni deklaruar në shtyp se për mosmarrjen e çmimit Nobel ka kontribut të drejtpërdrejtë ambasadori i Shqipërisë në Suedi asokohe. Duket e pabesueshme porse për këtë kemi edhe dëshminë publike të shkrimtares Natasha Lako. Mund të na tregoni diçka për këtë?
Po ju them me një bindje, kështu është e vërteta. Këtë gjë nuk e kam marrë ndonjëherë seriozisht dhe fakti që kjo ka ndodhur në vitin 1994, 14 vjet përpara e ka lënë në hije. Rastësisht ra fjala në Gjirokastër. Akti është shumë i shëmtuar si dukuri shqiptare ku ne nuk duam, nuk kemi dëshirë të vlerësojmë atë që duhet të vlerësojmë që është normale për çdo popull. Sa mirë shtetet, popujt çmenden për futbollin, është e shëndetshme, njerëzore. Kur vjen puna në disa të tjera, nuk duan një pjesë, aq më keq kur një pjesë e shtetit nuk do. Prandaj në rastin e një ambasadori, ai nuk mund të ndikonte, veçse në qoftë se Shqipëria sa kishte përmbysur regjimin dhe mund të merrej parasysh mendimi shtetëror, mendim i një të vërtete të munguar.
Sa keq ju ka ardhur për këtë?
Si fenomen ju vjen keq të gjithëve mendoj unë, jo vetëm mua. Shqiptarët preken nga kjo gjë. Nuk e duan dhe prapë e pësojnë
Një fenomen i ngjashëm i ka paraprirë çmimit International Booker Prise? Në faqen e internetit vinin për ju komente negative të vetë shqiptarëve?
Ky ka qenë shembulli më i shëmtuar. Ky është çmimi më i madh që jep Britania e Madhe, i dyti pas Nobelit. Çmimi u shpall në internet, u shpallën 18 kandidatët tre muaj përpara dhe njerëzit jepnin mendime për ta, ndryshe nga Nobeli që është sekret. Isha në një listë shumë të zgjedhur, me shkrimtarët më të shquar nga gjithë bota dhe i vetmi shkrimtar që kishte komente negative nga vendi vet isha unë. Sulme të shëmtuara shumë dhe është fati im që ishin aq të shëmtuara, sepse ishin të pabesueshme dhe unë e mora çmimin. Ndoshta ka ndikuar për të kundërtën. Ai sit u ndoq nga mijëra lexues në botë dhe ajo u komentua shumë keq për popullin shqiptar. Ajo ishte një gjysmëmilionta e popullit shqiptar, madje disa ishin po ata që e bënin me emra të ndryshëm. Një lexues që ndjek këtë garë mendon se sa i ligë është ky popull që nuk do shkrimtarin e vet. Mua ndoshta më bëri mirë ose nuk më bëri aspak keq, por i bëri keq imazhit shqiptar në mënyrë të padrejtë. Ç'faj ka kombi shqiptar që dalin ca zuzarë atje, por nuk mund t'ua sqarosh të tjerëve. Nuk doli askush ta kundërshtonte dhe e mori Shqipëria atë njollë.
Së fundmi, pas botimit të monografisë "Skënderbeu" të Oliver Jens Schmitt është hapur një debat pro dhe kundër figurës së Skënderbeut. Sipas jush pse tani ky debat, çfarë synon?
Debati është krejtësisht i gabuar, turpërues për Shqipërinë, për kombin shqiptar, për dinjitetin e kombit shqiptar. Do të kujtohet si një gjë e neveritshme më vonë, si kujtohen barbaritë e Haxhi Qamilit ose të Esat Toptanit. Ky është një debat që përsëritet nëpër shekuj. Problemi është shumë i thjeshtë. Është një mashtrim kolosal në radhë të parë. Skënderbeu është një figurë që nuk ka ç't'i qortohet. Ka figura kundërthënëse në botë siç është Napoleon Bonaparti. Ka lavdi, ka dhe vërejtje të shumta. Megjithatë e ka zënë vendin e tij në historinë e Francës, në qytetet franceze me bustet e tij. Të kthehemi në Ballkan, i famshmi Drakula i rumunëve. Ka qenë një prijës rumun, që ka luftuar në perandorinë osmane, por duke qenë tepër i egër, e liga, mizoritë e tij e errësuan figurën dhe ndërsa rumunët mundohen më kot ta mbrojnë disa natyrisht e kanë mohuar. Europa e ka hedhur poshtë me përçmim dhe ai është bërë simbol i së keqes. Pra komuniteti europian ka qenë i pamëshirshëm me figurat që, ndonëse kanë kryer një rol heroik nga ana e jashtme, kanë qenë të papranueshëm saqë janë mohuar. Tani çfarë ka bërë ky Skënderbeu të keqe që ne shqiptarët duhet ta vëmë në diskutim. Dhe del një gjerman në mënyrë të papritur që ka nja njëmijë e pesëqind libra për të dhe ne duhet si servilë të ulim kokën të gjithë dhe të shohim ç'thotë ky gjerman, kur kemi qindra e qindra libra dhe vlerësim të padiskutueshëm të Skënderbeut. Ka qenë një kohë kur ai ishte më i njohur në Europë se në Shqipëri. Figura e tij është zbërthyer nga të gjitha anët. Çfarë i qortohet Skënderbeut? Është vërtet për të vënë duart në kokë. Si është e mundur që kjo çmenduri të ndodhë në Shqipëri. Ose kjo lidhet me një shëmti më të madhe që neve sot nuk e kuptojmë, por që do të dalë më vonë. Është një lloj përpjekje për destabilizim psikotik të brendshëm të vendit. Se çfarë ka, ku e gjetën të keqen tek Skënderbeu. Disa e qortojnë se tradhtoi Turqinë. Del shqiptari avokat i Perandorisë Osmane që vetë Turqia e ka hedhur poshtë. Ç'është kjo Shqipëri e sotme? Disa kërkojnë heqjen e tij nga historia e Shqipërisë dhe vendosjen e Ballaban Pashës në vend të tij. Shikoni pra një kthim kokëposhtë, një tallje me kombin shqiptarë.
Disa thonë që emri i babait është Ivan dhe jo Gjon?
Domethënë Skënderbeu ka këto dy alternativa që i lejohen tani nga renegatët tanë, ose të Kosovës, se edhe këta nuk janë më pak aktivë në këtë gjë. Dhe është një turp gjithashtu për Kosovën që ka problemin themelorë sot që të mbajë pavarësinë ta ushqejë pavarësinë dhe lirinë e sapofituar dhe për çudi disa prej gjoja intelektualëve të Kosovës i vënë një njollë kësaj aspirate për të cilën u derdh gjak. E vënë në dyshim papritur dhe duan të tregojnë që edhe nëse do ta mbajmë Skënderbeun, ose do ta hedhim si figurë negative që paska tradhtuar Perandorinë Osmane. Unë nuk e kuptoj pse. Ose nëse do ta mbajmë, do ta mbajmë si serb. Kjo është shpifje monstruoze. Në fillim u gjet që babai i Skënderbeut paska pasur një grua sllave. Kjo mund të jetë e vërtetë. Tërë feudalët, tërë princat e Europës merrnin gra të huaja dhe asnjëherë gruaja e huaj nuk kthente identitetin e vendit. Tani i gjetën edhe babanë, na e paska serb. Ky është kuptimi i shëmtuar i kësaj, d.m.th që nëse kjo figurë do të mbahet, do të mbahet si figurë me zanafillë sllave, që nuk është e vërtetë fare, d.m.th që Kosova do të kthehet përsëri në statusin e provincës serbe dhe normalisht kryezotin e saj, heroin do ta ketë serb. Shikoni pra "harmonia" do të kthehet si më parë, Kosova ka qenë provincë e Serbisë dhe heroin tani ia gjetën e paska patur serb, dhe është normale statusi i përjetshëm i saj që duhet të kthehet përsëri aty ku ka qenë dhe është turp për Kosovën, për intelektualët e saj që nuk gjejnë energji për të vënë në pozitë të vështirë ata që janë bashkuar në këtë shëmti. Në radhë të parë mendoj se përgjegjësia është këtu tek ne.
Kujt i bën mirë dhe keq ky debat?
Ky i bën keq Shqipërisë, i bën mirë të gjithë atyre që duan ta shohin mundësisht kombin shqiptar të përmbysur, edhe jashtë Europës. Është debat antishqiptar dhe antieuropian. Skënderbeu nuk është vetëm njeri i shpatës, por edhe i vizioneve të mëdha proeuropiane. Është vizionari më modern, jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i Ballkanit. Ç'është Ballkani sot, po psherëtin mezi po pret të hyjë në Europë. Kush nga të parët prijës të Ballkanit ktheu sytë nga Europa? Nuk ka tjetër si Skënderbeu. E kam thënë në një intervistë tjetër, homologu i tij më i afërt ishte Gjon Huniadi i Hungarisë bashkëkohës, bashkëluftëtarë aleati i tij më i ngushtë e megjithatë Huniadi që është nga qendra e Europës, nuk ka atë njohje që ka Skënderbeu. Pra kemi gati dy binjakë dhe Skënderbeu e ka marrë gati një aureolë të përgjithshme në kontinent dhe ne për turpin tonë duam ta rrëzojmë. Kurse hungarezët e kanë heroin e tyre dhe me të drejtë e nderojnë.
Para këtij debati dhe pothuaj në të njëjtin rrafsh ka qenë ai me Rexhep Qosen mbi identitetin e shqiptarëve. Pse ky rikthim i herëpashershëm i debatit për identitetin tonë kombëtarë. Çfarë ka të paqartë?
Nuk ka asgjë të paqartë. Paqartësinë e krijojmë vetë ne, në mënyrën më monstruoze që mund të mendohet. Problemi është shumë i thjeshtë. Problemi është i zgjidhur nga tradita e mendimit njerëzor. Popujt kanë njohur sundime, popujt europianë të Ballkanit, se kështu janë pjesë e Europës kanë patur një fat të përbashkët, jemi sunduar shumë gjatë. Asnjë popull nuk e ka modifikuar identitetin e vet, duke iu përshtatur identitetit të sunduesit. Tani do të dalë Shqipëria me tezën se ne po e bëjmë këtë novacion. D.m.th ne po shpallemi më të padenjët e Europës, që meqë na pushtoi ky pushtues, jemi të detyruar të quhemi gjysmëturq, gjysmëlindorë. Pse ne hoqëm dorë nga kontinenti ynë, ç'na shtyu? Dhe kjo është tragjedia që kthehet në një spekulim të madh politik. Feja myslimane nuk ka asnjë lidhje të identifikohet me sundimin turk. Feja është tjetër gjë dhe administrata dhe sundimi turk ndonëse ishte edhe ajo që kontribuoi për hapjen gjerësisht, këto janë të ndara. Kur Serbia bëri plane dhe llogariti që po e vë poshtë Kosovën dhe Europa do të rrijë duarlidhur, shpresa e saj vetme ishte që do të shfrytëzonte myslimanizmin e shqiptarëve, për t'i thënë se këta luftojnë për myslimanizëm dhe jo për liri. Shqiptarët e Kosovës luftonin në radhë të parë absolutisht për liri dhe përpara se të ishin myslimanë, ishin shqiptarë dhe pastaj ishin myslimanë dhe katolikë. Katolikët e Kosovës u dërmuan, u masakruan një lloj si myslimanët, dhe të dy nuk luftuan për fenë, por për lirinë. Kurse Serbia donte të çorientonte. Të mos lejojmë krijimin e një republike islamiste në Europë, ndaj na lini neve të lajmë duart me shqiptarët. Europa nuk i la dhe ajo tregoi një faqe të ndritur të historisë së saj, një emancipim të jashtëzakonshëm, që goditi ata të "krishterët", për të mbrojtur ata "myslimanët". E kam thënë se tre grupet besimtare në Shqipëri, myslimanë, ortodoksë, katolikë janë barazisht shqiptarë, barazisht europianë. Nuk ka një portë të hapur më gjerë për katolikët, një më pak më të ngushtë, pro prapë e gjerë për ortodoksët dhe një portë fare të ngushtë për myslimanët. Nuk ka porta të tilla Europa. Ka vetëm një portë për kombin shqiptar, që do të hyjë me tre besimet e tij me katër komunitetet e tij. Dhe këtë ne duhet ta mbrojmë si një gjë të shenjtë. Dhe këtu janë të tëra spekulimet. Shikoni pikat e famshme te Ban Ki Mun, pika më e keqe, e gjashta: të mbrohet kisha serbe në Kosovë, domethënë kjo propagandë që bëhet proosmane në Shqipëri dhe Kosovë interpretohet prej serbëve: shikoni ajo që thamë ne, këta e kanë mendjen atje tek perandoria osmane, pra na mbroni kishën. Kisha serbe kthehet papritur kundër lirisë së Kosovës, dhe shqiptarët nuk kanë atë mençuri dhe energji të tregojnë, t'jua kujtojnë përsëri se "ne luftojmë për pavarësi dhe jo për atë që thoni ju. Ne në Kosovë kemi dy fe dhe të dy palët jemi të barabartë në principin e luftës sonë për të mbrojtur lirinë". Nuk e kuptoj çfarë ka të paqartë këtu. Nuk e kuptoj ç'kërkon ky identiteti i gjymtuar shqiptar, sepse nuk ka tjetër popull në Europë që të mbrojë këtë turp, që nga sundimi ndryshuam u bëmë përgjysmë. Pra dhe një sundim tjetër dhe bëhemi çerek.
Këto debate ndihmojnë në qartësimin e ideve, apo thjesht turbullojnë ujërat?
Këto debate duhet ndihmojnë, por mund të dëmtojnë kur spekulimet bëhen me dashje. Ne jemi në një epokë, ku nuk na lejohet luksi i diskutimeve të kota, aq më tepër çoroditëse, aq më tepër për gallatë, aq më tepër për t'u bërë personazh disa sharlatanë, e aq më tepër për personazh të errët, që duan të rishfaqen në botën shqiptare.