Krerët e shtetit “braktisin” Vlorën, në shesh vetëm vendorët
VLORE - Krerët e lartë të shtetit munguan dje në Vlorë, në përvjetorin e 96-të të Pavarësisë së Shqipërisë. Në sheshin ku u ngrit flamuri dhe ku u themelua shteti shqiptar ishin të pranishëm vetëm përfaqësuesit e pushtetit vendor, deputetë të Vlorës dhe qindra qytetarë, jo vetëm të vendit, por edhe shqiptarë të Kosovës. Ndryshe nga një vit më parë, kur kreu i shtetit, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e mjaft personalitete të tjerë, morën pjesë në 95-vjetorin e Pavarësisë, sivjet asnjëri prej tyre nuk shkoi në Vlorë. Fakti që krerët e shtetit nuk kishin konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në axhendën e kësaj feste, dekori dhe të gjitha zbukurimet e tjera nëpër qytet ishin shumë më modeste se ato të një viti më parë. Kjo atmosferë u ndie edhe te vetë qytetarët. Ndërsa përfaqësuesit e pushtetit vendor në fjalimet e tyre në nder të kësaj dite të madhe nuk bënë komente politike, duke anashkaluar faktin e "braktisjes" së festës së Pavarësisë nga krerët më të lartë të shtetit. q.b