E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akti normativ, 25% e makinave të regjistruara në varreza

SHKRUAN: Sabina Veizaj 27-09-2011 13:29

Akti normativ për varrezat e makinave, i sjellë dje në Komisionin Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese, ka ngjallur debate mes opozitës dhe mazhorancës. Akti në fjalë është miratuar vetëm nga deputetët demokratë, ndërsa ata socialistë kërkuan që akti të kthehej duke u rishqyrtuar me sugjerimet e bëra gjatë mbledhjes së komisionit. Faktori kohë dhe arbitrariteti i hartimit të aktit normativ ishin dy argumentet më të fortë me të cilët opozita e kundërshtoi aktin normativ në fjalë. Statistikat tregojnë se rreth 30% e automjeteve të regjistruara janë tashmë në varreza. Deputeti socialist Eduart Shalsi u shpreh teknikisht kundër sjelljes së këtij akti normativ, duke e argumentuar se në janar do të vijë në Kuvend një ligj i plotë që përfshin edhe varrezat e makinave. Në të njëjtën kohë, deputeti tjetër socialist Blendi Klosi u shpreh se problemi qëndron tek implementimi i ligjit, duke sugjeruar gjetjen e mekanizmave për zbatimin e tij. “Duhet të ketë ndonjë terr korruptiv këtu. Kjo tregon se shteti ka mbaruar. Gjerat bëhen me praktikë në terren.”- tha Klosi. Ndërsa deputeti Shalsi, duke iu rikthyer diskutimit, e cilësoi hartimin e aktit normativ arbitrar dhe aspak serioz. Për këtë, ai kërkoi që të rikthehej si akt normativ, duke thënë se “25-30% e makinave të regjistruara janë në varreza, prandaj duhet të nisë një proces identifikimi.” Pasi, sipas tij, një pjesë e makinave në varreza janë përdorur në aktivitete kriminale. Sipas Shalsit, paratë e shtetit po përdoren për të ushqyer aktivitete private. “Faktori kohë del kundër këtij akti normativ”- tha deputeti Klosi. Sipas tij, çështja nuk zgjidhet dot për një muaj, pasi tashmë ka kaluar koha. Sipas Klosit, qeveria duhet të nxjerrë VKM. Vendet për të transportuar makinat e dala jashtë përdorimit nuk janë përcaktuar ende. “1 muaj iku kot. Kjo është për të hedhur hi syve. Është një rrugë korruptive për qeverinë”- tha Klosi. Zëvendësministri i Mjedisit sqaroi gjatë prezencës së tij në komisionin e Ekonomisë dhe Financave se akti normativ për “Heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që ndodhen pranë rrugëve kombëtare,” ka si synim të përballojë situatën emergjente të krijuar nga gjendja e rënduar dhe problematike e vendgrumbullimeve të makinave pranë rrugëve kombëtare, të cilat kanë ndikuar në ndotjen e mjedisit dhe përkeqësimin e sigurisë rrugore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Akti normativ në fjalë ndalon krijimin e vendgrumbullimeve dhe grumbullimin e mjeteve motorike, rimorkiove etj., të dala jashtë përdorimit në një distancë jo më pak se 1km nga akset e rrugëve kombëtare, të përcaktuara si të tilla me Vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe në vende të tjera të paautorizuara nga organet apo institucionet përkatëse të ngarkuara me akte ligjore dhe nënligjore për këtë qëllim. Po duke iu referuar aktit normativ, pronarët ose poseduesit e vendgrumbullimeve ekzistuese të mjeteve motorike, që nuk i binden këtij akti, brenda një muaji nga hyrja e tij në fuqi, duhet t’i largojnë me shpenzimet e veta nga vendndodhja e tyre aktuale këto mjete. Ato mund të rivendosen në vende të tjera të autorizuara. Në këtë akt normativ saktësohet se më 1 janar të vitit 2017 ripërdorimi dhe rikuperimi i automjeteve në fund të jetës do të rritet të paktën deri në 85% të peshës mesatare për automjet çdo vit. Por aktualisht nuk ka asnjë vend të autorizuar për këtë qëllim. Sipas zv.ministrit Bino, brenda javës pritet të dalë udhëzimi me procedurat përkatëse për këtë qëllim. Në Shqipëri gjenden 290 varreza makinash, të cilat janë të vendosura përgjatë rrugëve kombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›