E Diel, 1 Nëntor 2026

Saitet amerikane: Shqipëria në 40 më të mirët për lirinë ekonomike

Liria ekonomike në Shtetet e Bashkuara po zbehet. Është kjo çështja shqetësuese në të cilën përqendrohen në analizën e tyre tre profesorë amerikanë të ekonomisë: James Gwartney, Robert Lawson dhe Joshua Hall. Sipas tyre, historikisht në dekadën e fundit, mbajtja e standardeve për tregje më të lirë ka rënë duke iu referuar listimit më të fundit përsa i përket indeksit botëror për Liri Ekonomike, i publikuar pak ditë më parë. Më 2000, SHBA u renditën në vendin e tretë në botë pas Hong Kong dhe Singapore, por në raportin më të fundit, SHBA janë renditur në vend të 10-të pas vendeve si Kanada, Kili, Australi dhe Mbretëria e Bashkuar. Indeksi mat shkallën në të cilën njerëzit në vendin e tyre janë të lirë të përmbushin objektivat e tyre ekonomikë pa taksat qeveritare dhe rregullimet e ndryshme fiskale. Ndërsa analizojnë të shqetësuar lirinë e tregjeve në Amerikë, tre profesorët marrin si shembull pozitiv Shqipërinë dhe vendet e tjera ish-komuniste, për mënyrën sesi kanë përparuar përsa i përket lirisë së tregut. “Ndërsa liria ekonomike ka rënë në Amerikë, dëgjohen lajme të mira për botën ish-komuniste. Një numër i vendeve ish-komuniste me ekonomi të përqendruar ka bërë progres të konsiderueshëm drejt tregjeve të lira gjatë dekadës së fundit. Tetë prej tyre, Shqipëria, Sllovakia, Estonia, Hungaria, Lituania, Bullgaria, Mongolia, dhe Gjeorgjia tanimë renditen në 40 të parat. Duke iu referuar krahasimit, vetëm tre vende të Amerikës Latine: Kili, Panama dhe Peru, renditen në 40 të parat. Të gjitha këto vende renditen aktualisht më lart se Zvicra dhe Franca.”- citon artikulli. Me lirinë ekonomike përfitimet dhe humbjet burojnë nga aktivitetet vullnetare sociale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›