Veprimtaria e ShIU-t, Imami sot raport te Siguria
Reforma në Shërbimin Ushtarak të Ushtrisë dhe puna e kryer në integrimin e plotë të ushtrisë shqiptare në NATO, do të jenë objekt debate në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i është përgjigjur pozitivisht kërkesë së deputetëve socialistë për të raportuar në një seancë të posaçme në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Tri janë pikat e përcaktuara në rendin e ditës, ku dhe do të përqendrohet raportimi i ministrit Imami: a) Gjendjen e sistemit të arsimit ushtarak; b) Përpjekjet e ministrisë së Mbrojtjes për integrimin e plotë të Shqipërisë në Aleancën e Traktatit të Atlantikut të Veriut si dhe c) Reforma në Shërbimin Informativ Ushtarak. Pika që pritet të hapë më shumë debat pritet të jetë kjo e fundit, pasi edhe më parë deputetët socialistë kanë bërë të ditura pretendimet e tyre për rolin dhe transparencën e punës së këtij shërbimi inteligjent.