Akti normativ, teprojnë 36 mln USD investime
Miratohet akti normativ për rialokimin e të ardhurave, që do të shkojnë për shpërblime dhe subvencione
TIRANË- Kuvendi miratoi dje aktin normativ të qeverisë, i cili parashikon rishpërndarjen e më shumë se 120 milionë dollarëve, kryesisht për shpërblime dhe kredi për disa kompani publike. Deputetët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë kundërshtuan këtë “buxhet”, duke e konsideruar atë tregues të paaftësisë së menaxhimit të të ardhurave publike nga qeveria. Ndërsa ministri i Financave,
Ridvan Bode, tha se ky akt normativ ka të bëjë me shpërndarjen e kontigjencave dhe të kursimeve që janë bërë për periudhën 11 mujore gjatë këtij viti. Pikat të cilat shkaktuan debate midis anëtarëve opozitar të Komisionit të Ekonomisë dhe ministrit të Financave Bode, ishin mosdeklarimi i të ardhurave të përfituara nga privatizimi i kompanive strategjike në buxhetin e vitit 2008 dhe fondi 2.7 miliardë lekë që qeveria ka parashikuar t’i ofrojë KESH-it. Këta të fundit, bënë të ditur se mbledhja e fondeve është bërë e mundur si pasojë e mosrealizimeve në investime për vitin 2008. Sipas këtij akti do të bëhet një rishpërndarje e investimeve në vlerën e 36 milionë dollarëve, brenda dhe ndërmjet programeve. “Pakësohen fondet për projekte, të cilat nuk kanë filluar apo kanë ecuri të ngadaltë, në projekte me ecuri më të mirë”, - shkruhet në relacionin shoqërues.Ish-ministri i Financave, njëkohësisht edhe nënkryetar i këtij komisioni, e konsideroi të paligjshme mospasqyrimin në buxhet të të ardhurave nga privatizimi i ARMO-s. “Një kompani, e cila nuk deklaron të ardhurat vjetore, dënohet dhe ju s’keni se si të thoni se do t’i përdorni vitin e ardhshëm të ardhurat e përfituara në vitin 2008 nga privatizimi i ARMO-s. Këto të ardhura mund të përdoren vitin e ardhshëm, por më parë duhet të deklarohen në buxhetin e këtij viti”, - tha ai. Mospasqyrimin e të ardhurave nga privatizimet në buxhetin e këtij viti, por në atë të vitit 2009, ministri Bode e përligji duke theksuar se ky vit ka pasur një ecuri të mirë financiare dhe se qeveria synon që t’i përfshijë këto të ardhura në buxhetin e vitit 2009, me qëllim mbështetjen dhe financimin e investimeve. Duke i konsideruar jo serioze ndryshimet e fundit, anëtarja socialiste në komision, Ermelinda Meksi, theksoi se kjo është e disata herë që qeveria ndryshon buxhetin e vitit 2008. “Në fillim qeveria solli buxhetin, pastaj e korrigjoi atë, duke sjellë një buxhet suplementar dhe së fundmi bën këto ndryshime”,- tha ajo.
- 12 miliardë lekë është shuma totale e parashikuar për rialokim në aktin normativ
- 2.7 miliardë lekë në aktin normativ janë parashikuar shpërblime për pensionistët
- 2.6miliardë lekë janë parashikuar t’i jepenKESH-it kredi me interes zero
- 600 milionë lekë do t’i paguhen OSSH-së detyrime të prapambetura të energjisë
- 2.1 miliardë lekë do t’i jepen ISSH-së për të kompensuar të ardhurat nga kontributet