KESH-i dhe OSSH-ja përkëdhelen me 30 milionë dollarë
Reagon opozita: Subvencionet e kompanive publike po bëhen me taksat e qytetarëve
Qeveria ka vendosur të japë rreth 30 milionë dollarë kredi me interes zero dhe subvencione për KESH-in dhe OSSH-në. Krahas ardhjes në ndihmë ndaj KESH-it dhe OSSH-së, ministri i Financave bëri të ditur edhe një serë sektorësh të tjerë, të cilët, gjithashtu do të përfshihen në listën e përfituesve nga rialokimi i buxhetit të këtij viti. Duke analizuar gjendjen financiare të KESH-it, ministri i Financave deklaroi se është parashikuar që kësaj kompanie t’i ofrohen 2.6 miliardë lekë në formë kredie, me interes zero. Sipas ministrit, treguesit ekonomik të KESH-it janë të ekuilibruar, duke mos i dhënë mundësinë të bëjë investime në të ardhmen. “Fondet po i jepen KESH-it me interes zero dhe do t’i merren atij në momentin kur ai të shënojë tregues të mirë financiar”,- shtoi Bode. I shtyrë nga deklaratat e Bodes, se fondet për KESH-in jepen me qëllim shëndoshjen gjendjes financiare të tij dhe krijimit të lehtësirave për import, ish-drejtori i këtij institucioni, Andis Harasani, e konsideroi të pavend dhënien e këtij fondi, duke qenë se në këtë periudhë HEC-et janë në kuota maksimale. Deputeti socialist Arben Malaj, tha se qeveria po e bën këtë subvencionim duke përdorur paratë e taksapaguesve. Po ashtu, shifrat e larta të mosarkëtimeve të faturave të energjisë elektrike nga OSSH-ja, e kanë detyruar qeverinë të përfshijë edhe OSSH-në në listën e përfituesve, duke i dhënë asaj 600 milionë lekë. Sipas Bodes, me këto para synohet të shlyhen faturat që kanë të bëjnë me ujësjellësit e Tiranës dhe Durrësit, të cilët janë në borxh me këtë të fundit për sa i përket energjisë së përdorur për shpërndarjen e ujit. Megjithëse OSSH-ja është në prag të privatizimit, asaj i janë akorduar edhe 150 milionë lekë hua për investime.