Nis shkolla, mësimi për të gjithë me turne
Në ditën e parë të mësimit, zilja e shkollës nuk ka rënë njësoj për të gjithë nxënësit, pasi një pjesë e tyre u janë drejtuar dyerve të shkollave në orët e drekës. Tashmë nuk flitet më për klasa të mbingarkuara, por për shkolla të mbipopulluara me nxënës. Ky shqetësim është më i madh për kryeqytetin. Pothuajse në të gjitha shkollat e Tiranës, mësimi do të zhvillohet me turne. Sistemi 9-vjeçar ka kaluar turni i dytë, nxënësit nga klasa e parë në të katërtën, ndërsa tek të mesmet është viti i parë ai që do ta nisë mësimin mbasdite. Për prindërit vështirësitë nisin që nga çështja e shoqërimit të fëmijëve për në shkollë. Por jo më pak në vështirësi gjenden edhe mësuesit, të cilëve ju duhet të japin mësim me turne. Sipas drejtuesve të shkollave në kryeqytet, fluksi i nxënësve është pothuajse sa dyfishi i kapacitetit. Këtë fakt e pranojnë edhe drejtuesit e arsimit parauniversitar në MASH, të cilët shprehen se për shkak të mbipopullimit nxënësit sërish do të përballen me mësim me turne, ndërkohë që për shmangien e këtij fenomeni Tiranës i duhen shkolla të reja. “Të thuash shkolla të mbingarkuara nuk do të thotë që klasa ka më shumë se sa numri që ne kemi pranuar si numër optimal, 35. Por, ne kemi problemin e shfrytëzimit të kapaciteteve të shkollave në përgjithësi. Pra, në qoftë se themi janë 15 gjimnaze në Tiranë, ne kemi rreth 5-6 shkolla që e kalojnë kapacitetin e tyre, pra, detyrohen të punojnë me turne”, - ka pohuar drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. Ndaj, mbipopullimi i klasava do të jetë një problem me të cilin gjimnazistët e kryeqytetit do të përballën sërish edhe gjatë vitit të ri shkollor. Një pjesë të fajit për këtë situatë e kanë edhe vetë të rinjtë, të cilët preferojnë që ta ndjekin shkollën e mesme në gjimnazet më të njohura të Tiranës, si: “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri”, “Petro Nini Luarasi” apo “Qemal Stafa”. Sipas drejtuesve të arsimit parauniversitar, nëpër gjimnazet e Tiranës janë 23 klasa që rrinë bosh, të pashfrytëzuara as turni i parë dhe as i dytë. Ndërkohë që nga regjistrimet e bëra, gjimnazet e lakmuar rezultojnë të mbipopulluar, ku vetëm vite të para, sivjet do të ketë 13 deri 20 klasa dhe për kapacitetet e shkollave ky fluks përballohet vetëm me turne.
Ndërkaq, viti i ri shkollor edhe këtë vit ka nisur me probleme të pazgjidhura për disa godina shkollore, që janë në kushte të papërshtatshme për zhvillimin e mësimit. Ky problem nuk ka haset më vetëm në rrethe të largëta të vendit, por edhe në kryeqytet, ku amortizimi i përgjithshëm i godinave ka arritur në pikën që Higjiena të kërkojë mbylljen e tyre. Bëhet fjalë për tri shkolla 9-vjeçare në qendër të Tiranës, “Siri Kodra” dhe “Ahmet Gashi”, “Servete Maçi”, që kanë qenë jashtë çdo standardi për të zhvilluar mësim dhe për këtë arsye Drejtoria e Higjienës kishte kërkuar “kyçjen” e tyre në shtator. Por, falë ndërhyrjeve të bëra së fundi nga Bashkia e Tiranës, dyert e këtyre shkollave janë hapur ditën e djeshme për të pritur nxënësit, ndërkohë që po kryhen edhe punime të tjera që kanë të bëjnë me rikonstruksione, si lyerje, heqje lagështire, apo rregullime të sistemit të ngrohjes. Përsa i përket punëve dhe ndërhyrjeve që po bën aktualisht Bashkia për këto shkolla, kryebashkiaku Lulzim Basha, sqaroi dje se: “Ndërhyrja në shkollat e mbyllura nga autoritetet e higjienës vazhdon. Jam informuar se janë eleminuar pasojat e klasifikimit të tyre, si të pasigurta, e rëndësishme është që të eleminohen edhe shkaqet, në mënyrë që gjendja mos të përsëritet. Ka gjithashtu, katër objekte shkollore, që kanë mbetur peng i burokracive dhe i mosveprimit. Po përgatitemi për të ecur përpara, me hapjen e tyre”, - theksoi kryebashkiaku. Këtë vit, në të gjithë vendin janë ulur në bankat e shkollës 650 mijë nxënës, nga të cilët, 56 mijë janë futur në klasën e parë. Pas përvojës së viteve të kaluara, në ditën e parë të shkollës, të gjithë janë përpjekur të evitojnë trafikun duke dalë më herët nga shtëpia. Por, gjithsesi mëngjesi i të hënës në rrugët e Tiranës, nuk i ka shpëtuar dot këtij problemi. Në disa akse lëvizja e makinave është paralizuar, pavarësisht se në kryqëzimet kryesore të Tiranës ishin vendosur forca të shumta policore për të normalizuar situatën.
Shkollat me probleme
“Siri Kodra”
“Ahmet Gashi”
“Servete Maçi”
Gjimnazet e mbipopulluara
“Ismail Qemali”
“Sami Frashëri”
“Petro Nini Luarasi”
“Qemal Stafa”
Topi: Kjo ditë mban entuziazmin për të qenë fitues
Presidenti i vendit, Bamir Topi e përcolli urimin për një vit të mbarë për nxënësit në të gjithë vendin, nga shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet. “Kjo ditë mban entuziazmin për të rifilluar dhe për të qenë fitues. Ju uroj një vit të ri shkollor të mbarë, me shëndet, me kurajë, me entuziazëm për të studiuar dhe jam i bindur që nga kjo shkollë sërish do të dalin njerëz që do të renditen në vendet e para të njerëzve më të përgatitur në këtë cikël shkollor, por besoj edhe në shkollën e cila ndodhet besoj në treshen më elitare të arsimit shqiptar! Edhe një herë urime, suksese dhe paçi vetëm suksese!”, - u shpreh Presidenti, i cili, pas përshëndetjes vizitoi mjediset e brendshme të shkollës dhe u ndal në një klasë me tabela interaktive, që siç tha ai, do ta bëjë mësimin më të dashur për nxënësit.
Berisha: Reformat në arsim po japin rezultate premtuese
Kryeministri i vendit, Sali Berisha zgjodhi shkollën e mesme “Hoteleri-Turizëm” për të uruar fillimin e vitit të ri shkollor. Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal veçmas tek shkollat profesionale. Sipas tij, ato do të jenë të hapura çdo pasdite, duke ndjekur në këtë mënyë praktikat e vendeve si Gjermania dhe Italia. “Shkollat profesionale duhet të jenë të hapura për të gjithë ata punonjës që punojnë gjatë ditës, po që pasdite duhet të shkollohen, të lartësojnë më shumë dijet dhe profesionin e tyre”, - u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, kryeministri Berisha u shpreh se ky vit shkollor nis pasi reformat në fushën e arsimit po japin rezultatet e para shumë premtuese. Kreu i qeverisë theksoi se zgjodhi pikërisht shkollën e “Hoteleri-Tturizimit” për të përcjellë mesazhin e tij, për ditën e parë të shkollës, për shkak se kjo shkollë vlerësohet për cilësinë e saj në tregun e punës, por edhe si një ogur i mirë për të rritur cilësinë e shërbimit në turizmin shqiptar. Më pas, kryeministri vizitoi disa nga ambientet e shkollës së “Hoteleri-Turizmit” dhe u shpreh i impresionuar për nivelet e larta dhe kushtet shumë të mira të mësimdhënies.
Topalli: Bëhuni të suksesshëm në karrierën tuaj
Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli i përcolli urimet e saj për vitin e ri shkollor nga Shkodra. Ajo ishte në shkollën e mesme “Jordan Misja”. “Në jetën e njeriut janë pak ditë që mbeten të shënuara, të paharruara. Pa dyshim, dita e parë e shkollës, qoftë kjo për filloren, për 9-vjeçaren, gjimnazin apo universitetin, është një ditë shumë e veçantë. Unë shoh në fytyrën e gjithsecilit prej jush, buzëqeshjen e gëzimit të fillimit të shkollës dhe ju uroj me gjithë zemër, mësime të mbara dhe të jeni të suksesshëm në karrierën tuaj; të gëzoni prindërit dhe të realizoni ëndrrat tuaja”. Kryeparlamentarja ishte e pranishme dhe në ceremoninë e inagurimin e punimeve për ndërtimin e një shkolle të re në lagjen “Mark Lulaj” të këtij qyteti. Ajo u shpreh se ndihet e kënaqur që po vendos tullën e parë të fillimit të kësaj shkolle, vlera e së cilës shkon në 1,5 milionë dollarë.