E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktivistët shkatërrojnë makinat e EULEX-it në Prishtinë

Afërsisht 25 vetura të EULEX-it u kthyen me kokë teposhtë dje nga aktivistë të lëvizjes "VETËVENDOSJE!". Aksioni kundërshtonte praninë e EULEX-it në Kosovë dhe të gjitha veprimet e tij në vend dhe për vendin, përfshirë protokollin që EULEX-i do ta nënshkruajë me Serbinë për bashkëpunim me policinë kriminale të këtij shteti kriminal. Lëvizja "VETËVENDOSJE!", me anë të një komunikate për media të shpërndarë dje, njoftoi se Policia e Kosovës, përfshirë njësitet speciale të saj, ka ndërhyrë dhunshëm gjatë aksionit dhe arrestoi 21 aktivistë të lëvizjes. Nga kjo ndërhyrje u lëndua aktivisti Skënder Blakaj nga Burimi, i cili është dërguar në klinikën emergjente në QKUK-së, ku po qëndron policia në pritje për ta arrestuar. Sipas komunikatës së lëvizjes, "aktivistët e lëvizjes, Dardan Molliqaj dhe Fatmir Haziri janë rrahur keq nga policët gjatë rrugës për në stacionin policor dhe brenda tij. Fatmir Haziri është rrahur nga polici me numër 8062. Po ashtu është rrahur edhe aktivisti Kujtim Kosumi nga polici me numër 8676, si dhe aktivisti Salih Mehmeti nga polici me numër 8272". Ndërkohë, policia e Kosovës njofton se ka ndërhyrë në bazë të ligjit dhe ka shoqëruar për në rajonin policor të Prishtinës 21 persona, njëri prej të cilëve është liruar më pas, ndërsa për 20 të tjerët ka ngritur akuza për prishje të rendit dhe shkatërrim të pronës.

Nga ana tjetër, lëvizja e drejtuar nga Albin Kurti nuk ka ndërmend të ndalet përballë veprimeve të EULEX, që i konsideron të papranueshme, pasi cenojnë pavarësinë e Kosovës.

"Meqë EULEX-i është i prodhuar në Serbi, xhipat e tyre me targa EULEX, realisht janë xhipa të zinj me targa 000 BG, të cilët ne sot i praptuam. Ashtu siç duhet kthyer kokë teposhtë sistemi politik që e mirëmban EULEX-in në Kosovë", janë fjalët që shkruhen në fund të komunikatës për shtyp të lëvizjes "VETËVENDOSJE!".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›