E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defektet e uljes së pragut të TVSH-së

Në kuadrin e të ashtuquajturit "reformim të sistemit fiskal", qeveria ka marrë vendimin që rregullave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar t‘i nënshtrohen edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël që arrijnë të realizojnë një volum qarkullimi më të madh se 5 milionë lekë në vit.
Kalimi në këtë skemë të re të taksimit me TVSH dhe tatimit mbi fitimin të bizneseve të vogla, bëhet në një moment kur administrimi i tatimpaguesve të regjistruar aktualisht në TVSH dhe që paguajnë për rrjedhojë edhe tatimin mbi fitimin, është jashtëzakonisht problematik. Nga numri total i tyre, prej rreth 17 mijë tatimpagues, mesatarisht 25-30 për qind e tyre nuk paraqesin deklaratat mujore të TVSH, 35-40 për qind deklarojnë teprica kreditore (pra nuk paguajnë TVSH) apo deklarojnë se nuk kanë kryer fare aktivitet dhe vetëm 30-40 për qind paguajnë realisht TVSH.
Kushdo që ka një farë eksperience në fushën e tatimeve dhe që njeh sadopak sjelljen e tatimpaguesve tanë, nivelin dhe kapacitetet administrative të administratës sonë tatimore dhe mundësitë reale që ajo ka për t‘u përmirësuar dhe modernizuar, arrin të vlerësojë se masa e propozuar nga Ministria e Financave për uljen e kufirit të regjistrimit në TVSH nga 8 në 5 milionë lekë nuk është gjë tjetër veçse rrezik evident për vetëshkatërrim dhe komprometim të të gjithë sistemit tonë tatimor.
Ideja për ndryshime të shpeshta në legjislacionin fiskal, për të mos thënë e gabuar, është jo prioritare dhe jo e domosdoshme, për një numër arsyesh:
Së pari, kapacitetet administrative të administratës tatimore gjatë këtyre viteve të fundit jo vetëm nuk janë rritur e përmirësuar, por kanë njohur regres. Rreth 60 për qind e punonjësve të kësaj administrate janë zëvendësuar me të rinj, jo për shkak të profesionalizmit, por militantizmit partiak. Teknologjia e informacionit dhe burimet e tjera materiale mbeten të pamjaftueshme.
Së dyti, aktualisht për 17 mijë tatimpagues të regjistruar në TVSH, janë rreth 700 inspektorë kontrolli në administratën tatimore. Me uljen e pragut të regjistrimit në TVSH, kur numri i tatimpaguesve të regjistruar në TVSH do të arrijë në rreth 40 mijë, do të duhet që numri i kontrollorëve në administratën tatimore dhe i specialistëve të sektorëve të tjerë të saj të rritet me rreth 2.4 herë, duke bërë që numri i kontrollorëve të arrijë në 1500 veta.
Së treti, mentaliteti dhe niveli i edukatës fiskale të tatimpaguesve që propozohet të kalojnë në skemën e TVSH, ka mbetur i njëjtë. Obligimet e kategorisë së bizneseve të vogla që realizojnë një volum qarkullimi nga 2 deri në 8 milionë lekë, janë rritur ndjeshëm, pasi ato që nga fillimi i vitit 2008 duhet të mbajnë dokumentacion, të mbajnë regjistrime në librat përkatës kontabël, të llogarisin amortizim, etj., gjë që ka rritur koston e biznesit, pasi ato mund të përmbushen vetëm duke ia besuar mbajtjen e dokumentacionit dhe të regjistrimeve të duhura specialistëve të fushës (kontabilistëve).
Së katërti, një tjetër problem do të lindë lidhur me kontrollin e pragut prej 5 milionë lekësh, pasi shumica e tatimpaguesve të biznesit të vogël, që realizojnë një volum qarkullimi më të madh se ky prag, do të tentojnë të përfshihen në kategorinë e tatimpaguesve me volum qarkullimi më të vogël se 5 milionë lekë. Përvoja e deritanishme tregon se administrata tatimore asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë si duhet pragun e regjistrimit në TVSH. Aktualisht llogaritet të jenë mbi 8 mijë tatimpagues në të gjithë vendin, të cilët realisht arrijnë të realizojnë një volum qarkullimi më të madh se 8 milionë lekë në vit, por që aktualisht janë në skemën e biznesit të vogël, sepse fshehin dhe nëndeklarojnë qarkullimin e tyre dhe sepse administrata tatimore nuk është në gjendje të kontrollojë pragun e regjistrimit. Nëse administrata tatimore dhe Ministria e Financave do ta vlerësonte drejt këtë fakt, do të arrinin të rrisnin numrin aktual të tatimpaguesve të regjistruar në TVSH mbi 40 për qind dhe numri total i tyre do të shkonte në rreth 25 mijë tatimpagues. Por në vend që të bëjnë pikërisht këtë, pra të kontrollojnë më mirë pragun e regjistrimit në TVSH, ata zgjedhin rrugën më të gabuar të mundshme, kalojnë në kategorinë e tatimpaguesve të regjistruar në TVSH të gjithë tatimpaguesit që realizojnë qarkullim më të madh se 5 milionë lekë në vit.
Së pesti, barra fiskale e 23 mijë bizneseve do të shumëfishohet, ata do të rezistojnë fuqishëm për të mos kaluar në kategorinë e tatimpaguesve të regjistruar në TVSH, gjë që do të rrisë pakënaqësinë ndaj të gjithë sistemit fiskal dhe do të përkeqësojë pranimin e tatimeve në përgjithësi.
Së gjashti, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar arrijnë në rreth 10 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo përqindje është e krahasueshme edhe me vendet më të përparuara perëndimore dhe me sisteme tatimore të konsoliduara. Pra nuk ka arsye pse vendi ynë të prekë TVSH, as për sa i përket pragut të regjistrimit, as gamës së përjashtimeve që ai ka, as mënyrës së administrimit të tij.
Së shtati, është vërtetuar tanimë nga eksperienca e shumë vendeve të tjera se ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nuk justifikohet me rritjen e të ardhurave dhe me përmirësimin e administrimit tatimor, përkundrazi ajo shoqërohet me stanjacion në të ardhurat e TVSH dhe me përkeqësim të të gjithë treguesve të performancës në administrimin e këtij tatimi.
Së fundi, ulja e pragut të regjistrimit në TVSH, komprometon dhe vjen në kundërshtim të plotë me masat e marra kohët e fundit për decentralizimin fiskal.
Është i njohur tashmë fakti se, problem në vendin tonë nuk janë ligjet, ato përgjithësisht janë të mira dhe bashkëkohore, por zbatimi i tyre. Nisur nga kjo, në fokus të Ministrisë së Financave nuk duhet të jenë ndryshimet fiskale, por modernizimi i administratës tatimore, i cili po ecën ngadalë. Për më tepër ndryshimet e shpeshta, rrisin pasigurinë për bizneset, bëjnë të pamundur prognozën për ecurinë e tyre, prishin stabilitetin e krijuar prej tyre, janë të vështira të ndiqen, të njihen dhe zbatohen si nga bizneset ashtu dhe nga vetë inspektorët e administratës tatimore.

* Autori është ekspert tatimor. Titulli është i redaksisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›