Sfidat e një festivali me filmin
Një festival që mbart shumë risi. Kështu u cilësua prej organizatorëve gjatë konferencës për mediat edicioni i shtatë i "Tirana Film Festival", i cili u çel zyrtarisht dje. Skenaristi dhe aktori me origjinë shqiptare, Thomas Logoreci, i cili është një ndjekës i rregullt i TIFF gjatë këtyre viteve të fundit, njëkohësisht edhe përzgjedhës i filmave, e konsideroi festivalin si një tejngopje vlerash. Shumë prurje, "një lloj orgjie për ata që dashurojnë kinemanë". I vendosur në ambientet e Teatrit Kombëtar, ky festival gjatë dhjetë ditëve, deri më 6 dhjetor do të përcjellë për publikun 14 filma me metrazh të gjatë, si dhe rreth 100 filma me metrazh të shkurtër. "Prania e filmit me metrazh të gjatë në festival është edhe një nga risitë më të rëndësishme të festivalit, një ide të cilën e kemi kultivuar prej kohësh e që më në fund e realizuam", thotë para mediave Ilir Butka drejtori TIFF. Pjesëmarrjen e filmit të gjatë në këtë edicion, Butka e konsideron si një sfidë të cilën stafi organizator e kishte kultivuar prej vitesh. E kështu, pas eksperiencës së përftuar me filmat e shkurtër, TIFF duket se më në fund ishte gati edhe për filmat me metrazh të gjatë. "Për këtë ndryshim, reagimet kanë qenë pozitive. Ato pasqyrohen me prurjet e filmave dhe ne jemi të habitur nga prania e shumë filmave, të cilët në një pjesë të mirë të tyren, kanë marrë pjesë në festivale të ndryshme dhe janë vlerësuar edhe me çmime", vijon më tej ai. Në kuadër të risive, drejtori i TIFF, përmend edhe marrëdhënien me televizionin. "Nëpërmjet dashamirësisë së një prej mediave më të suksesshme në fushën televizive, ‘DigitAlb‘, ne kemi mundur të realizojmë një hapësirë në favor të festivalit. "Digiart", është një tjetër sfidë e cila konsiderohet si një festival televiziv, ku do të shfaqen prurjet e reja të festivalit e ku do të jepen të njëjtat çmime me ato që i rezervohen Festivalit të Filmit të Shkurtër: filmi më i mirë i shkurtër, fiction-i më i mirë, filmi i animuar më i mirë, filmi eksperimental më i mirë dhe dokumentari më i mirë", tregon Butka duke falënderuar "Top Median" për partneritetin e duke e vlerësuar të rëndësishëm këtë bashkëpunim sidomos sa i përket publikut, atij që ndoshta e ka të pamundur të ndjekë nga salla festivalin. "Në këtë mënyrë, nga shtëpia, mund të krijohet një lloj kulture në favor të kinemasë dhe të filmit", nënvizon ai. Gjithashtu, në kuadër të TIFF do të zhvillohet edhe një aktivitet në disa qendra urbane aspak të zakonshme për një festival. Veprimtaria, e cila realizohet në bashkëpunim me pesë minibashki të Tiranës është quajtur Festivali Urban, i cili do të përcillet në qendrat periferike të kryeqytetit. Ndërkaq, Genc Përmeti programuesi i Festivalit, bën të ditur filmat e gjatë në konkurrim. Janë 14 të tillë. "Shpirtra të ftohtë" i regjisores Sophie Barthes, "Kostandini dhe Elena" i Andrei Dascalescu, "Qyteti i djajve" nga Vladimir Paskaljeviç, "Një grua nga Damasku" i Diana El Jeiroudi, filmi shqiptar "Lindje, Perëndim, Lindje" i Gjergj Xhuvanit, "Akademia e Platos" i Filippos Tsitos, "Burrë mbi orë" i Asli Ozge, "Mock on mu" nga Craig Baldwin, "Fytyra e veriut" i Philipp Stolzl, "Të burgosurit e nëndheshëm" nga Stella van Voorta van Beest, "Tingulli i insekteve" nga Peter Liechti, "Dy vijat" i Selim Evci, "Ushtarët e panjohur" nga Shalva Shengeli si dhe "Gruaja pa piano" nga Javier Rebollo do të vijnë në konkurrim. Ata do të vlerësohen nga një juri e posaçme e vendosur për filmat me metrazh të gjatë, e cila përbëhet prej Ben Rivers, Bujar Alimanit, Joshua Jacob Marston, Michele Levieux dhe Nick Holdsworth. Nuk do të mungojë edhe një program special i festivalit, gjatë të cilit do të shfaqen një seri e veçantë filmash. Ky program nisi mbrëmë me shfaqjen e bashkëprodhimit të parë shqiptaro-serb, filmit "Honey Moon‘s" i cili është vlerësuar në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ashtu sikundër nuk do të mungojë edhe një homazh për regjisorin e madh shqiptar Viktor Gjika, i cili u nda nga jeta para pak kohësh. Në kujtim të tij do të shfaqen filmat "Debatiku", "Komisari i dritës" si dhe "Rrugë të bardha". Do të vijë për publikun edhe një pjesë e filmave të huaj, të cilët janë shfaqur në Shqipëri gjatë viteve të komunizmit dhe që nuk janë shfaqur më për dekada të tëra. Seksioni i veçantë është quajtur "Thesare nga arkivi i filmit shqiptar". Do të shfaqen filmat "Beteja e Algjerit" nga Gillo Pontecorvo, "Gruaja meksikane" nga Emilio Fernandez, të cilin Përmeti e konsideroi si një nder për festivalin, duke qenë se në Shqipëri ekziston një ndër kopjet e rralla të këtij filmi, si dhe "Hijet e bardha" nga Nicholas Ray, film i cili pavarësisht se erdhi në Shqipëri, asnjëherë nuk u shfaq para publikut. Do të shfaqen edhe tre filma, të cilët janë transmetuar në vendin tonë gjatë periudhës kur Shqipëria komuniste kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Republikën Popullore të Kinës. Revolucioni kulturor kinez do të kthehet në Tiranë me shfaqjen e filmave "Nga fitorja në fitore", "Duke kaluar lumin Jance" dhe "Lindja është e kuqe". E rëndësishme konsiderohet prej Genc Përmetit edhe prania e njërit prej korifenjve të kinematografisë botërore, regjisori grek Theo Angelopulos. Ai do të jetë i pranishëm gjatë ditëve të festivalit, ku do të shfaqen disa filma të tij. "Tirana Film Festival" vjen me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë organizuar nga "DigitAlb", "Imperial Cinemas", "Albania Art Institute" dhe "Ska-Ndal Film Production". Ar.He