E Diel, 1 Nëntor 2026

"Muajt e Mjaltit"

Në një shtëpi modeste shqiptare, një nënë vuan dramën e tranzicionit. Prej tre vitesh, djali i saj është i zhdukur. Gjurmët e tij janë fshirë në përpjekje për të shkuar tej...drejt Europës. Dramën e saj të përditshme e mbush Majlinda, vajza që pret të bëhet nuse e asaj shtëpie. Ndërsa djali i vogël Niku, me dëshirën e marrë për të kaluar kufirin, i mëshon dy herë në plagë. Paralelisht ngjarjet zhvendosen në Serbi. Një çift tjetër të rinjsh, Vera dhe Marko, kërkojnë të gjejnë shanset e jetës së tyre drejt Perëndimit. Që në fillim, filmi "Muajt e Mjaltit" i regjisorit serb Goran Paskaljeviç, është qartazi i angazhuar. Ai mbart jo vetëm historinë e dy çifteve, as të dy vendeve të vogla, fqinje, por historikisht të ndarë nga kontradiktat, por atë të Ballkanit dhe të njerëzve të tij. I cilësuar fort si i pari bashkëprodhim shqiptaro-serb, pas prezantimit në shikues të kombësive të ndryshme, ka mbërritur më në fund në Tiranë. Në tapetin e kuq, në një atmosferë që e bën të dallueshëm edicionin e shtatë të "Tirana International Film Festival", stafi ka prezantuar premierën shqiptare. I pranishëm, edhe vet regjisori Goran Paskaljeviç, i cili që nga festivalet ku ishte i ftuar cilësonte se "arritëm të bënim atë që dukej e pamundur, një bashkëpunim shqiptaro-serb". Regjisori shkon ta kërkojë fatin e personazheve të tij më thellë se koha reale që jetojnë. Qëllimisht kemi portretin e dhimbshëm të një nëne shqiptare, mishëruar përmes aktores së njohur Yllka Mujo, dhe krah saj një baba të heshtur, Rroku (Bujar Lako), i cili edhe pse i ndërgjegjshëm nuk përpiqet t‘i pengojë dy të rinjtë Majlindën (Mirela Naska)dhe Nikun (Jozef Shiroka) të kërkojnë lirinë e tyre, atë liri që atij ia kishin mohuar pas hekurave të burgut. Në linjën tjetër, atë serbe, Vera (Jelena Trulja) dhe Marko (Nebojsa Milanoviç) përmes një interpretimi të çlirët, mishërojnë figurën e shumë prej të rinjve si ata që kërkojnë të provojnë se si jetohet përtej territorit të tyre. Por para se fatet e tyre t‘i çojë në portat e Europës, Paskaljeviç bën një portretizim të qartë të të dyja shoqërive. Në pjesën e parë të filmit zgjedh ritin e dasmës (asaj shqiptare dhe serbe) për të bërë së pari të qartë ngërçet që ekzistojnë mes vendit. Të zbritur nga Kukësi në Tiranë, të ftuar në një dasmë madhështore, Rroku, një ish i burgosur është rasti më tipik i përplasjes së të shkuarës me të tashmen. Ata që dikur ndihmuan burgosjen e tij, sot gëzojnë luksin. Në një kapërcim në anën tjetër, ku dasma është shtruar me të madhe, mendësitë politike kanë arritur të ndajnë edhe dy vëllezër. I ati i Verës, grindet me veten, me gruan dhe fëmijët e tij për gjithë atë zahamalli që ndodh pak më tutje oborrit të tij. Përtej vetvetes, fije paragjykimesh i lidhin këto dy shoqëri. Duke kërkuar t‘i shmanget moralizmit të drejtpërdrejtë, regjisori ka zgjedhur dy karaktere për të tipizuar konfliktet. Mes tyre mbetet Kosova. Mjafton një lajm i dhënë në kohë reale nga mediat e dy vendeve mbi vrasjen e dy ushtarëve italianë në Kosovë, që nacionalistët (shqiptarët të tipizuar përmes një organizatori të dasmës dhe serbët në disa të rinj të periferisë së Serbisë) të shpërthejnë në fjalë që përçojnë urrejtje. Përballë tyre, Niku dhe Marko, të përfshirë në incidente, mbartin një mentalitet që kërkojnë t‘u shpëtojnë kurtheve nacionaliste. Figura e Markos e reflekton këtë kundërshti edhe në detaje simbolike. Teksa sulmohet nga një grup të rinjsh se pse vuri në dyshim faktin që ushtarët italianë mund të mos jenë vrarë nga shqiptarët, i fut grushtet e tij në xhepa, duke refuzuar të godasë. I pyetur mbi këtë çështje, Paskaljeviç është shprehur i përgatitur për reagime të tilla edhe ndaj këtij bashkëprodhimi filmik. Ndërkohë që bashkëskenaristi Genc Përmeti e ka pohuar edhe peshën politike që mbart ky realizim. Më tej, ndonëse jo fizikisht, fatet e këtyre të rinjve takohen. Majlinda dhe Niku nisen drejt një kufiri jugor italian, ndërsa Marko dhe Vera udhëtojnë me tren drejt Europës përmes kufirit hungarez. Ëndrra e tyre ngec në kufi, të hapur veçse në deklarata diplomatike. Niku tulatet nga qëndrimi i policëve italianë, të cilët nuk ngurron t‘i quajë racist, ndërsa Marko në magazinën e një stacioni treni. Faji i tyre i vetëm: në pasaporta kanë vula të Kosovës. "Sidoqoftë jam i bindur se në fund të filmit, shikuesit do të kenë përshtypjen se këta të rinj, jetojnë në të njëjtën hapësirë imagjinare, teksa presin në derë të Europës; shqiptarët në një port të jugut të Italisë dhe serbët në kufirin hungarez në magazinën e një stacioni të vogël treni. Megjithatë, pas zhgënjimit të parë të hidhur në këtë botë ‘më të mirë‘, lind një ditë e re për të dyja çiftet", pati theksuar regjisori. Teksa titrat dalin në ekranin e përshtatur të sallës së Teatrit Kombëtar, që ndonjëherë bënte të shfaqeshin edhe probleme teknike gjatë filmit, historia nuk zgjidhet përmes një "deus ex machina". Ndërsa diskutimin mbi realizimin i mbetet ta zhvillojë me tej publiku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›