E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktiviteti patriotik i Kishës së Shën Palit në Detroit smund të errësohet nga videomontazhe antishqiptare

Nga Dom Anton Kçira


Të nderuar vëllezër e motra shqiptare kudo që ndodheni, në trojet tona etnike ose nëpër botë. Kam nderin tju drejtohem nëpërmjet kësaj letre të hapur për të sqaruar të gjithë bashkatdhetarët dhe bashkëkombësit e mi, bashkëpunëtorët dhe besimtarët e të gjitha feve të hapësirës shqiptare, në lidhje me një videomontazh të publikuar ditëve të fundit ne internet ne faqen youtube, ku paraqiten pjesë të shkurtuara të një fjalimi të mbajtur nga ana ime në një aktivitet të shoqatës së intelektualëve të organizuar në Kishën Katolike të Shën Palit në Detroit, me temë Kosova në prag të pavarësisë. Gjithashtu në këtë videomontazh në mënyrën më histerike janë bërë ilustrime fotografike të ngjarjeve më tragjike të ndodhura ndonjëherë në të gjitha trojet tona etnike dhe që nuk kanë asgjë të përbashkët me përmbajtjen e fjalimit tim.


Do të doja ta nisja këtë sqarim duke thënë disa fjalë në lidhje me aktivitetin tim në Kishën Katolike të Shën Palit në Detroit. 1. Gjatë gjithë aktivitetit tim fetar çështja jonë kombëtare ka qene dhe mbetet parathënia e çdo iniciative ose veprimtarie të drejtuar nga ana ime. 2. Kisha qe unë drejtoj është dhe do të mbetet një vatër e besimit dhe e atdhedashurisë për të gjithë shqiptarët. 3. Vlerësimi dhe respekti për çdo shqiptar pavarësisht nga besimi i tij fetar ka qenë dhe mbetet kryefjala e aktivitetit tim 43-vjeçar. 4. Kam marrë pjesë në të gjitha demonstratat paqësore të shqiptarëve të Amerikës, përpara institucioneve amerikane për sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. 5. Kam udhëhequr dhe organizuar takime me zyrtarë dhe me përfaqësues të lartë të Shtetit Amerikan në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare. 6. Kam drejtuar komunitetin e shqiptarëve të Detroitit në fushatën e mbledhjes së ndihmave financiare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe kam ofruar gjithçka kam pasur vetë në ndihmë të kësaj çështjeje. 7. Kam organizuar dhe kam drejtuar të gjitha nismat dhe tubimet në përkrahje te pavarësisë së Kosovës derisa kjo ëndërr shumëvjeçare e shqiptareve u bë realitet.


Për sa më sipër ekzistojnë prova dhe fakte historike të aktivitetit tim 43-vjeçar, te cilat me kënaqësi mund tia vëmë në dispozicion çdo shqiptari të interesuar.


Në vazhdim do të doja të sqaroja të gjithë lexuesit e kësaj letre në lidhje me përmbajtjen e pjesëve të montuara të videos së publikuar në youtube. Unë kam marrë pjesë në një takim të organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptaro-Amerikanë në Michigan më datën 13 maj 2007, që zhvillohej për të denoncuar dhe për të shprehur indinjatën në lidhje me një akt terrorist të mbetur në tentativë në bazën ushtarake të Fort Dix-it në New Jersey, ku u gjetën fajtorë dhe më vonë u dënuan me burgim të përjetshëm tre shqiptarë të lindur në trojet tona etnike që aktualisht ndodhen brenda shtetit të Maqedonisë. Kjo ngjarje e rëndë kishte ndodhur 5 ditë para mbajtjes së këtij takimi. Njëkohësisht takimi zhvillohej në përkrahje të Pavarësisë së Kosovës, e cila ndodhej në hapat e fundit të përgatitjes dhe deklarimit të saj përfundimtar. Dëshiroj të sqaroj se me gjithë njoftimin e bërë për këtë aktivitet të rëndësishëm për kohën kur ai mbahej, pjesëmarrja ka qenë jashtëzakonisht e vogël, madje në sallë nga disa pjesëmarrës mungonte edhe serioziteti apo vlerësimi i duhur i aktivitetit. Fjala ime aty ka shprehur në mënyrë emocionale indinjatën në lidhje me ngjarjen e bazës ushtarake të Fort Dix-it të New Jersey-it, dhe ndoshta fjalori i përdorur nga ana ime në këto rrethana nuk ka qenë i përzgjedhur mirë dhe me kujdes. Sa për sqarim: unë kam shprehur indinjatën time që tre shqiptarë të marrin guximin për të marrë pjesë në një akt të tillë terrorist të mbetur në tentativë kundër interesave amerikane dhe veçanërisht në një bazë ushtarake amerikane, e cila ka strehuar 20 mijë refugjatë të ardhur nga Kosova, gjatë luftës.


Duke e vlerësuar këtë si një akt të pamoralshëm tradhtie dhe të nxitur nga individë ekstremistë fetarë, pa marrë parasysh detyrimin e madh moral që ne si komb kemi dhe do të kemi ndaj shtetit amerikan, kam shprehur hapur indinjatën time personale për këtë çështje. Unë në fjalimin tim kam dashur të them: Ashtu siç u masakruan 260 mijë myslimanë në Bosnjë, ashtu do të ishin vrarë dhe masakruar 1.9 milionë shqiptarë në Kosovë po të mos ishte ndërhyrja ushtarake e NATO-s e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo interpretim tjetër është një keqpërdorim i qëllimshëm i fjalimit tim dhe një nxitje e pastër e urrejtjes ndërfetare mes shqiptareve nga individë ekstremistë fetarë, nga ish-shërbëtorët e UDB-së jugosllave, nga komunistë ateistë të shitur dhe të blerë qindra herë, të cilët komuniteti shqiptar i Detroitit i ka identifikuar me kohë dhe i njeh shumë mirë. Unë gjatë gjithë aktivitetit tim e kam konsideruar çështjen kombëtare si parësore dhe çështjen fetare si dytësore dhe në shërbim të pasurimit shpirtëror të shqiptarëve. Këtu në Detroit të SHBA-së kam bashkëpunuar ngushtësisht me të ndjerin Imam Vebi Ismailin, një klerik shembullor i fesë myslimane, si dhe një patriot i madh në përkrahje të çështjes sonë kombëtare. Kam bashkëpunuar ngushtësisht me të ndjerin Baba Rexhepin dhe me Teqenë Bektashiane në të gjitha mënyrat e mundshme dhe në të gjitha organizimet me karakter kombëtar dhe patriotik. Asnjëherë gjatë karrierës sime nuk i kam dalluar shqiptaret për nga besimi i tyre fetar, dhe e çmoj harmoninë ndërfetare të shqiptarëve si një cilësi fisnike, vlerë dhe dimension i çmuar moral.


Duke e mbyllur këtë letër dëshiroj të theksoj se askush nuk mund të gjykohet nga pjesë të shkurtuara të një videomontazhi disaminutësh, kur flitet për një aktivitet patriotik në shërbim të çështjes shqiptare për më shumë se 43 vjet. Kjo video është përgatitur nga individë ekstremistë dhe të shitur për qëllime të caktuara, të cilët megjithëse kanë kaluar tre vjet nga tentativa për akt terrorist kundër Amerikës, akoma nuk e kanë dënuar atë publikisht. Ne si shqiptarë kudo që jetojmë, u jemi dhe duhet tu jemi mirënjohës për jete Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin vendimtar në zgjidhjen përfundimtare të Çështjes Shqiptare. Ky detyrim i madh moral ndaj Amerikës është njëkohësisht edhe testimi më i mirë që mund ti bëhet patriotizmit të çdo shqiptari.


Duke ju përshëndetur, i uroj çdo shqiptari, kudo që ndodhet, dhe pavarësisht nga krahina ose përkatësia fetare, suksese, mbarësi dhe shëndet në familjet e tyre, si dhe u uroj Kosovës, Shqipërisë dhe të gjitha trojeve tona etnike bashkim dhe zhvillim të shpejtë si partnerë dinjitozë të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!


Zoti e bekoftë Amerikën!



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›