“Të jetosh në ishull” vjen si libër xhepi
TIRANE-Një Skënderbe ndryshe nga ç'e njohim, mosmarrëveshjet e tij me princin Arianit Komneni dhe historia e familjes Komneni e parë në disa breza, Ali Pashai i Tepelenës dhe qeverisja ekzotike e Janinës, konfliktet e tij me çamët e krishterë, lulëzimi dhe shkatërrimi i Voskopojës i përshkruar për herë të parë në letërsinë shqipe, luftërat e shqiptarëve deri në Kretë kundër Turqisë, si dhe bëmat e Sabatai Zevit, çifutit më të famshëm të Perandorisë Osmane që vdiq në Berat, janë vetëm disa prej kulmeve që të mbajnë mbërthyer pas leximit për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e ngjarjeve. Të gjithë këta kanë qenë elementët që e kanë bërë të suksesshëm romanin e Ben Blushit "Të jetosh në ishull", por veç kësaj edhe një stil që të rrëmben. Pas suksesit të paarritshëm në të gjitha kohërat nga asnjë roman tjetër, me 25.000 kopje të shitura të botimit të tij të parë, për herë të parë sot në një aktivitet, romani "Të jetosh në ishull", prezantohet në një format të ri xhepi. Pasditen e sotme, në një prej mjediseve të 'CityPark' do të mund të takoni shkrimtarin Ben Blushi dhe të bëni tuajin romanet e tij me nënshkrimin e vetë autorit. Për romanin "Otello, Arapi i Vlorës", Ben Blushi u vlerësua me "Shkrimtari i vitit 2009" nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, dhe me çmimin "Petro Marko" nga Ministria e Kulturës. Të dy romanet e shkrimtarit politikan kanë marrë vlerësime nga shkrimtarë të tjerë të njohur. I pari, përveç rekordit të shitjeve, hapi edhe një debat të madh. Reagimi i parë asokohe erdhi prej nënkryetarit të Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Saimir Rusheku, i cili e trajton shkrimin e tij si një vështrim kritik, sidomos mbi linjën që trajton çështjet e përqafimit të islamit prej shqiptarëve.
Libri
Autori e ka marrë temën nga Historia e Shqipërisë e shekujve XV-XVIII, por duke e trajtuar artistikisht si rrallëkush, e duke sjellë një informacion me frymë analitike nga një pikëvështrim i ri dhe tërësisht sipas gjykimit të tij të ngjarjeve të mëdha të shoqërisë shqiptare të kësaj periudhe. Por, pavarësisht nga linjat e personazhet e shumtë që gërshetohen në libër, tema themelore e romanit do të mbesë procesi i gjatë shoqëror i islamizimit të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, debatet për të cilin vazhdojnë të jenë në qendër të polemikave edhe në ditët tona dhe i kanë ndarë studiuesit, historianët, analistët, etj, në kampe me pikëpamje të ndryshme. Fabula shtrihet në gati katër shekuj, duke sjellë në letërsinë shqipe, personazhe të njohur, ngjarje e data që të çudisin për erudicionin e autorit, njohjen deri në imtësi të epokës ku zhvillohen ngjarjet dhe të zakoneve, traditave, organizimit të jetës së përditshme, e në mënyrë të veçantë, të riteve e normave fetare që rrjedhin nga Librat e Shenjtë.
(d.b/BalkanWeb)