E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet FSHF, Halili dhe Vata paralajmërojnë parregullsi

Autori i Lajmit: Redaksia

Tiranë - E enjtja e datës 4 mars 2010 i ka vënë krah për krah në një konferencë për shtyp dy kandidatët për president të FSHF-së, Refik Halilin dhe Rudi Vatën. Në një dalje të përbashkët para gazetarëve, dy rivalët e Armand Dukës për kreun e futbollit shqiptar i kanë kërkuar këtij të fundit rregulla të barabarta gare. Njëkohësisht kanë bërë të ditur një skandal, sipas tyre, që “Shoqata e Futbollit Amator”, e cila ka propozuar kandidatë për postet drejtuese të FSHF-së, por edhe është dominuar me të drejtën e 8 delegatëve me të drejtë vote në Asamblenë e 9 marsit, nuk figuron e regjistruar në gjykatë, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, çka e bën këtë shoqatë inekzistente për të bërë propozime dhe për të pasur 8 vota, aq sa zona ka në tërë Shqipërinë. Përmes një konfirmimi zyrtar të bërë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, përmes një shkrese me numër protokolli 883/2, datë 03.03.2010, kancelari i gjykatës në fjalë, Ilir Sauli, konfirmon pikë për pikë si vijon: “Në përgjigje të shkresës suaj, datë 02.03.2010, ju sqarojmë se nga verifikimet e bëra në regjistrat e Zyrës së Regjistrimit të OJF-ve, momentalisht nuk figuron “Shoqata e Mjekëve Sportivë”, as “Shoqata e Futbollit Amator”, të regjistruara pranë kësaj zyre.” Kjo do të thotë se dy shoqatat në fjalë, duke mos qenë të regjistruara në gjykatë, nuk kanë asnjë fuqi ligjore, as vendimmarrëse. Për këtë gjë, dy kandidatët për presidentë të FSHF-së, Duka dhe Vata, kanë informuar në një takim që kanë pasur me ministrin e MTKRS-së, Ferdinand Xhaferri”, edhe ministrinë e linjës, gjë të cilën e kanë bërë edhe me UEFA-n, edhe personalisht me Sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë së futbollit evropian, Xhani Infantino. I konsideruar si skandal ligjor, me qëllime të caktuara të presidentit aktual, Armand Duka, por që cenon barazinë e garës, pasi “Shoqata e Futbollit Amator” është bërë pjesë e FSHF-së tashmë, paguhet prej saj, çka e favorizon hapur presidentitn në detyrë. Bëhet fjalë për 8 vota të futbollit amator, por edhe për një votë të mjekëve sportivë, dy shoqata me të drejtë vote në Asamblenë e 9 marsit, sipas FSHF-së aktuale, por në kundërshtim me ligjin, sepse nuk mund ta kenë këtë të drejtë, duke mos qenë të regjistruara në gjykatë. Një çështje e nxehtë kjo, që kërkon sqarimet përkatëse, për të cilat dy rivalët e Dukës i janë drejtuar MTKRS-së dhe UEFA-s. Në këtë konferencë për shtyp, Halili dhe Vata kanë denoncuar edhe disa shkelje të tjera statusore, sipas tyre, që po i paraprijnë asamblesë zgjedhore të 9 marsit. Këto shkelje, për rivalët e Dukës, krijojnë klimën e një pabarazie të kandidatëve në këtë garë:

- Statuti aktual dhe rregullat e procedurave të asamblesë nuk parashikojnë pjesëmarrjen e vëzhguesve si përfaqësues të secilit kandidat. Këta vëzhgues duhet të pranohen dhe të jenë prezentë në numërimin e votave, të firmosin fletën e votimit.
- Çdo kandidat duhet të ketë mundësinë ë thirrjes së të ftuarve në këtë asamble, me numër të barabartë.
- Sipas statutit e rregullores së asamblesë, vepron aktualisht komisioni i verifikimit të dokumentacionit të kandidatit. Ky komision, i cili drejtohet nga z.Shyqyri Ballgjini, duhet të shpallte me vendim të arsyetuar miratimin e kandidatëve dhe delegatëve në asamble dhe në të njëjtën kohë, po me vendim, të arsyetonte përjashtimin e ndonjë kandidati apo delegati. Deri në këto momente nuk është shpallur asnjë vendim, por janë skualifikuar pa motive i propozuari i Bashkisë së Tepelenës për në Komitetin Ekzekutiv, zoti Fatbardh Jera. Analog është edhe rasti i Klubit të Futbollit “Partizani”. Ky komision, në përbërjen e tij ka anëtarë me konflikt interesi, pasi në të njëjtën kohë janë edhe delegatë me të drejtë vote. Konkretisht, në këto pozita është zoti Prek Pjetrushi, i cili është delegat me të drejtë votë i “Shoqatës së Arbitrave”.
- Duke thyer parimin “një anëtar, një votë”, “Shoqata e Futbollit Amator”, e cila përbën 1 (një) anëtar të FSHF-së, ka të drejtën e 8 votave. Kjo shoqatë, që nuk është e regjistruar fare në gjykatë, paraqet 8 delegatë me nga një votë secili, delegatë këta që nuk janë zgjedhur nga ndonjë forum, por janë përcaktuar nga përgjegjësi i tyre, i cili është punonjës i FSHF-së (për dijeni, përgjegjësi është Milan Baçi).
- Eshtë e pajustifikueshme, mbasi nuk ka asnjë praktikë, si brenda edhe jashtë vendit, që asambletë zgjedhore të zhvillohen larg selisë së FSHF-së. Asamble të zakonshme mund të bëhen në një qytet tjetër, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një asamble zgjedhore.
- Në rendin e ditës së miratuar nga Komiteti Ekzekutiv për këtë asamble, nuk parashikohen bërje pyetjesh dhe diskutimesh në momentin kur duhet të miratohet buxheti. Kjo është në kundërshtim me të drejtat që kanë anëtarët e një shoqate, siç është në rastin konkret FSHF-ja. Të gjitha shqetësimet e parashtruara më lart ia kemi bërë me dije UEFA-s dhe MTKRS-së.”

Ky lajm është publikuar: 05/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›