E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku ISE: Vihet në rrezik liberalizimi i vizave për Shqipërinë

Autori i Lajmit: Redaksia
Vihet në rrezik liberalizimi i vizave për shqiptarët. Drejtuesja e Projektit "Lista e Bardhe Shengen," e Iniciativës për Stabilitetit Evropian, Aleksandra Stiglmayer, pohon se rritja e kërkesave për azil në Belgjikë nga shtetasit serbë e maqedonas menjëherë pas heqjes se regjimit të vizave po dëmton procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Ajo pohon se disa vende anëtare janë frikësuar nga ky fenomen, falë dhe mënyrës së pasqyrimit nga mediat evropiane. Edhe eurodeputetja Tanja Fajon, dy ditë më parë, i bëri thirrje Maqedonisë dhe Serbisë që të zgjidhin problemin e emigrimeve të mëdha për të mos dëmtuar vendet e tjera të Ballkanit, të cilat ende nuk kanë përfituar nga ky proces.
Deklarata
“Sigurisht që ekziston rreziku që kjo të vonojë procesin e liberalizimit me të tjerët. Disa vende anëtare mund të jenë në panik, pasi në disa media evropiane pasqyrimi i ngjarjes ka krijuar në popull ndjeshmëri kundër këtij procesi, e kjo mund të sjellë vonesa. Kjo po dëmton konceptin e heqjes së vizave. Do të kishte qenë më mirë sikur të mos kishte ndodhur ky fenomen, por nuk përjashtohej mundësia. Ka pasur vazhdimisht abuzim me viza edhe atëherë kur njerëzit duhet ta kërkonin, dhe është e qartë që do të ketë abuzim me lëvizjen e lirë”, - thotë Aleksandra Stiglmayer. Ajo parashikon se do të ketë njerëz që do të kërkojnë azil, edhe nëse shanset për ta marrë janë pothuajse zero; do të ketë njerëz që do të qëndrojnë më shumë se 3 muajt e lejuar, do të qëndrojnë në mënyrë ilegale, do të kërkojnë punë, e ndoshta mund të përfshihen në aktivitete kriminale. Megjithëse në numër më të vogël, krahasuar me dy muajt e parë të vitit, çdo javë regjistrohen dhjetëra aplikues të tjerë nga Maqedonia e Serbia në zyrat e emigracionit dhe azilit në Belgjikë. Iniciativa e Stabilitetit Evropian analizon se, pavarësisht asaj që po ndodh në Belgjikë, Bashkimi Evropian ka më shumë përfitime se humbje nga heqja e regjimit të vizave me rajonin. “Përmes bashkëpunimit të ngushtë me strukturat evropiane si Eurojust, Europol, Interpol Frontex, mekanizmi si marrëveshja e riatdhesimit apo brenda vendeve për të monitoruar normat e emigracionit, për ta parandaluar atë dhe për të mos lejuar shtetas të vendeve të treta që të kalojnë kufirin nga Ballkani pra, me të gjitha këto përpjektë të vendeve të rajonit, në fund gjykoj se BE ka më shumë përfitime se humbje me heqjen e regjimit të vizave”, - theksoi Stiglmayer. Por autoritetet belge janë shumë të pakënaqura me situatën e krijuar dhe përsërisin qëndrimin për refuzim azili. “Për momentin, situata është e pakëndshme për Belgjikën. Këta njerëz duhet ta dinë se, nëse duan të vinë në Belgjikë, janë të mirëpritur për të bërë turizëm, për të qëndruar disa ditë, por ata nuk mund të gjejnë kurrë këtu mbështetje financiare nga autoritetet belge, edhe nëse aplikojnë për procedurë azili, ne do ti detyrojmë të gjithë të kthehen”, - është shprehur Melchior Ëathelet, sekretari i Shtetit për Emigracionin dhe Azilin në Belgjikë. Me gjithë mësymjen e shtetasve serbë dhe maqedonas në Belgjikë, kryeministri Yves Leterme ka pranuar publikisht se mbështet heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, ndërkohë që deri më sot Brukseli nuk shquhej për mbështetje të këtij procesi me Ballkanin.

Ky lajm është publikuar: 07/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›